Shfrytëzimi pa kriter ka devijuar rrjedhjen, ka prishur strukturën e tokës

959
Sigal

Ministri  Koka “Asnjë linjë përpunimi inertesh në lumin Erzen”

Ministri i Mjedisit zoti Lefter Koka në vazhdën e intensifikimit të punës së tij dhe luftës pa kompromis ndaj shkeljeve ligjore  prej vitesh në fushën e mjedisit, ka deklaruar se “nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj individëve dhe firmave që kanë shkelur dhe shkelin ligjin, dhe në këtë kuadër  nuk do të ketë asnjë  linjë përpunimi të inerteve  edhe në lumin Erzen”. Kjo pasi  ky lumë mbetet më i ndoturi në gjithë qarkun e Durrësit dhe kjo ka ardhur jo vetëm nga individë por edhe firma private inertesh. Kontrollet e vazhdueshme të shtretërve të lumenjve lidhur me shfrytëzimin e materialeve inerte nga subjekte të ndryshme ka shmangur shfrytëzimet pa kriter. Vetëm në lumin Erzen dhe në grykëderdhjen e Ishmit janë numëruar disa muaj më parë 57 aktivitete një pjesë e të cilëve të palicencuar. Në sajë të një plani të detajuar  kaluan  nën sitë i gjithë shtrati i lumit Erzen që është edhe lumi me më shumë impiante e stabilimente të inerteve. Përgjatë  vitit 2013, janë gjobitur 38 subjekte me shuma që shkojnë nga 500 mijë lekë deri në 2 milionë lekë gjatë këtij inspektimi në terren. Inspektorë të ujërave dhe pyjeve si dhe punonjës të Departamentit të Tokës kanë inventarizuar vatrat e nxehta, të cilat janë rrezikuar nga ekskavatorë e lavatriçe. Gërmimi e transportimi i këtyre materialeve inerte ka ndikuar edhe në devijimin e shtratit të lumit Erzen, ndërsa ka prishur strukturën e tokës në dhjetëra ha sipërfaqe, si dhe ka pakësuar tokën arë apo tokën truall. Për shkelje në këtë drejtim gjatë aksioneve janë gjobitur me vlera  të mëdha monetare  13 subjekte përpunimi inertesh të tjera në Erzen. Pikat e shfrytëzimit të inerteve në lumin Erzen janë bërë disa herë objekt investigimi edhe për shkak se ka pasur ankesa të shumta lidhur me dëmtimin e shtretërve. Ministria e Mjedisit ka një hartë të plotë me pikat problematike në të cilat nuk lejohet vendosje e impianteve dhe as grumbullim i materialit. Në qarkun e Durrësit është thënë se gjendja pas këtij aksioni  është përmirësuar dukshëm. Shumë biznese të këtij lloji kanë pushuar tërësisht aktivitetin, ndërkohë që të tjerë janë detyruar të plotësojnë standardet dhe të pajisen me të gjitha lejet e shfrytëzimit së bashku me hartën e gërmimet e të depozitimit të inerteve. Erzeni ka sasi të konsideruar inertesh nisur edhe nga fakti se lumi shtrihet përgjatë një relievi të butë. Inspektorët e qarkut dhe ata të bashkisë së bashku me mjedisin e tatimorët kanë mbajtur nën kontroll të gjithë shtratin e lumit Erzen deri në grykëderdhje në Ishëm. Sipas informacioneve zyrtare mësohet se në disa vatra ku edhe dëmi ka qenë relativisht i madh ka ndodhur rehabilitimi i plotë. Kështu janë mbjellë qindra pemë për të risjellë në gjendje të mëparshme mjedisin në vatrat e dëmtuara, ndërsa njësive të qeverisjes vendore u është kërkuar të përgatisin projekte dhe t’i financojnë ato për të rehabilituar zonën e dëmtuar.