Shkarjet nga reshjet bllokojnë 25 fshatra, banorët ikin nga shtëpitë

551
Sigal

ELBASAN/Kryevendori Lutfi Lala: Situata më e rëndë në Shushicë, mungojnë dhe ushqimet. Kërkojmë ndihmë urgjente!

 Reshjet e ditëve të fundit kanë favorizuar fenomenin e rrëshqitjes së dherave, të cilat përveçse e kanë bërë të pakalueshëm aksin që lidh qytetin e Elbasanit me Gjinarin, rrezikojnë edhe shembjen e banesave.  Sipas statistikave të drejtuesve vendorë, aktualisht janë të izoluar 25 fshatra të kësaj zone. Kjo situatë ka ardhur si pasojë e daljes së lumit të Devollit nga shtrati i tij dhe prurjeve masive në Shushicë, shoqëruar me përmbytje e shkarje masive gurësh e dherash.

SITUATA
Burimet e më sipërme shtojnë se situata paraqitet më kritike për fshatin Shelcan të komunës së Shushicës në rrethin e Elbasanit, ku shumë shtëpi janë të rrezikuara, ndërsa familjarët kaun braktisur banesat dhe janë larguar tek të afërmit për të shpëtuar nga tragjedia.
Banorët tregojnë se jetojnë me frikën e ndonjë katastrofe të mundshme, pasi shkëputja e tokës është në një nivel tepër shqetësues dhe vetëm pak metra larg nga shtëpitë e tyre. Dhe për këtë arsye, ata thonë se, “jemi të detyruar që të braktisim shtëpitë pasi rreziku pritet nga momenti në moment”. Por shumica e banorëve janë larguar para se kjo situatë të përkeqësohen, ndërsa dhe ata që kanë mbetur, rrinë në gatishmëri të plotë për ta bërë një gjë të tillë nëse ujërat do vërshojnë në shtëpitë e tyre.

VENDORËT
Kryetari i Komunës së Shushicës, Lutfi Lala tregon për gazetën “Telegraf” se situata në këtë zonë është tepër e rënduar dhe se pavarësisht korrespondencave të rregullta me institucionet, si prefektura apo Shtabi i Emergjencave Civile, Qarku, ende nuk është marrë as një masë konkrete për t’i ardhur në ndihmë këtyre banorëve. “Ata janë vërtetë në nevojë. Do u lutesha krerëve të institucioneve përkatëse të marrin masat urgjente për këtë situatë të vështirë që është krijuar dhe t’u vinë në ndihmë banorëve sa më shpejt pasi disa prej tyre nuk kanë as për të ngrënë”,- shton Lala.

AKSET RRUGORE
Rruga që lidh Elbasanin me 25 fshatrat e komunave Gjinar e Zavalinë është e pakalueshme, ku rrëshqitjet e fundit të dherave, e kanë përkeqësuar situatën. Kjo rrugë është inauguruar nga ish- Kryeministri Berisha rreth 2 vjet më parë. Zoti Lala tregon gjithashtu se, nga rrëshqitja e dherave rrezikohet edhe kisha 500-vjeçare e këtij fshati me një vlerë historike. Pikturat e kësaj kishe janë pikturuar nga Konstandin Shpataraku (ONUFRI), i cili njihet si babai i ikonografisë shqiptare. Probleme me reshjet ka pasur dhe në aksin Elbasan–Gramsh, ku në disa vende ka pasur rrëshqitje dheu si dhe në aksin  Librazhd-Qafë -Thanë,  në vendin e quajtur “Kthesa e Pishkashit”, ku ka pasur rrëshqitje dheu dhe rënie masive gurësh.