Shkatërrohet banda shqiptare e trafikut të kokainës nga Holanda në Itali

643
Sigal

Policia italiane e Vareses ka shkatërruar një bandë të trafikut të drogës. Për pasojë, në pranga kanë rënë 7 shqiptarë dhe 1 italian. Ata merreshin kryesisht me trafikimin e kokainës.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat vendase. Në sajë të hetimeve të quajtura “Belleza”, agjentët kanë zbatuar urdhrin e prokurorisë së Milanos dhe kanë arrestuar 8 persona, 7 shqiptarë dhe një italian. Identiteti i tyre nuk bëhet i ditur. Megjithatë raportohet se të gjithë këta shtetas ishin rezidentë në Vareze.

Në një operacion të mëparshëm ishin arrestuar 7 persona të tjerë. Gjithashtu ishte sekuestruar mbi 43 kilogramë kokainë, 234 mijë euro dhe 3 makina që ishin përdorur nga korrierët për transportin e sasive të drogës në rajonin e Lombardisë. Mediat shkruajnë se hetuesit kanë bërë të mundur zbulimin e aktivitetit të tyre kriminal falë përgjimeve telefonike dhe ambientalë.

Hetuesit njoftojnë se sasitë e kokainës trafikoheshin nga Holanda për në Itali. Nga të gjithë të arrestuarit, një shqiptar i papunë ka tërhequr vëmendjen e hetuesve. Ai merrej me llogaritë me furnizuesit e kokainës, blerjen dhe transportin e drogës deri në Itali përmes autoveturave të modifikuara. Pasi hynte në territorin Italian, kokaina magazinohej në Vareze dhe më pas shitej me doza të vogla në Lombardi. Ndërkohë, gjykata ka vendosur masën e paraburgimit për të gjithë të arrestuarit.