Shkarkimet në Postën e Elbasanit, bumerang në zgjedhjet lokale

512
Ka kohë që shërbimi postar në Elbasan ka marrë “grushte” të fuqishme, duke u klasifikuar si larg standardeve të kërkuara. Dhe kjo ka ndodhur jo vetëm me gjoja reformat e diktuara, por edhe me zbulimin dhe arrestimin e mjaft personave që kanë abuzuar me lekët e qytetarëve, energjinë elektrike, pensioneve dhe pagesave të invalidëve. Ajo që po ndodh në filialin e Postës së Elbasanit, nuk ka gjasa të ndodhë në asnjë ndërmarrje shtetërore, duke pasur parasysh mungesën e transparencës, profesionalizmit, zbatimin e etikës ligjeve dhe Kodit të Punës. Vetëm në harkun kohor të një viti nga filiali i Postës së Elbasanit janë larguar plot 160 persona, sportelistë dhe zyrtarë, në qendër dhe në bazë, madje nuk janë kursyer as shoferët dhe postierët. Vetëm javën që shkoi drejtoria e Postës Elbasan u dha zarfin e largimit 13 punonjësve të tjerë, duke i flakur ata në rrugë sikur të mos kishin qenë atje prej vitesh duke i zëvendësuar me njerëz që kanë një të kaluar të dyshimtë apo ofrojnë përfitime për titullarët e këtij institucioni. “Reforma” e nisur prej një viti ka prekur të majtë e të djathtë, madje të majtët dhe kryesisht ata të PS, më shumë. Kjo padyshim lidhet me luftën e pashfaqur mes dy degëve lokale PS-LSI. Filiali i Postës së Elbasanit prej një viti pothuajse është futur në një rrugë regresi, duke i katandisur si mos më keq edhe ato arritje në fushën e komunikimit postar të cilat u lehtësonin problemet pensionistëve dhe shtresave në nevojë. Që pas marrjes së “zarfit” me vendimin e prerë të largimit, 13 punonjësit e radhës, duke mos gjetur motivacionin ligjore, kanë kërkuar nga drejtoria e Postës në Elbasan arsyet e vërteta të cilat çuan në flakjen e tyre në rrugë. Ata u shprehën se “ne po na largon LSI, megjithëse shumica e tyre kishin përkrahur fuqimisht këtë forcë politike, por klanet mes titulluarve të saj dhe deputetëve të zonës bënë që të harrohen premtimet e para zgjedhjeve dhe se në ato lokale do t’i ndëshkojmë me votë dhe nuk do e mbështesim më LSI dhe lobingjet që janë krijuar mes deputetëve të zonës dhe drejtorëve të emëruar prej tyre. Po na largon deputeti që mbulon Qarkun e Elbasanit për LSI Edmond Haxhinasto, pasi ai bën listat, ai emëron dhe ai shkarkon, ndërkohë që ka prej nesh që kanë mbi 18 apo 20 vjet që punojmë në postë, do ti drejtohemi gjykatave dhe nuk do ta lëmë me kaq këtë problem”. Ndërsa votën ta harrojë Haxhinasto apo drejtorët e emëruar prej tij dhe se rezultatin e fundit do ta shohë në ëndërr bashkë me titullarët lokalë që kapardisen në kafene apo në lokalet e periferive me mish të pjekur. Në Elbasan thonë se “gjithçka e vendos Mond Haxhinasto” dhe kjo flet shumë. Flet për mënyrën e perceptimit dhe drejtimit të institucioneve nga njerëzit e emëruar nga LSI dhe i deleguari për Elbasanin, flet për krijimin e një klani që merret me punësimin jo mbi baza meritokracie por korrupsioni, flet për klimën e terrorit psikologjik që kanë krijuar drejtuesit e emëruar nga Haxhinasto në këtë qytet ku punësimin e shohin sit ë vetmin mjet jetese. Madje njerëzit e tij po bëjnë listat për këshilltarët e bashkisë duke vendosur njerëz që nesër mund ti përdorin si kundrapeshë në raste përplasjeje me kryesinë qendrore të LSI-së. Shpërdorimet dhe abuzimet që po ndodhin në Filialin e Postës së Elbasanit, duhet të jetë kambana e alarmit për institucionet e shtetit, për Drejtorinë e Përgjithshme të Postave Shqiptare, por edhe për KLSH, e cila duhet të ndalet gjatë në këtë institucion. 
Sigal