Shkelje flagrante e ligjit. Policia e Tiranës ndalon KShH-në të takohet me të ndaluarit

544
Sigal

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), pasi i njoftua dje se ishin arrestuar 5 ish të përndjekur politikë, midis tyre Skënder Tufa dhe Agim Kollçaku. U interesua në Komisariatin e Policisë  nr 3 në Tiranë për verifikimin e këtij rasti, të pajisur me lejen përkatëse nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së shtetit. Fillimisht mori takim me shefin e këtij komisariati, z.Alfred Lumani. Vëzhguesve të KShH-së nuk iu lejua të takoheshin me personat që u pretendua se ishin të shoqëruar, me arsyetimin se ata po pyeteshin nga oficerët e policisë gjyqësore dhe kjo do të pengonte hetimin. Gjithashtu, nuk u lejuan të këqyrnin regjistrin e hyrje-daljeve, për të konstatuar orën dhe arsyen e shoqërimit të personave, të dhëna që duhen dokumentuar në këtë regjistër. Arsyeja pse u penguan ishte për shkak të karakterit konfidencial të këtij regjistri. KShH, konsideron gjithashtu jo të ligjshme dhe jo transparente, qëndrimin e drejtuesit të Komisariatit nr.3 që nuk lejoi grupin e KShH-së të monitoronin rastin dhe as të merrnin takim direkt me personin dhe të këqyrnin dokumentacionin përkatës. Për fat të keq ky është një rast i rrallë që bie ndesh me praktikën shumë vjeçare të konsoliduar të KShH, që gëzon të drejtën për të kryer monitorime në Komisariatet e Policisë, gjë që synon jo vetëm konstatimin e shkeljeve të mundshme por edhe parandalimin e tyre. Kur policia e shtetit sillet kështu, duke shkelur në mënyrë flagrante ligjin, edhe me KShH-në, imagjinoni sa keq trajton qytetarët e tjerë.