Shkencëtarët europianë në mbrojtje të lumit Vjosa

564
Një grup prej 30 shkencëtarësh nga 4 shtete bënë studime në prill të këtij viti mbi lumin Vjosa në zonën e hidrocentralit të Poçemit.
Ata zbuluan në atë zonë 300 lloje gjallesash, mes të cilave edhe 2 lloje të panjohura gjallesash, një lloj të ri peshku dhe një insekt të vecantë, të cilit i vunë emrin e lumit Isoperla vjosae.
Shkencëtarët e huaj gjetën për herë të parë aty edhe 40 lloje të tjera speciesh të pandeshura më herët në Shqipëri.
“Ne shkruam një memorandum dhe kërkuam një moratorium për të ndaluar planet për ndërtime digash mbi lumin Vjosa për të paktën 3 vjet, derisa të bëhet një studim i detajuar gjeologjik të shtratit dhe rrjedhës së këtij lumi si dhe biodiversitetit të tij. Ky memorandum u nënshkrua nga disa qindra ekspertë ndërkombëtarë, studiuesit më të rëndësishëm e më të njohur të ekologjisë dhe lumenjve kudo në botë. Vlerësimi mjedisor është bërë në një mënyrë shumë të gabuar, sepse nuk tregon dëmet e vërteta që do të shkakthen nga ndërtimi i këtyre digave në Pocem dhe Kalivac” – thotë prof. Fritz Shiemer nga Universiteti i Vjenës dhe koordinator i studimeve në Vjosë.
Ekipi ndërkombëtar i shkencëtarëve theksoi se Vjosa është një lumë me rëndësi mbarë europiane për sa i përket biodiversitetit.
Ajo përbën habitat për shumë lloje kafshësh dhe bimësh, të cilat janë shumë të rralla ose janë zhdukur plotësisht në lumenjtë e tjerë të Europës.
“Nëse ju ngrini diga në këtë lumë me sasi të mëdha sedimentesh, ato do të mbushen me zhavor brenda një kohe të shkurtër. Këto diga duhet të ndalohen derisa të bëhet një studim i plotë, sepse ne kemi zbuluar që inertet që sjell lumi, mund ta mbushin digën e Poçemit brenda 20-30 vitesh” – tha dr. Christoph Hauer nga Universiteti i Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës (BOKU) në Vjenë.
Ai shtoi se brenda një kohe të shkurtër të gjithë do të dalin të humbur nga ndërtimi i hidrocentralit të Poçemit: speciet do të zhduken, prodhimi i energjisë do të ulet, sepse brenda dy dekdash rezervuari do mbushet me zhavor e rërë.
Nëse hidrocentralet mbi Vjosë, i Poçemit dhe i Kalivaçit, do të ndërtohen siç janë planifikuar, shumë prej këtyre gjallesave do të zhduken si pasojë e ndryshimit radikal të kushteve biologjike.
Aktualisht, ai i Poçemit është bllokuar nga gjykata pas ankesës së banorëve dhe ai Kalivacit është ndaluar prej largimit të një investuesi aty. Megjithatë rreziku mbi Vjosën vazhdon të mbetet i lartë për shkak të një duzinë lejesh ndërtimi që janë dhënë në pothuaj gjithë shtratin dhe degëzimet e tij.
Studiuesit mendojnë se nevojitet një program gjithëpërfshirës kërkimesh shkencore, para se të merren vendimet për dhënien e lejeve për ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë.
Sipas tyre, Një park kombëtar do të ishte aty shumë më i vlefshëm se sa një hidrocentral, që mund të shkatërronte gjithçka.
Gjykata Administrative vendosi ndalimin e punimeve për hidrocentralin e Poçemit mbi Lumin Vjosë pas kërkesës së një komuniteti banorësh të zonës së Mallkastrës, në jug të Shqipërisë dhe aktivizimit të disa organizatave mjedisore vendase dhe të huaja.
Sipas gjykatës ndërtimi i Hidrocentralit të Poçemit ndikon negativisht në mjedisin dhe jetën e banorëve të fshatit Kutë dhe zonës përreth dhe zbatimi i projektit nuk duhet të bëhet.
Gjatë hetimit gjyqësor është vërejtur se nuk është respektuar praktika ligjore mbi Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis të projektit dhe përjashtimi i publikut nga proceset e detyrueshme ligjore të këshillimit dhe diskutimit të projektit.
