Shkelësit e ligjit që diskreditojnë invalidët duhen ndëshkuar

852
Sigal

Nga Xhevahir CIRONGU

Tashmë është bërë i njohur nga të gjithë zbatimi i ligjit për invalidët e të gjithë kategorive që udhëtimi i tyre me autobus brenda qytetit të jetë falas, ndërsa udhëtimi ndërqytetëse me 50 për qind të vlerës. Kjo është e saktësuar edhe në botimin e fletores zyrtare të Republikës së Shqipërisë dt. 24 nëntor 2016, ( Botim i Qendrës së Botimeve Zyrtare). Pas shumë diskutimeve dhe kërkesave të shumta deri në ministrinë përkatëse e qeveri, shoqata e invalidëve të kategorive të ndryshme, sipas llojit të sëmundshmërisë, dhe asaj të invalidëve të punës, u arrit që të gjejë zbatim në praktik ligji 8308 dt. 18. 03. 1998, por edhe udhëzimi i miratuar në fletoren zyrtare nga qeveria “Rama” nr. 5627 dt. 18. 11. 2016. Theksojmë se, udhëzimi i ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës për transportin falas të linjave ma autobus brenda qyteteve ( për gjithë kategoritë e invalidëve) , ky ligj ka gjetur zbatim konkret, jo vetëm kaq por udhëtarët invalidë nderohen e respektohen nga personeli i shërbimit urban. Ne kemi vëzhguar linjat urbane në qytetit Durrës e Tiranë, dhe është për t’u përshëndetur agjencia e udhëtarëve, sepse ka gjetur zbatim, ligji dhe udhëzimi përkatës në shërbim qytetarit invalid. E sollëm këtë shembull, për të treguar se, aty ku zbatohet ligji qytetari ndihet më komod, por edhe ndërgjegjësohet tërë shoqëria. Pra, i ndërpritet rruga keqbërësve, e duke zbatuar ligjin e shtetit i themi: “Këtu ndalu beg, se ka hendek!”. Por, ky ligj i qeverisë dhe udhëzimi i ministrisë përkatëse s’po gjen zbatim të plot nga disa pronarë apo individë autobusësh të linjave ndër qytetase. Këta “pronarë” apo individë të veçantë të pandërgjegjshëm dhe abuzues ndaj ligjeve të shtetit, duhen ndëshkuar nga ligji, organi përkatës, por edhe nga tërë shoqëria. Të abuzosh ndaj invalidëve, të kësaj shtrese fatkeqe të shoqërisë, duke i trajtuar me një sjellje arrogante, deri në fyerje (morale e financiare), i ke vrarë për së dyti herë, i ke diskretituar me këtë mënyrë e vrarë moralisht e shpirtërisht! Njerëz të tillë janë të pashpirt, ata jo vetëm s’duan ta dinë për këtë shtresë të shumëvuajtur të shoqërisë, por arrijnë deri aty sa të ngrenë dorën “vrastare” edhe ndaj ligjeve të shtetit, si rrjedhojë duke iu futur “dorën” edhe në xhepin e tyre financiarisht. Në fletoren zyrtare drejtuar shoqërive urbane por edhe shoqatave të ndryshme deri tek shoqata e invalidëve të punës, kërkon në udhëzimin e saj që të zbatohet me përpikëri ligji nga këto të fundit, ndryshe ato do ndëshkohen. Ne u interesuam pranë Shoqatës së invalidëve të punës dega Durrës, për mbarëvajtjen e zbatimin e këtij udhëzues të qeverisë “Rama”. Shkak u bënë denoncimet nga vetë invalidët në përgjithësi e, në veçanti, invalidët e punës që kanë depozituar biletat e autobusëve të linjave të ndryshme, ku këta të fundit kanë paguar biletën e udhëtimit 100 për qind, sepse dëshmia invaliditetit të paraqitur prej tyre nuk është marrë parasysh nga fatorino dhe pronarët e autobusëve. Si rrjedhojë e kësaj, invalidë të ndryshëm shprehen, se edhe janë kërcënuar me zbritjen nga autobusi apo edhe ofenduar me fjalë fyese. Kjo sjellje nuk i përket shërbimit të kulturuar ndaj qytetarit e njerëzve, por me të rëndojnë me dashje e pa dashje xhepin e qytetarit (në rastin konkret invalidin), udhëtarin por diskreditojnë e shkelin në mënyrë flagrante ligjin e udhëzimet e tij. Në shoqatën e invalidëve të punës, dega Durrës, nga janari – maj 2018, ishin 27 denoncime të tilla nga invalidët që u ishin shkelur të drejtat ligjore për udhëtime me vlerën 50 për qindëshit të pagesës së biletës. Më konkretisht në linjat; Tiranë- Durrës, Durrës- Fier, Kamzë – Durrës, Durrës – Golem etj. I sollëm këta shembuj për të treguar, se akoma s’po gjen zbatim ligji e udhëzimi i qeverisë, tashmë i shpallur edhe zyrtarisht edhe në fletoren zyrtare. Vetë shteti dhe organet përkatëse, duhet t’i ndëshkojë këta të fundit që nuk respektojnë të drejtat e qytetarëve, por edhe shkelin ligjet e shtetit, me pretendimin absurd “ne jemi privat, s’pyesim shtetin”. Mendojmë se në çdo autobus udhëtarësh duhet të ketë të afishuar ligjin përkatës, që ligj-shkelësi të mos ketë mundësi për abuzime apo përdorimin e shprehjeve banale ndaj qytetarit në përgjithësi, e në veçanti ndaj invalidëve të çdo kategorie. Kjo do i ndërgjegjësonte abuzuesit e ligjit, por edhe shoqërinë në përgjithësi në respektimin e ligjit e të invalidëve!

Duke iu referuar edhe fletores zyrtare, ne shkëputëm këtë paragraf të tij: “Mbajtësi i licencës mban përgjegjësi për zbatimin e ligjeve nr. 7889/94, të ndryshuar, nr. 7663/93; nr. 8626/00, të ndryshuar në të cilat përcaktohet:

 “Invalidët e punës, invalidët e Luftës, invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të cilët nga organizatat përkatëse janë pajisur me dëshmi, kanë të drejtë të udhëtojnë me 50 për qind të vlerës së biletës”….Pra, ligji e thotë qartë, shkelësit duhen ndëshkuar, sepse siç thotë e cituar në fletoren zyrtare, ka masa administrative, plotësuese e pezullimit të licencës nga 6 deri në 12 muaj. Invalidët kërkojnë zbatimin e ligjeve, jo të diskreditohen deri aty duke u marrë edhe qindarkën e fundit nga xhepi nga njerëz të papërgjegjshëm e shkelës të ligjit.

                    Durrës, 02 qershor 2018.