Shkarkimet nga puna, si merren paratë kur vendos gjykata

611
Ministri i Financave dhe Ekonomisë nxjerr udhëzimin për mënyrën e ekzekutimit të detyrimeve monetare, që rrjedhin nga vendimet gjyqësore të formës së prerë
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ka firmosur udhëzimin për mënyrën e ekzekutimit të detyrimeve monetare, që rrjedhin nga vendimet gjyqësore të formës së prerë. Vendimi synon të përcaktojë rrugën që do të ndiqet për marrjen e parave nga personat e larguar nga administrata, por që kanë fituar të drejtën në gjykatë. Ndër vite me qindra e mijëra qytetarë, ndonëse kanë fituar gjyqet për shkarkimet nga puna, janë sorollatur për marrjen e parave për shkak të pamundësisë financiare të shtetit apo ministrisë përkatëse. 

Pjesë nga udhëzimi
TË PËRGJITHSHME
1 – Qëllimi i këtij udhëzimi është përcaktimi i mënyrës së ekzekutimit të detyrimeve monetare, që rrjedhin nga vendimet gjyqësore të formës së prerë, për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.
2 – Ekzekutimi i vendimeve gjyqësore, realizohet nga struktura përgjegjëse për financat:
a) Me fondet buxhetore, të akorduara në ligjin vjetor të buxhetit përkatës, për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore;
b) Nga të ardhura të tjera, të siguruara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në bazë të legjislacionit përkatës dhe, të cilat shërbejnë si burime financimi për vetë njësinë. (nëse ka)
3 – Struktura përgjegjëse për financat, çdo vit, parashikon fonde buxhetore të planifikuara për shpenzimet që do të kryejë institucioni, për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë.
4 – Struktura përgjegjëse për financat është përgjegjëse për dokumentimin e të gjitha transaksioneve financiare. Ajo përgjigjet, gjithashtu, për garantimin para miratimit të shkresave/ urdhrave me karakter financiar, lidhur me ligjshmërinë, rregullshmërinë dhe respektimin e parimeve të ekonomicitetit, eficiencës dhe efektivitetit. 5 – Struktura përgjegjëse për financat, me përparësi në vitet e ardhshme, planifikon fondet e nevojshme për shlyerjen e këtyre detyrimeve të mbartura, duke ndjekur procedurat përkatëse të planifikimit të fondeve buxhetore, të përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore përkatëse.
6 – Në shlyerjen e vendimeve gjyqësore nga ana e strukturës përgjegjëse për financat, duhet t’i jepet përparësi shlyerjes së detyrimeve më të hershme.
7 – Nëpunësi autorizues raporton te Titullari i institucionit, në mënyrë periodike, në lidhje me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.