Qeveria mori korrikun e vitit 2015 një vendim mbi Hidrocentralin e Poçemit për të pranuar një koncesion 35-vjeçar të pakërkuar nga një kompani turke, duke i akorduar asaj 8 pikë bonus në tenderin që u zhvillua më vonë.
Hidrocentrali i Poçemit është pjesë e një programi teknik që synonte të shfrytëzonte kaskadën e lumit Vjosa për prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri.
Kaskada e Vjosës sipas projektit të hartuar para viteve nëntëdhjetë lejonte ndërtimin e nëntë hidrocentraleve nga kufiri 350 metra mbi nivelin e detit ku Vjosa hyn në territorin e Shqipërisë deri në kuotën 9 metra mbi det pranë Selenicës në rajonin e Vlorës.
Një tjetër Hidrocentral mbi Lumin Vjosë, ai i Kalivacit në rrethin e Tepelenës është braktisur nga punimet ndërtuese pas problemeve të Kompanisë që kishte fituar koncesionin.
Grupimi joqeveritar i disa organizatave mjedisore në Shqipëri “Të mbrojmë lumenjtë” kërkoi miratimin e një Moratoriumi 3 vjeçar të zhvillimit dhe zbatimit të projekteve të Hidrocentraleve në të gjithë territorin e vendit.
Grupimi vëren se “përgjatë viteve 2002-2016 janë identifikuar 183 marrëveshje koncesionare të firmosura nga qeveritë shqiptare për ndërtimin e 524 hidrocentraleve.
Sipas Grupimit “Të mbrojmë lumenjtë” rreth 117 Hidrocentrale janë në punë të licencuar nga ERE, 43 të tjera janë në ndërtim dhe 364 Hidrocentrale janë të planifikuara nga Ministria e Energjisë, por nuk kanë filluar akoma të ndërtohen.
Krahas rrezikut për të dëmtuar mjedisin në mënyrë të pakthyeshme duke shkaktuar prishjen e peizazhit, habitateve dhe biodiversitetit, ndryshimin e regjimit të rrjedhës ujore dhe përmbytje, hidrocentralet në shumicën e tyre ndodhen në zona me ndjeshmëri të lartë mjedisore dhe sociale, në zona të mbrojtura natyrore dhe në toka të banuara.
Ndërtimi i Hidrocentraleve ka shkaktuar debate, kundërshtime, konflikte, protesta dhe padi në lidhje me dëmet.
Reagime të forta ka pasur nga banorët për ndërtimin e Hidrocentralit të Poçemit në Lumin e Vjosës.
Disa HEC-e në Parkun Kombëtar të Lumit të Valbonës dhe Parkun Kombëtar Shebenik – Jabllanicë po ashtu janë kundërshtuar fuqishëm nga komunitetet e banorëve.
Në një studim mbi “Rastet e konflikteve ujore të lidhura me zhvillimin e hidroenergjisë në Shqipëri” të kryer nga disa organizata aktive mjedisore, janë evidentuar të paktën 18 raste konfliktesh të lidhura me hidrocentralet gjatë periudhës 2012-2016.
Në 18 rastet e evidentuara janë raportuar 6 viktima të lidhura ngushtë me projektet e hidrocentraleve (tre viktima nga aksidente në punë, një viktimë nga konflikti i lindur nga ndërtimi HEC-it, një i plagosur dhe 1 tentativë vrasje).
Studimi i Grupimit “Të mbrojmë lumenjtë” vlerëson se “në asnjë nga rastet konfliktuale të identifikuara, palët nuk kanë arritur në marrëveshje zyrtare bashkëpunimi për shkak të protestave apo kundërshtive nga banorët vendas”.
“Transformimi apo përvetësimi i territorit dhe ekosistemit nga përdorues të rinj (shoqëritë koncesionare energjetike) i kanë zhvendosur dhe iu kanë hequr të drejtën tradicionale të përdorimit të ujit dhe kanë kërcënuar shtresa të ndryshme të shoqërisë”, – thuhet në studim.
Sipas studimit “rreth 52% të intervistuarve deklarojnë se komunitetet vendore/fermerët dhe fshatarët janë grupi më i prekur”.
“Në 67% të rasteve, reagimi ka nisur pasi makineritë kishin filluar gërmimet në vend”, vlerëson studimi.
Sigal