Shkatërrohet banda e shqiptarëve dhe ekuadorianëve, 102 vjedhje në Spanjë

571
Sigal

Policia spanjolle ka shkatërruar një grup kriminal që është përgjegjës për 102 grabitje të kryera në provincën e Girona. Mediat e huaja raportojnë se janë 6 persona të arrestuar, shqiptarë dhe ekuadorianë. Banda e tyre ka grabitur shtëpi, ku kanë marrë para, bizhuteri dhe pajisje elektronike.

Hetimi ndaj tyre nisi në Korrik të vitit 2017, kur policia zbuloi se disa grabitje ishin kryer me të njëjtën skemë. U zbulua se bëhej fjalë për një bandë kriminale që ishte aktive në atë zonë. Anëtarët e kësaj organizate përdornin automjete të ndryshme gjatë grabitjeve. Vjedhjet e banesave kryheshin zakonisht gjatë orëve të pasdites kur nuk kishte asnjë njeri në shtëpi. Ata ndaheshin në grupe prej 3 vetash.

Njëri priste tek makina, kurse dy të tjerë hynin në banesë. Anëtarët e organizatës kriminale u arrestuan para disa ditësh. Më 27 Qershor, Gjykata la në burg gjashtë të ndaluarit, kurse dy të tjerë që ishin arrestuar gjatë aksionit, u lanë të lirë. Policia sekuestroi gjithashtu bizhuteri të vjedhura, karta SIM, celularë, pajisje elektronike, mjete dhe veshje që përdoreshin nga anëtarët e bandës.