Shkodër, bllokohet rruga nga rënia e gurit nga Kalaja e Rozafës

566
Një masiv i madh tejet i rrezikshëm është shembur në një prej rrugëve që të çon në kalanë “Rozafa”. Nuk dihet saktësisht ora se kur ai gurë i madh është shembur e po ashtu autoritetet përkatëse pothuajse gjatë gjithë ditës nuk kanë patur asnjë informacion për ngjarjen e ndodhur. Ndryshimet klimatike dhe reshjet e shiut të rëna gjatë natës mendohet të jenë shkaku kryesor që kanë sjellë shembjen e këtij masivi të madh në njërën prej rrugëve që të çon në kalanë “Rozafa”.
Në fakt guri që është shembur në fillim duket sikur është vendosur me dorë aty dhe nuk të jep përshtypjen se ka rënë nga muret e kalasë “Rozafa”. Mjaftojnë vetëm pak çaste për të qëndruar aty dhe fare thjeshtë kupton qartazi se guri i madh që ka zënë rrugën është shkëputur nga pak metra më lart. Një vështrim përreth mureve të Rozafatit të tregon edhe vendin se nga ku është shembur ky gurë. Pjesa nga ku është shkëputur guri i madh është ende lehtësisht e dallueshme me sy të lirë. Lartësia nga ku ka rënë nuk është më shumë se afro 10 metër. Ende nuk është shumë e qartë nëse ky masiv është shembur gjatë orëve të natës apo në orët e ditës së sotme. Këtë nuk e kanë të qartë as vetë banorët dhe shitësit përgjatë rrugës së kalasë.
Ajo që të bën përshtypje është se ende asnjë prej autoriteteve duket se nuk ka informacion. Madje nuk ka marrë asnjë masë e nuk kanë reaguar qoftë për të parë mbi shkaqet e shembjes e po ashtu edhe për të spostuar gurin që ka zënë rrugën. Dita e hënë, duke qenë se është edhe fillimi i javës dhe ka një fluks të madh vizitorësh, ka qenë tmerr për mjetet motorike që kanë kaluar aty. Normalisht policia mund ta kishte bllokuar atë anë të rrugës deri në heqjen e masivit por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Madje makinat me shumë vështirësi janë detyruar të përshkohen aty duke qenë se kthimi pas për të kaluar nga rruga tjetër që të çon në kala rezultonte një stres më vete për shkak të trafikut të madh në hyrje të qytetit.
Shembja e atij masivi krejt papritur dhe me një rrezikshmëri shumë të madhe është një sinjal i qartë qoftë për institucionet por edhe për studiesit apo këdo tjerë se mbase ka ardhur kohë për një analizë të hollësishme të krejt mureve të kalasë “Rozafa”. Një studim i tillë mund të sillte edhe pjesët më problematike si dhe mund të bënte që të merreshin masat e duhura për të shmangur shembje të tilla të një rrezikshmërie të lartë. Banorët e zonës kanë tentuar që në mënyrë primitive ta largojnë gurin e madh por si shkak i peshës shumë të madhe ka qenë e pamundur një gjë e tillë.
Jashtë kamerave banorët rrëfejnë se edhe më parë ka patur raste të tilla por gurët kanë qenë më të vegjël dhe kësaj here janë frikësuar më shumë se kurrë për shkak të madhësisë.
Banorët janë më të rrezikuar se askush duke qenë se kalojnë aty shpesh herë gjatë ditës por edhe në orët e natës çka i tremb për të ardhmen. Në fakt Kësaj here shembja e gurit nuk krijoi asnjë incident përse i përket dëmve në njerëz por nëse vazhdohet me indiferentizëm të tillë në rastin e dytë nuk përjashtohet mundësia të kemi edhe ndonjë aksident tragjik. 
Sigal