Shkodër/ Grabiti klientët e bankës ku punonte, prangoset 41 vjeçari

517
Sigal

Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Transaksioni”, duke arrestuar një ish-punonjës banke që kishte grabitur nga klientët një shumë prej 28 milionë lekësh të reja bashkë me një koleg.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e personave të shpallur në kërkim, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Renda në DVP Shkodër me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponjat”, pas informacioneve të marra në rrugë operative kanë vënë në pranga shtetasin e shpallur në kërkim Olsi Boriçi, 41 vjeç, banues në Shkodër, i cili u kap në banesë në lagjen “Skënderbeg”.

Kapja dhe ndalimi tij u bë pasi Gjykata e Apelit Shkodër në vitin 2017, e ka dënuar me vendim të formës së prerë me 10 vite burg, për veprën penale “Vjedhje e bankave dhe arkave të kursimit” parashikuar nga neni 136/2 të Kodit Penal.

Ky shtetas në bashkëpunim me një shtetas tjetër duke qenë punonjës të një banke të nivelit të dytë kanë kryer disa transaksione në shuma të konsiderueshme parash pa miratimin e klientëve të kësaj banke dhe duke falsifikuar nënshkrimet e tyre kanë përfituar në mënyrë të paligjshme 28.000.000 lekë (të reja), këto veprime janë kryer në data të ndryshme të muajit shtator të vitit 2009.

Personi do i dorëzohet shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë për veprime të mëtejshme.