Procedurat e ndjekjes së çështjeve gjyqësore dhe ekzekutimi i vendimeve gjyqësore
1 – Ministria e Financave dhe Ekonomisë merr zyrtarisht njoftimin për çështjen gjyqësore me datën e seancës ose kërkesëpadinë e komunikuar nga Gjykata, me qëllim lënien e afatit për përgatitjen e argumenteve mbrojtëse. Njoftimi, pasi protokollohet në institucion, i kalon Sekretarit të Përgjithshëm. Sekretari i Përgjithshëm bën delegimin e praktikës për trajtim, pranë strukturës përgjegjëse për ndjekjen e proceseve gjyqësore.
2 – Drejtuesi i strukturës përgjegjëse për ndjekjen e proceseve gjyqësore, pasi merr nga Sekretari i Përgjithshëm në dorëzim praktikën, cakton një përfaqësues për të ndjekur çështjen. Për realizimin e mbrojtjes gjyqësore, struktura përgjegjëse kërkon informacion pranë drejtorive të tjera, të cilat kanë marrë pjesë në hartimin e aktit ose në procedurën e kundërshtuar. Në rast se vlerësohet e rëndësishme, struktura përgjegjëse për ndjekjen e çështjeve gjyqësore, i kërkon drejtorisë teknike caktimin e një nëpunësi për të përfaqësuar çështjen në gjykatë së bashku me nëpunësin e strukturës përgjegjëse.
3 – Për vendimet e formës së prerë, struktura përgjegjëse për ndjekjen e proceseve gjyqësore, pas marrjes së kërkesës për ekzekutimin e vendimit gjyqësor, të protokolluar pranë institucionit, bën verifikimin e dokumentacionit shoqërues. Në rast se kërkesa për ekzekutimin e vendimit, e paraqitur vullnetarisht ose nëpërmjet shërbimit përmbarimor nuk shoqërohet nga dokumentacioni i nevojshëm, struktura përgjegjëse për ndjekjen e proceseve gjyqësore i kërkon kreditorit/shërbimit përmbarimor plotësimin e dokumentacionit. Me paraqitjen e kërkesës për ekzekutim nga shërbimi përmbarimor, struktura përgjegjëse për ndjekjen e çështjeve gjyqësore paraqet pranë Gjykatës së Lartë, kërkesa për pezullimin e ekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë, duke njoftuar edhe përmbaruesin gjyqësor.
4 – Në çdo rast, vendimi i formës së prerë dhe dokumentacioni shoqërues i përcillet strukturës përgjegjëse për financën.
5 – Në rastin kur struktura përgjegjëse për financat do të bëjë ekzekutimin e vendimit gjyqësor të formës së prerë, nga ana e kreditorit/përmbaruesit gjyqësor duhet të jetë depozituar:
a) Dokumenti që vërteton njoftimin e njësisë shpenzuese debitore për ekzekutimin vullnetar dhe/ose të detyruar të detyrimit dhe marrjen dijeni nga ana e tij;
b) Vendimi gjyqësor, i cili, në kuptim të nenit 510 të Kodit të Procedurës Civile, konsiderohet si titull ekzekutiv, sipas rastit, origjinal apo i noterizuar ose i vërtetuar “njësia me origjinalin”.
6 – Kërkesa për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, për çështje të pronës publike dhe dëmshpërblimet për ish-të përndjekurit politik, pasi plotësohet dokumentacioni si më lart, u përcillet edhe strukturave përgjegjëse.
7 – Në rast se, kërkesa për ekzekutim lidhet me një vendim gjyqësor, që parashikon detyrimin e institucionit të rikthejë në punë një ish-punonjës, pjesë të shërbimit civil, dokumentacioni i plotë i përcillet edhe strukturës përgjegjëse për menaxhimin e burimeve njerëzore. Kjo e fundit, me marrjen dijeni të kërkesës, njofton Sekretarin e Përgjithshëm dhe merr masat për caktimin e mbledhjes së Komisionit të Posaçëm për Shqyrtimin e Vendimeve Gjyqësore të Formës së Prerë, me qëllim shqyrtimin e kërkesës për ekzekutim.
8 – Struktura përgjegjëse për financat, pas marrjes së dokumentacionit, verifikimit të fondeve buxhetore dhe radhës së pagesës, sipas databazës të përcjellë nga struktura përgjegjëse për ndjekjen e çështjeve gjyqësore, i paraqet nëpunësit autorizues propozim për miratimin e kërkesës për ekzekutimin e vendimit gjyqësor të formës së prerë. Praktika, në çdo rast shoqërohet me aktin financiar.
9 – Në rastet kur, struktura përgjegjëse për financat, me fondet buxhetore, që ka në dispozicion, nuk është në gjendje të shlyejë detyrimin e plotë sipas vendimit gjyqësor, ajo bën me dije nëpunësin autorizues. Në informacionin që paraqet, struktura përgjegjëse për financat i parashtron nëpunësit autorizues mundësitë për ekzekutim, për sa i takon vlerës dhe periodicitetit të pagesave. Me miratimin e nëpunësit autorizues, struktura përgjegjëse për ndjekjen e proceseve gjyqësore, në bazë të nenit 517 të Kodit të Procedurës Civile, i drejtohet gjykatës me kërkesë, për shlyerjen pjesore të detyrimit me fondet e vitit/viteve në vijim, duke bërë edhe njoftimin përkatës, pranë përmbaruesit gjyqësor.
Sigal