Shkarkime nga HEC-et, në Obot gjendje emergjence, banorët apel për ndihmë

694
Sigal

Zgjerohet ndjeshëm harta e përmbytjeve në Shkodër. Shpallet gjendja e emergjencës për zonën e Obotit, ndërsa është rritur me mijëra ha zona e përmbytur dhe janë shtuar me qindra shtëpitë e rrethuara nga uji. Nga të dhënat më të fundit të Shtabit të Emergjencave në këtë qark, raportohet se, sipërfaqja e përmbytur shkon në 6000 hektarë, ndërsa janë të izoluara nga uji mbi 700 banesa.

Gjendja

Në orët e drekës të së hënës janë shënuar 6 mijë ha tokë e përmbytur, ndërsa numri i shtëpive me prani uji ka shtuar në 730 ha. Situata tashmë konsiderohet alarmante. Në Obot shpallet gjendja e emergjencës civile. Prej një muaji zona e Shkodrës është nën rrezikun dhe duke vuajtur përmbytjet. Ministria e Brendshme vetëm pas kërcënimit që bënë banorët e zonës së Obotit, pas 20 ditësh të izoluar, shpalli këtë të hënë gjendjen e emergjencës për këtë zonë. Nëse do të respektohen kushte e gjendjeve të emergjencës në këtë zonë që të martën duhet të nisë shpërndarja e ndihmave ushqimore për njerëzit dhe gjënë e gjallë dhe duhet të jepen ndihma për Bujqësinë dhe Blegtorinë. Shtabi i Emergjencës në Prefekturën e Shkodrës vazhdon të pohojë se, situata po monitorohet shumë mirë prej tyre edhe pse në fakt nuk kemi zvogëlim të sipërfaqeve me ujë apo pakësim të problemeve për banorët. Pëllumb Dani shefi i emergjencës civile në Prefekturën e Shkodrës pranon shtimin e zonave me ujë duke deklaruar se, tashmë edhe Komuna e Bushatit është e përmbytur në pjesë të konsiderueshme të saj. Banorët në zonat e përmbytura apelojnë për ndërhyrje emergjente. Sipas tyre, dëmet janë shumë të mëdha në bujqësi, ndërsa situata më emergjente paraqitet për bagëtitë, rezervat ushqimore të të cilave janë drejt përfundimit. Fshati Obot është fshati më problematik në të cilin mund të lëvizësh vetëm përmes varkave. Në Komunën Ana e Malit ndodhen nën ujë 1800 ha tokë, ndërsa të izoluara nga uji janë 260 shtëpi. Në Dajç janë 117 banesa të rrethuara nga uji , 7 prej tyre janë të përmbytura.

Prefektura

Burime zyrtare nga Prefektura e Shkodrës pohojnë se, shkarkimet nga hidrocentrale do të vazhdojnë. Pëllumb Dani sqaron: “Nga hidrocentralet e kaskadës së Drinit është shkarkuar ujë me intensitet të lartë nga 900 m3/sek deri në 1200 m3/sek dhe si pasojë është rritur sipërfaqja e zonës së përmbytur në të gjithë zonën e Nënshkodrës. “Shkarkimet në Fierzë, aktualisht janë 400 m/kub për sekondë. Ndërkohë, nga Hidrocentrali i Komanit, shkarkimet janë 1100 metër kub/sekondë, ndërsa nga Vau i Dejës, 1200 metër kub për sekondë.