Shifër skandaloze në Durrës: Mbi 66 000 gra, viktima të dhunës

134

MARSHIME PAQËSORE/ Drama e grave në nevojë shtohet. Lëshimi i urdhër-mbrojtjes nuk i shpëton nga dhuna barbare

Në qytetin e Durrësit ditën e djeshme është promovuar “Fushata e 16 Ditëve të Aktivizimit kundër Dhunës ndaj Grave”, fushatë, e cila është kthyer në një traditë që nisi në vitin 1991 kur u organizua fillimisht nga Instituti i parë i Lidershipit Global të Grave. Ajo fillon në 25 Nëntor në Ditën Ndërkombëtare Kundër Dhunës ndaj Grave dhe vazhdon deri në 10 dhjetor që është edhe Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, duke lidhur simbolikisht këto dy ditë në përforcim të mesazhit se dhuna ndaj grave është shkelje e të drejtave të njeriut. E Kështu, në kuadër të këtyre ditëve, Qendra Komunitare “Sot për të Ardhmen” në bashkëpunim me Bashkinë Durrës, Drejtorinë Arsimore, shkollat e mesme të përgjithshme dhe OJF të tjera që operojnë në Durrës, organizojnë marshimin paqësor të djemve e vajzave të reja si çelje e fushatës dhe e aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë këtyre ditëve, ku do të zërë vend kryesisht kërkesa për sensibilizim të opinionit publik nëpërmjet mesazheve promorcionale dhe fletëpalosjeve në qendrat tregtare të qytetit, shkollat e mesme të përgjithshme si dhe në rrugët dhe sheshet kryesore të qytetit të Durrësit.

MARSHIMI

Marshim filloi me 300 të rinj e të reja nga të dy skajet e bulevardit kryesor të qytetit. Një pjesë e marshimit filloi nga “Torra” drejt Pallatit të Kulturës dhe pjesa tjetër nga zona e Pallatit të Sportit drejt pallatit të kulturës. Të rinjtë pasi u bashkuan ndaluan për pak minuta përpara institucioneve shtetërorë të Prefekturës dhe Qarkut Durrës si dhe përpara bashkisë. Ndërkohë në audio nga Pallati i Kulturës ishin thënie mbi të drejtat e grave si të drejta të njeriut dhe kënga “Parku i Heshtjes”, himni i kësaj fushate kundër dhunës. Gjithnjë në të njëjtin sens do të shërbejë edhe tryeza e rrumbullakët me psikologët e shkollave në lidhje me dhunën në familje “Si të identifikojmë rastet që përjetojnë dhunë”.

STATISTIKAT E ZYMTA TË DHUNËS

Në kontaktin telefonik me drejtues të Qendrës Komunitare “Sot për të Ardhmen” mësohet se këto aktivitete marrin përparësi sot pasi statistikat janë të zymta, po të flitet për dhunën ndaj grave në Durrës. Punonjësja e këtij institucioni ka bërë me dije se sipas statistikave që disponojnë 1 në 3 gra është viktimë e dhunës. Sipas zëdhënëses së Drejtorisë së Policisë së Qarkut, Ornela Cako, në policinë e Durrësit ka pasur 287 raste denoncimesh si  11 mujor dhe nga këto 244 janë kërkesë padi për urdhra mbrojtjeje, ndërsa  43 përbejnë vepra penale kanosje, 12 plagosje dhe 1 rast me vrasje. Nga113 raste me gra me probleme që janë trajtuar nga Qendra Komunitare “Sot për të Ardhmen” vetëm në zonën e ish-Kënetës 90 gra kanë urdhër mbrojtjeje. Përveç këtyre, janë edhe 70 raste që gratë kanë përfunduar në divorc. Një dramë tjetër kjo e grave në nevojë. Shifra prej 90 grave që kanë marrë urdhra mbrojtjeje i përket vetëm rajonit te zonës së Kënetës në Durrës, në një komunitet banorësh prej 40 mijë banorësh, ndërsa po të llogaritet se i gjithë Qarku i Durrësit ka një popullsi prej 400 mijë banorësh, që banojnë edhe në zona më të thella dhe ku e kanë të vështirë të bëjnë denoncimet e duhura, shifrat e dhunës ndaj grave janë më se të frikshme, për të mos thënë të turpshme. Në se statistikat e publikuara janë reale dhe një në tre gra është viktimë e dhunës, atëherë i bie që afërsisht nga gjysma e popullsisë që përbehet nga femra në këtë qark, (afërsisht  200 mijë femra) atëherë i bie që mbi 66 mijë gra janë të dhunuara në këtë qark.

Thirrje  e fushatës:

-1 në 3 gra është viktimë e dhunës

-22 gra e vajza u vranë në Shqipëri gjatë vitit 2012

-Vendet ratifikojnë e nënshkruajnë konventa për të drejtat e grave

-Konventat janë premtime dhe premtimi është premtim, ndaj të gjithë bashkë mund t’i themi jo dhunës, e çfarë do lloji qoftë ajo