Shkatërrimi i 28 shtëpive drejtohet  ngas “sekseri “ i zëvëndëskryeministrit Niko Peleshi

547
Sigal

Banorët e rrugën “Gjon Buzuku”: banesat tona po i shkatërron fondamentalizmi ortodoks i  Niko Peleshit dhe i Sotiraq Filos

Investigimet tona do t’ia raportojmë Presidentit të Republikës, Bujar Nishanit

 KORÇË- 28 familjeve që jetojnë në lagjen nr 5, në një nga lagjet më të vjetra të qytetit të Korçës, (lagje me shumicë myslimane), e cila shtrihet përgjatë rrugës “Gjon Buzuku” do t’u prishen banesat, lokalet, njësitë tregtare apo dhe çdo investim tjetër i tyre që gjendet në këtë rrugë. Prishja e tyre u bë e ditur disa muaj më parë nga vetë bashkia e qytetit të Korçës. Tashmë, pas disa muajsh investigimi nga ana e vetë banorëve që do të mbeten pa shtëpi, është arritur në përfundimin se banesat dhe çdo investim tjetër i tyre do të prishet për shkak të fondamentalizmit ortodoks të kryetarit të Bashkisë Sotiraq Filo dhe të zëvëndëskryeministrit Niko Peleshi dhe jo për ndonjë arsye tjetër që do të shkonte në të mirë të qytetit. Fal investigimeve që ka bërë secila prej 28 familjeve të përmendura më sipër, (kush më shumë dhe kush më pak), kanë arritur të zbulojnë se procesi i shkatërrimit të lagjes së vjetër në rrugën “Gjon Buzuku”, udhëhiqet nga sekseri i Niko Peleshit, ose më saktë nga një person që njihet si biznesmen në qytetin e Korçës. Për momentin, kryefamiljarët e 28 shtëpive, dëshirojnë që emrin e tj të mos e bëjnë të njohur publikisht, pasi kanë vendosur që gjithçka t’ia bëjnë të ditur Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, të cilit do t’i kërkojnë që Prokuroria të nis hetimet për të gjitha çështjet që është investiguar nga ana e tyre, sepse tashmë këto 28 familje nuk po dëgjohen më nga askush. Veç sa më sipër, banorët e rrugës “Gjon Buzuku” pretendojnë se kanë arritur të sigurojnë në fshehtësi edhe regjistrime audio, që tregojnë qartë se prishja e 28 shtëpive do të bëhet me qëllim krijimin e mundësive për ngritjen e ndërtesave deri në tetë kate, gjë nuk do të mbetet pa u vënë në zbatim në muajt që do të vijnë më pas. Kjo është një nga arsyet pse familjet e përmendura më sipër po e denoncojnë që tani. Megjithatë, për këto familje një nga arsyet më themelore të shkatërrimit të shtëpive të tyre, mbetet fondamentalizmi ortodoks i dyshes Filo-Peleshi, gjë që nëse vazhdohet me këtë frymë do të jete me pasoja të rënda për qytetin e Korçës. Gjthsesi, për të mësuar më shumë mbi këto akuza të ngritura nga ana e 28 familjeve, të cilat do t’i bëhen të ditura edhe Presidentit të Republikës, gazetës “Telegraf” iu bë e njohur përmbajtja e letrës dhe çështjet që trajtohen në të, nga  njëri prej kryefamiljarëve të 28 familjeve, dhe konkretisht nga z. Agim Tefiku, me të cilin patëm këtë bashkëbisedim:

