Shiu tregoi se Autoriteti Rrugor dhe Ministria e Transporteve kanë firmosur miliona euro tenderë abuzivë

483
Gazeta “Telegraf” ka denoncuar që në nisje projektin infrastrukturor të autostradës Tiranë-Durrës, segment i cili në vend të investohej me rrjet kanalizimi, u mbush me palma, të cilat edhe pse realisht kushtonin 53 mijë euro, në llogarinë e blerjes prej shtetit shqiptar, u faturuan 737 mijë euro. Pamjet e ditës së djeshme të përmbytjes nga shiu të autostradës Tiranë-Durrës në gjithë gjatësinë e saj, janë prova e qartë e faktit se si është abuzuar me ndërtimin e këtij aksi rrugor e sidomos me rikonstruksionin e bërë 1 vit më parë. Në këtë autostradë u mblodhën palma, u vendos sistem ndriçimi rrugor, por u la pa ndërtuar sistemi i kullimit dhe evadimit të ujërave. Sipas “letrave” përfundimtare të zbatimit të projektit, ky sistem kontrolli e menaxhimi ujërash në gjatësinë e autostradës Tiranë-Durrës për sistemin e kullimit, orientimit dhe evadimit e ujërave të shiut dhe prurjeve të tjera nga burime anësore në raste reshjesh, rezulton i investuar dhe i realizuar në masën 100% dhe po sipas “letrave”, citohet se sistemi i kullim-evadimit të ujërave në këtë autostradë është bërë sipas standardeve të superstradave të vendeve të BE! por ja që kjo autostradë u përmbyt nga disa orë shi. Makinat që qarkullonin dje në aksin Tiranë-Durrës, zhyteshin 40-50 centimetër nën ujë, duke u përballur me rrezik aksidentesh siç ndodhën në disa akse të tjerë nacional, duke krijuar njëherazi edhe probleme të mëdha e shqetësuese me trafikun, ngarkesa e të cilit e çonte deri në 2 orë udhëtimin Tiranë-Durrës! Ndërkohë, kupola e Autoritetit Rrugor Shqiptar nuk thotë asnjë fjalë, paçka se ka firmosur tenderë në miliona euro për këtë aks rrugor kryesor e me super ngarkesë qarkullimi, duke marrë në dorëzim si “të rregullta e me standarde” kryerje punimesh dhe së bashku me kupolën e Ministrisë së Transporteve,kanë prerë shirita “investimesh moderne e funksionale”. Madje, aq shumë u përmbyt autostrada Tiranë-Durrës, sa uji jo vetëm tej-mbushi kanalet anësorë, por shkoi edhe deri në 50 centimetër mbi trungjet e palmave të mbjella anës rrugës… 
Sigal