Shkarkimet e HEC-eve, përkeqesohet situata në Shkodër

135
Ashtu siç ishte parashikuar nga metereologët, dita e sotme ka nisur me reshje intensive shiu të cilat kanë përkeqësuar akoma më shumë situatën në veri të vendit. Pas reshjeve të dëborës dhe shiut, u shfaq rreziku i përmbytjeve. Ato janë rikthyer për banorët e Obotit në Njësinë Ana e Malit të Shkodrës. Dëmet që po u shkaktohen në kulturat bujqësore janë të shumta dhe fajin ja lënë shkarkimeve të hidrocentaleve në kaskadën e Drinit. Rreshjet e dendura kanë sjellë rritje të nivelit në basenin e Fierzës dhe në Vaun e Dejës duke rritur shkarkimet. Nga monitorimi në terren është vënë re që prurjet e lumit Drin janë rritur me mbi 20 cm krahasimisht me një ditë më parë. Në njësinë administrative Ana e Malit janë të përmbytura 750 ha tokë. Ka prezencë uji në rrugën e fshatit Obot, 30-50 cm. Për shkak të shkarkimeve në kaskadën e lumit Drin, përmbytjet e tokave janë shtuar sidomos tre ditët e fundit dhe mesa vlerësojmë do të vazhdojnë edhe për disa ditë në vijim.

Sipërfaqet e përmbytura sipas fshatrave në Nj.A. Ana e Malit:
Muriqan – 310 Ha
Oblikë – 280 Ha
Obot – 160 Ha
Total – 750 Ha

Nga sipërfaqja e mësipërme,sipërfaqja e mbjellë me kultura bujqësore vlerësohet në 550 Ha , ndësa sipërfaqe e pakultivuar 200 Ha,të shpërndara si më poshtë:
1.Jonxhe 420 Ha
2.Kultura të dyta foragjere 100 Ha
3. Grurë 5 Ha
4. Sera 2 Ha
5. Bimë dekorative 20 Ha
6. Vreshtë 1 Ha
7. Ullishte 2 Ha

Mjeti i ushtrisë, sipas kërkesës së bërë nga Bashkia Shkodër, vazhdon të jetë i disponueshëm në rrugën e Obotit, për çdo rast nevoje të banorëve për të lehtësuar lëvizjen. Sot nxënësit kanë frekuentuar shkollën rregullisht. Paraqitet nevoja për bazën ushqimore për kafshët në fermat në zonën e përmbytur. Në njësinë administrative Dajç janë të përmbytura 50 ha. Megjithatë, situata deri më tani nuk vlerësohet problematike.
Sipërfaqet e përmbytura sipas fshatrave ne Nj.A. Dajç:
Mushan – 30 Ha
Shirq – 20 Ha

Sipërfaqja e përmbytur e mbjellë me kultura bujqësore është:
1. Foraxhere 30 Ha
Problem shqetësues paraqiten edhe punimet që po bëhen në rrugën e Velipojës pasi në fshatin Trush janë bllokuar kanalet anësore dhe ka përmbytje të tokave që janë afër rrugës. Ka rreth 20 ha të përmbytura në njësinë administrative Bërdicë.

Sipas IGJEUM-it, rezulton se “lumenjtë do të kenë prurje të larta kryesisht në pjesën veriore të territorit. Kjo për shkak të kombinimit të shkrirjes së dëborës si pasojë e rritjes së temperaturave dhe reshjeve të pritshme. Baseni Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës kanë patur tendencë për rritje të prurjeve dhe niveleve. Sot (e martë, dt.06) dhe në vazhdim përgjatë datave 7 dhe 8 Mars 2018 rritja e prurjeve dhe e niveleve në pjesën e Lumit Buna dhe Liqenit të Shkodrës do të jetë më e ndjeshme.

Rritja e niveleve në pjesën e Ultësirës së Shkodrës do të varet edhe nga shkarkimet e kaskadës në Lumin Drin. Paraprakisht, nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM në pjesën e Lumit Buna dhe Liqenit të Shkodrës, rritet rreziku i zgjerimit të hartës së përmbytjeve në zonën e Nën-Shkodrës. Nivelet më të larta janë llogaritur të arrihen në datën 8 Mars 2018.