Shkatërrohet monumenti i kampit të përqendrimit në Porto-Romano

802
Sigal

DURRËS/ Monumenti ka qenë ngritur në fillim të viteve ‘80 të shekullit të kaluar në përvjetorin e 40 të çlirimit të vendit

Një muaj para se të përkujtohet rënia e dëshmorëve të parë në betejën e 7 prillit kur vendi ynë u pushtua ushtarakisht nga Italia Fashiste, dëmtohet memoriali i ngritur për përkujtimin e luftëtarëve antifashistë të arrestuar dhe të ekzekutuar në kampin e Përqendrimit të Porto Romanos. Fotot që po sjellim i përkasin ditës së mërkurë dhe në to pasqyrohet qartë heqja e pllakës me shkronja të bronzta në nderim të atyre që vuajtën dhe që dhanë jetën në kampet famëkeqe të fashizmit. Lapidarit në formë obelisku i janë çarë pllakat e mermerta në pjesën e sipërme të tij. Ndërsa në anën tjetër, që është edhe pjesa ballore e fasadës së lapidarit  duken lirshëm pjesët e bulonave të inkastuar në beton, të cilat mbanin pllakën me mbishkrimin:  “Luftëtarëve trima nga Shqipëria dhe nga vende të tjera të Ballkanit, që nën udhëheqjen e patriotëve 1942-‘43, organizuan qëndresën antifashiste në kampin e përqendrimit 402/0″. Ky mbishkrim i gdhendur në një pllakë bronzi tashmë nuk ekziston pasi ai është vjedhur dhe shitur me kohë për skrap. Ky kamp përqendrimi ka qenë një objekt, ku kanë kaluar vitet e tyre shumë luftëtarë për liri, të burgosur nga shumë vende edhe të Ballkanit dhe për këtë fakt ai është njohur edhe si kamp ballkanik vuajtjeje në atë periudhë.

Kampi i mbijetesës

Kamp i Porto-Romanos është cilësuar nga veteranët dhe historianët si kampi i mbijetesës. Monumenti ka qenë ngritur në fillim të viteve ‘80 të shekullit të kaluar në përvjetorin e 40 të çlirimit të vendit dhe zë edhe sot një vend nderi në historinë e luftërave të kombit tonë, për arsye se në të janë burgosur dhe ekzekutuar luftëtarë antifashistë të orëve të para nga Shqipëria, Kosova dhe viset e tjera shqiptare jashtë kufijve tanë shtetërorë. Tashti pas kaq vitesh monumenti ka mbetur i rrethuar me plehra dhe në sfond duken si pjesë integrale e tija fortinot e mitralozave të rojeve fashiste të kampit, të cilët me gjithë rrënimin që kanë pësuar tashëm duken si një vepër artistike e llojit të instalacionit. Fortinot dhe një pjesë e reparteve të dikurshme kanë mbijetuar pasi janë përdorur në vitet e pas çlirimit si reparte ushtarake të llojeve të ndryshme të armëve, deri në repart i marinës, në të cilën kanë qenë bazuar depo minash detare dhe të siluruarve etj.. Rrethimi i monumentit në hyrje të ish-kampit të përqendrimit tashmë është i dëmtuar. Mbi telat e tij shihen deri rrjeta të grisura të peshkimit dhe me tej grumbuj dherash të hedhura pa kujdes nga shoferë të ndryshëm. Duket se monumenti po jeton ditët e tija të vështira. Larg kujdesit dhe vëmendjes së brezave.

Dëmtohet monumenti i dëshmorit Kozma Nushi

Të njëjtën gjë mund të vësh re edhe në një zonë tjetër nga ajo e Porto-Romanos. Para disa kohësh është dëmtuar rëndë monument i dëshmorit dhe “Heroit të Popullit”, Kozma Nushi, person i parë nga Shqipëria, sipas Anastas Kondos, që është djegur në krematoriumet naziste. Bust i tij ka qenë i vendosur në oborrin e Ndërmarrjes së Gomes në Shkozet, ish- rajoni industrial i qytetit të Durrësit. Tashmë atij i është dëmtuar tërësisht monumenti, i cili ka qenë një vepër dinjitoze e skulptorit durrsak Idriz Balani. Në muajin mars të këtij viti Kozma Nushi ka pasur edhe  68 -vjetorin e vdekjes në kampet naziste të Mat’hauzenit. Kozma Nushi është lindur në fshatin Vuno më 1909-n, emigroi që fëmijë në Francë, ku punoi në Lion. Më 1940 u kthye në atdhe, ku u përfshi në lëvizjen antifashiste dhe ishte një nga luftëtarët më të ethshëm për lirinë e vendit tonë. Për shkak të aktivitetit të tij patriotik dhe luftës së tij për liri kundër okupatorëve u arrestua në vitin 1944 nga pushtuesit gjermanë. Kozma Nushi u internua në kampin e Mat’hauzenit, ku edhe u dogj i gjallë.