Shkarkohet drejtori i parë i Rilindjes, ish -kandidati për kryetar i PS-së së Vlorës

802
Sigal

Në Vlorë, Drejtori i Spitalit Psikiatrik, Gjergj Harizaj është shkarkuar nga detyra me firmën e ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja. Shkak i shkarkimit kanë qenë rezultatet negative që kanë rezultuar gjatë kontrollit të auditit të ministrisë të ushtruar në këtë institucion. Abuzime financiare dhe shpërdorime të detyrës, mësohet të jenë shkaqet e konstatuara. Harizaj është drejtori i parë që shkarkohet në Vlorë nga drejtuesit e emëruar pas zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013 dhe të fituara nga koalicioni i majtë. Shkarkimi i tij ka qenë i papritur, ndërkohë që, Harizaj ka qenë kandidat për postin e Kryetarit të PS-së, Bashkia Vlorë, përballë  kandidatit tjetër Edi Leka, garë e fituar dy vjet më parë nga ky i fundit. Në vend të drejtorit të shkarkuar është komanduar një mjeke që punon në këtë institucion shëndetësor. Bëhet e ditur se në muajin shtator do të ketë edhe lëvizje të  tjera në radhët e drejtuesve të institucioneve në Vlorë, drejtues të cilët, edhe pse të emëruar pas zgjedhjeve të 23 Qershorit, nuk kanë patur performancë pozitive në drejtimin e institucioneve, duke sjellë pak ndryshime pozitive. Vetë Kryeministri Edi Rama, me cilësinë e deputetit të parë të Vlorës, ka zhvilluar pak ditë më parë një takim me drejtuesit e institucioneve në Vlorë, ku, pasi është informuar për situatën në këtë qytet, nuk ka mbetur aspak i kënaqur.