Shkatërrohet banda e shqiptarëve që trafikonte drogë nga Vlora në Itali

513
Sigal

Antimafia italiane së bashku me Policinë e Firences ka ekzekutuar mëngjesin e ditës së premte  një operacion antidrogë që ka çuar në shkatërrimin e një grupi kriminal që trafikonte lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Italisë. Prokuroria italiane ka arrestuar pesë persona; katër shqiptarë dhe një italian në territoret e Vlorës, dhe në Itali përkatësisht në Siena, Brindizi dhe Firenze. Sipas raportimeve të mediave italiane, personi i arrestuar në Shqipëri ishte edhe kreu i organizatës kriminale të trafikut të drogës. Mediat italiane kanë bërë të ditur identitetin e tij. Ai është Flodian Serjani një trafikant droge me lidhje të forta në Toskana dhe që udhëtonte shpesh mes Shqipërisë dhe krahinës së Brindisit për të organizuar mbërritjen e ngarkesave. Personat e tjerë të përfshirë në këtë grup kriminal ishin edhe 3 shqiptarë të tjerë, Armand Lushaj, Indrit Hamzaj dhe Julian Alliaj të cilët plotësonin dhe grupin e trafikut të drogës me bazë në Toskanë. Ata shisnin marijuanë në komunat fiorentine Arrezo dhe Senesi.  Hetimet kanë zbardhur se trafikantët shqiptarë transportonin drogë të tipit marijuanë me gomone nga Shqipëria drejt Italisë. Gjatë fazës investigative të operacionit janë sekuestruar rreth gjysmë tonë marijuanë. Ndërkohë nga 5 të arrestuarit, 3 janë lënë në burg, kurse për dy është dhënë masa “arrest shtëpie”. Substanca narkotike u soll nga Shqipëria në brigjet e Brindisit me përdorimin e anijeve, të cilat zbarkuan në zona të izoluara bregdetare. Këtu gjetën mbështetjen logjistike të atyre që janë prekur nga krimi i organizuar në Puglia, përfshirë Saverio Palma, i cili u arrestua ditën e djeshme. Droga, nëpërmjet korrierëve, transportohej më pas në vende të ndryshme të tregut në Itali. Vendet ku transportohej lënda narkotike janë Roma, Napoli, Milano dhe Firenze.  Pikërisht në Toskanë, ku organizata kishte një bazë. Mediat italiane shkruajnë se sipas hetimeve po ky grup ka pasur gisht në dy ngarkesa të kapura në 2018 të disa sasive të konsiderueshme kanabisi. Ndaj këtij operacioni ka komentuar dhe ministri i brendshëm italian Matteo Salvini: “U shkatërrua në Firenze një bandë italo-shqiptare që trafikonte drogë; falë punës së policisë dhe autoriteteve. Asnjë tolerancë ndaj kriminelëve, luftë të ashpër kundër shitësve të vdekjes, mbështetje maksimale ndaj forcave tona të policisë.”