Shkarkohen 15 punonjës të ZVRPP Tiranë, Muho: Të vendosur për shërbim cilësor!

506
Sigal

Shkarkohen nga detyra 15 punonjës të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë dhe paralajmëron për përjashtim nga puna 25 punonjës të tjerë. Nisur nga ankesat e qytetarëve, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, nisi një kontroll pranë ZVRPP Tiranë në lidhje me pretendimet për zvarritje dhe mosrespektim të afateve ligjore në kthimin e përgjigjeve të aplikimeve nga qytetarët. “Nga ky kontroll i ushtruar rezultoi se për periudhën 03.01.2013-13.10.2013 janë paraqitur një numër i madh aplikimesh në ZVRPP Tiranë, një pjesë e konsiderueshme e të cilave për shkak të zvarritjeve në trajtimin e tyre nuk kanë përfunduar brenda afateve të caktuara në urdhrin nr 1191 datë 05.11.2012 të Kryeregjistruesit, i cili përcakton afatet e trajtimit dhe përpunimit të kërkesave sipas natyrës së tyre, nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.”- thuhet në njoftimin e ZQRPP‏-së.

Gjithashtu mësohet se gjatë kontrollit janë konstatuar raste, kur aplikimet e paraqitura nga qytetarët edhe pse kishin kohë që ishin kryer pranë kësaj zyre, nga specialistët e saj nuk ishin marrë në shqyrtim dhe si pasojë kishin mbetur për një kohë të gjatë pa u trajtuar, duke tejkaluar çdo lloj afati. Sipas ZQRPP‏-së, gjatë këtij kontrolli u konstatuan shkelje të rënda në zbatim të ligjshmërisë në procesin e regjistrimit të titujve të pronësisë. Këto shkelje u konstatuan jo vetëm në regjistrimin e titullit të pronësisë, por edhe në aspektin hartografik, i cili ka të bëjë me pasqyrim e pasurisë në hartat treguese.

Kryeregjistruesi i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Ilirjan Muho thekson vendosmërinë garantimin e një shërbimi të shpejtë dhe cilësor për qytetarët.

“Nisur nga konstatimet e verifikuara në këtë kontroll, Zyra Qendrore do të vazhdojë edhe me kontrolle të tjera duke e thelluar procesin e kontrollit të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Nëpërmjet masave të dhëna synohet të përmirësohet në mënyrë të dukshme cilësia e shërbimit që u ofrohet qytetarëve nga Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, rritjen e shpejtësisë se shërbimeve, duke respektuar me rigorozitet afatet e përcaktuara në ligj dhe aktet nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e kësaj zyre, duke synuar eliminimin përfundimtar të zvarritjeve dhe sorollatjeve të qytetarëve nëpër sportele”, – deklaroi Muho.