Z. Tefiku , si fillim, a mund të na thoni diçka për veten tuaj?

Po , unë quhem Agim Tefiku, jam i datëlindjes 21.10. 1958, banues i lagjes nr 5 në rrugën “Don Gjon Buzuku”, nr 7. Jam i martuar. Familja ime përbëhet prej meje, gruas, djalit dhe vajzës. Djali është i martuar, ka dy vajza, por edhe pse është familje më vete, jetojmë që të gjithë në të njëjtën shtëpi, e cila ka dy dhoma gjumi, një kuzhinë të përbashkët dhe një dhomë ndenjje (zjarri). Për ndërtimin e kësaj shtëpie na është dashur të investojmë, (të gjithë bashkë), pjesë-pjesë, duke filluar që para vitit 1995, sepse ne nuk kishim të ardhura të mjaftueshme. Banesën tonë e ngritëm mbi themelet e një shtëpie të vjetër, të cilën e kishin patur prindërit e mi, pra mbi pronën tonë. Aktualisht, kati përdhes është njësi tregtare. Deri më sot, nga aktiviteti në fjalë, shteti ka marrë taksën e biznesit të vogël që nga vitit 1993. Mund të them gjithashtu se për këtë ndërtim, (shtëpia është trikatëshe), procesi i legalizimit u krye në vitin 2005, madje një vit më pas, (2006), një komision i ngritur nga ky institucion (ALUZIN-i), kreu matjet dhe të gjitha verifikimet në vend. Nga ana jonë u bë pagesa prej 4.300 lekë dhe gjithçka u konsiderua e përfunduar, por tashmë morëm vesh se ne nuk mund të pajisemi me lejen e legalizimit pasi dhënien e saj e ka bllokuar Bashkia e Korçës. A nuk është kjo një shkelje flagrante e ligjit? A nuk është një nëpërkëmbje që nab ëhet nga ana e Bashkisë.  Të fyer kemi nisur të ndihemi duke filluar që nga muaji tetor i vitit 2014 e deri më sot, si familja ime ashtu edhe 27 familjet e tjera. Po jetojmë në ankth, pasi çdo ditë e më tepër po kuptojmë se prishja e banesave tona është e padrejtë dhe abuzive.

Cilat janë arsyet që ju nxisin të besoni se me prishjen e shtëpive tuaja po abuzohet?

Sepse dihet nga të gjithë që në rrugën “Gjon Buzuku” të lagjes tonë nuk ka ekzistuar kurrë ndonjë projekt për zgjerim rruge. Një projekt i tillë ishte parashikuar për rrugën “6 Dëshmorët”, por gjithçka u ndryshua krejt papritur. Megjithatë, fal investigimeve të kryera nga ana jonë, (nga 28 familjet), bëmë të mundur zbulimin e shkaqeve, pse projekti që do të zbatohej te rruga “6 Dëshmorët” u transferua te “Gjon Buzuku”

Këtë investigim, a mund ta bëni të njohur edhe për gazetën “Telegraf”?

Sigurisht që po. Projekti në fjalë nuk u vu në zbatim te rruga “6 Dëshmorët” sepse në atë rrugë, tre miq të zëvëndëskryeministrit Niko Peleshi kanë shtëpitë e tyre dhe ai nuk ua prishte dot banesat. Veç kësaj, për njërën nga këto shtëpi, e cila është 5-katshe, leja e ndërtimit është dhënë nga vetë Bashkia e Korçës. Megjithatë, mund të themi me siguri të plotë se plani për zgjerimin e rrugës ekzistonte te “6 Dëshmorët”, dhe kjo është kaq e vërtetë sa nuk mund të bëhet dot ndryshe. Ne disponojmë edhe projektin, kemi mundur ta sigurojmë atë. Projekti në fjalë, pas miratimit nga Këshilli i Bashkisë, mori në vitin 2012 edhe miratimin e qeverisë, madje qëndroi në fuqi deri në shtator të vitit 2014. Gjithçka do të përmbysej më pas, shkaqet i renditëm më sipër.

Kur e morët vesh që projekti ishte transferuar në rrugën tuaj, te “Gjon Buzuku”?

