Shkatërrimi i Tiranës, më i rëndë se edhe i pushtuesve

122
Më 22 apo 23 korrik 2015 u bë ndërhyrja nga IKMT për ndalimin dhe prishjen e njërit nga ndërtimet pa leje në zonën arkeologjike të Kalasë së Tiranës apo lulishtja e Pallatit të Pionerëve siç quhej më parë. Por ashtu si u favorizua për më shumë se një muaj e gjysmë duke e lënë të realizohej ndërtimi pa leje ashtu u bë edhe kur u prish. Janë prishur vetëm muret e tullës, ndërsa betoni dhe hekuri i derdhur që kushtojnë më shtrenjtë dhe duan më shumë kohë për t’u bërë janë aty të paprekur, në pritje që të ndërtohen përsëri muret e tullës. Kjo është një taktikë dhe praktikë e vjetër korruptive e INUV dhe INUK duke prishur pjesërisht, pa shumë dëme, në mënyrë që të lejojnë pronarin e ndërtimit të paligjshëm të marrë ndonjë leje legalizimi apo ndonjë leje ndërtimi më vonë. Në bazë të ligjit duhet të ishte kthyer në gjendjen e mëparshme lulishte me dhe dhe bar dhe shpenzimet t’i ishin ngarkuar kundravajtësit. Por tani ajo është një e ashtuquajtur lulishte sa për të thënë me zall e çakull, e gatshme për të vënë lokalet tavolina e karrige dhe jo për t’u shfrytëzuar dhe shijuar nga qytetarët. Pra vazhdojnë të jenë ndërtimet pa leje në oborrin e ish-pallatit të Pionerëve dhe pranë Kalasë së Tiranës, monument kulture i kategorisë së parë që me siguri ka edhe një zonë të mbrojtur në bazë të ligjit për trashëgiminë kulturore, të përcaktuar apo të papërcaktuar akoma. Vetëm mbasi të caktohet ajo zonë e mbrojtur mund të ndërtohet me leje apo pa leje pranë atij objekti. 

Po kështu edhe ish- pallati i Pionerëve është Monument Kulture. Ka edhe një vendim nr. 1197, datë 3.12.2009, të Këshillit të Ministrave për shpalljen e Kalasë së Tiranës “Zonë arkeologjike e kategorise A” dhe një hartë që dmth afër këtij objekti nuk mund të ndërtohet në bazë të ligjit për trashëgiminë kulturore dhe lejet jepen vetëm nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë dhe Këshilli kombëtar i Restaurimeve. Po zhduket edhe metri katror i fundit gjelbërim këtu. Mirëpo ndoshta sipas Artan Shkreli ky ndërtim pa leje dhe zhdukje gjelbërimi janë rivitalizim i monumentit të kulturës, ashtu siç mund të jenë ndoshta sipas tij edhe hotel Kalaja, Mumja një katëshe e Folia dy katëshe. Konceptet në Shqipëri kanë përparuar dhe flututojnë dhe mbysin me re e shi edhe kuadrin ligjor për monumetet e kulturës. Çdo gjë është e mundur në një vend ku e vetmja gjë që funksionon është korrupsioni.