Shkodër dhe Vlorë, asgjësohen mbi 16000 rrënjë kanabis

145

Gazeta Telegraf

Policia e Shkodrës ka vijuar operacionin anti-kanabis, duke asgjësuar
11.308 rrënjë kanabis sativa, që ishin mbjellë në 62 parcela. Policia ka
shpallur në kërkim 3 shtetas të dyshuar si kultivues të drogës. Ndërsa në disa
fshatra të Vlorës janë asgjësuar 5 mijë rrënjë bimë narkotike. Me ndihmën e
Komisariatit të Policisë Shkodër dhe Vaut të Dejës dhe në bashkëpunim me DVP
Shkodër dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër, operacioni u zhvillua në
territorin e njësive administrative Pult, Shllak e Temal. Policia sqaron se si
rezultat i kontrollit të ushtruar në datë 11 shtator 2016 u arrit që në Pult të
Shkodrës të asgjësoheshin me anë të djegies 36 parcela me një numër prej 8777
bimë narkotike të dyshuara të llojit kanabis – sativa. Gjithashtu u sekuestrua
në cilësinë e provës materiale një armë zjarri (mitraloz) model-56 dhe një kuti
me 18 fishekë model-56. Nga verifikimet hetimore, u shpallën në kërkim 3
shtetas të dyshuar si kultivues të këtyre bimëve, konkretisht: N.M, 56 vjeç,
banues në fshatin Bruçaj, Pult; Gj.K, 40 vjeç, banues në fshatin Bruçaj, Pult
dhe Rr.K, 56 vjeç, banues në fshatin Bruçaj, Pult. Gjithashtu në Shllak e Temal
të Vau Dejës u gjetën dhe u asgjësuan me anë të djegies 26 parcela me një numër
prej 2531 bimë të dyshuara narkotike të llojit kanabis – sativa me gjatësi nga
1.7 m deri në 2.5 m të mbjella në toka publike dhe në një terren të thyer
malor. Ndërkohë policia e Vlorës ka asgjësuar rreth 5.000 rrënjë bimë narkotike
të dyshuara të llojit kanabis-sativa. Bimët narkotike u gjetën të mbjella në
fshatin Ramicë dhe Tërbaç, të cilat ishin të kultivuara nëpër sipërfaqe toke pa
pronarë, anës luginave dhe përrenjve. Policia bëri asgjësimin e tyre me anë të
djegies me zjarr. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e kultivuesve të
tyre.