SHKODËR- Mbi 10 plumba janë zbrazur mëngjesin e sotëm mbi 53-vjeçarin Fatbardh Lici, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Duke iu referuar burimeve nga grupi hetimor sjellim rindërtimin e skenës së krimit që tronditi Shkodrën këtë të premte.

Mësohet se Lici ka qenë duke pirë kafen e mëngjesit në një nga lokalet pranë ish-poçerisë së vjetër në Shkodër, kur një makinë është afruar dhe nga ajo ka qëlluar me armë një person. Pasi ka zbrazur një karikator të tërë, autori është larguar me shpejtësi nga rruga e ‘5 heronjve’ në dalje të qytetit dhe më pas drejt fshatit Dobraç i Ri, ku është gjetur edhe një makinë duke u djegur.Hetuesit thonë se nga autori mund të jetë përdorur për krimin një pistoletë automatike ose automatik i shkurtër, tip gjerman.

Dyshohet se viktima ka qenë i vetëm në lokal, nisur edhe nga fakti që është qëlluar disa herë dhe nuk ka pasur persona të tjerë të lënduar.