Për ne gjithçka nisi të bëhej gjithnjë dhe me qartë që nga tetori i vitit 2014, ose më saktë, që nga dita kur në lagjen tonë pamë të vinte sekseri i zëvëndëskryeministrit z. Peleshi, (emrin e sekserit do t’ia bëjmë të njohur Presidentit të Republikës), ai është një person që njihet si biznesmen në qytetin e Korçës, i cili i bëri të ditur njërit prej banorëve të mëhallës tonë se në këtë lagje do të kryente një investim për rehabilitimin dhe

zgjerimin e rrugës “Gjon Buzuku”. Që nga ky çast e kuptuam se shtëpitë tona “do t’i merrte lumi”. Për këtë arsye nisëm të interesoheshim në Bashki, por askush nuk na jepte përgjigje. Gjithçka mbahej sekret. Me sa dukej ekskluzivitetin e kishte vetem sekseri i Peleshit. Për këtë arsye ishim të detyruar të investigonim për të kuptuar çfarë po ndodhte konkretisht. Ajo që mësuam ishte tronditëse. Punonjësit e Bashkisë kishin nisur të tërhiqnin dosjet tona nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Mbledhjet i organizonin në orët e vona të natës. Mereshin vendime dhe asgjë nuk bëhej publike. Nuk kishim asnjë dyshim: gjithçka që po gatuhej do të ishte në dëmin tone. Madje mund të them se njëri prej 28 familjeve ka edhe nje video të regjistruar ku flitet për ndërtime objektesh të larta.
Nuk kërkuat sqarime të mëtejshme në Bashki?

U ankuam për transferimin e projektit nga rruga “6 Dëshmorët” te rruga “Gjon Buzuku”, por përgjigjja e kryetarit të Bashkisë Sotiraq Filo ishte: “Projekti nuk do të zbatohet te “6 dëshmorët” sepse nëse realizohet atje do të na duhet të prishim shumë banesa, ndaj do ta realizojmë në rrugën “Gjon Buzuku”. Nga sa shihet, prishja e 28 shtëpive në lagjen tonë, Sotiraq Filos i duken pak, ndërsa në lagjen “6 Dëhmorët” vetëm prishja e tri shtëpive të miqve të Peleshit i duken shumë. Por kjo nuk është e vetmja arsye. Prishja e lagjes më të vjetër të myslimanëve, vjen edhe si pasojë e fondamentalizmit ortodoks të kryebashkiakut Sotoraq Filo dhe zëvëndëskryeministrit Niko Peleshi

Më konkretisht, ku e bazoni këtë argument?

Gjithçka është e dukshme. Nëse rrugët do të kishin patur gojë edhe ato sot e gjithë ditën do të ishin duke bërtitur. Kjo zone për 24 vjet me radhë nuk ka parë asnjë investim. Kështu ka ndodhur pothuajse në të gjitha lagjet me shumicë myslimane. Gjithë investimet, për 24 vjet me radhë, janë kryer vetëm në lagjet me shumicë ortodokse, konkretisht në lagjet nr 1, 2, 3, 11 dhe 12. Madje deri më sot nuk dimë që në këto lagje të jetë prishur qoftë edhe një objekt i vetëm. Edhe në bashkinë e Korçës, shumica e të punësuarve i përket besimit ortodoks. Ndaj, edhe për këtë gjë do të kërkojmë të nisë një hetim, pasi sa më shumë të agravojë kjo situatë, aq më problematike do të jetë nesër. Çudia bëhet edhe më e madhe, kur vë re se bashkia po i ngushton të gjitha rrugët e Korçës, ndërsa vetëm në lagjen tonë kërkon të bëjë zgjerim rruge. Por e keqja nuk përfundon këtu. Tashmë po bëhen të gjitha përpjekjet që edhe dëmshpërblimi të jetë sa më i vogël.  Megjithatë këtë çështje, mjaft të mprehtë do ta bëjmë të njohur në vijim, sigurisht  te gazeta “Telegraf”, pasi të 28 familjet rrezikojnë tmbeten mes katër udhëve, pa patur mundësinë e blerjes së një strehë tjetër.

Vepror Hasani