Sheshi i Flamurit, Monument Kulture?! Dimë që është shpallur më 1974-n

3470
Sigal

Flet ish-drejtori i Muzeut Historik të Vlorës, Novruz Bajrami: “Për historinë e tij nuk ka asgjë të shkruar”

Zor se ka në ndonjë vend tjetër, që një shesh të emërtohet Flamur, që është simboli i Kombit, por ky sheshi në Vlorë, që shtrihet përballë Memorialit të bronztë, të burrave që shpallën Pavarësinë, ngjitur me shtizën e Flamurit, nuk ka se si të quhet ndryshe. Ndërsa pritet të festohet me madhështi 100- vjetori i Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, “Sheshi i Flamurit”, përveçse në letër i shtohet listës së Monumenteve të Kulturës, asgjë nuk ka ndryshuar. Në qendër të tij ndodhet vetëm shatërvani i ndotur me 6 topat në kërthizë të tij dhe një numër i madh mjetesh të parkuara, që i zënë plotësisht frymën dhe zhdukin çdo gjurmë të tij. Bashkë me historianin e mirënjohur Novruz Bajrami skicojmë portretin e Sheshit të Flamurit në Vlorë, sheshin, që themeluesi i shtetit shqiptar Ismail Qemali, do ta etiketonte “Memoria e Kombit”. Është Sheshi që ka përcjellë ngjarje të rëndësishme historike për një shekull, duke u shndërruar në një simbol të bashkimit dhe vëllazërimit të shqiptarëve. Por pas vendimit për ta shpallur Sheshin e Flamurit Monument Kulture ka reaguar edhe Profesor Bardhosh Gaçe, i cili u shpreh: “Ne e dimë që Sheshi i Flamurit është shpallur Monument Kulture që më 1974-n, por gjithsesi për ta vërtetuar duhet të gjej dokumentin përkatës (Po kërkon dokumentin)”.

Për të mësuar historinë e Sheshit, nuk ka asgjë të shkruar

Gjithsesi, një fakt është i saktë dhe që e dinë të gjithë vlonjatët, që “Memoria e Kombit” nuk figuron si Monument Kulture, pavarësisht nga vlerat historike që mbart. Historiani Novruz Barjami, thotë se, historia e Sheshit, është e pandarë nga ajo e Flamurit, se bashkë kanë hedhur rrënjë në ditën e 28 Nëntorit 1912. Në Muzeun Historik të Vlorës, nuk ka një studim të veçantë, madje nuk ka edhe një dosje për këtë vlerë Monumentale, por historiani Bajrami, na tregon disa foto, qysh nga momenti kur u emërtua sheshi dhe deri në ditët e sotme. Nuk ka asgjë të shkruar për historinë e këtij sheshi, nuk ka një studim, një leksion që mund dhe duhet t’u përcillet vizitorëve nga ciceronët në muze. Gjithsesi, u gjend një mënyrë tepër origjinale për të fiksuar historinë e tij. Duke improvizuar një hartë memece, mbështetur në shumë foto, mëson se formën dhe pamjen e vërtetë, sheshi e ka marrë më 1932, kur Bashkia zgjeroi qendrën e Vlorës.

Çfarë i mungon Sheshit të Flamurit?

Nëse del kundruall Sheshit, gjëja e parë që të bie në sy, është se kjo vlerë kombëtare, zvogëlohet nga dita në ditë, thuajse kanë mbetur vetëm Topat, që janë projektuar e ndërtuar nga një arkitekt italian, ndërkohë që, janë shkatërruar objektet historike që e rrethonin në ditën e lindjes së tij.  Sipas historianit, janë shkatërruar 12 objekte me vlera historike, duke lënë në dritë vetëm klubin “Labëria” dhe disa metra më tej, shtëpinë e Marigo Posios. Për këtë shtëpi, pak njerëz e dinë që është strehëza ku u qëndis Flamuri.

Sheshi i bashkimit, jo i urrejtjes

Është shumë domethënës shqetësimi që shprehin vlonjatët për Sheshin e tyre, në këtë pragun e 100- vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Ky shesh ka misionin e bashkimit të shqiptarëve dhe jo të përçarjes. Ai është ndotur nga partitë politike, që shajnë njëra- tjetrën dhe përcjellin mesazhin e përçarjes për kundërshtarët e tyre politikë. Ky shesh, nuk duhet lejuar të përdoret nga partitë, ai u përket të gjithë shqiptarëve- këmbëngulin me të drejtë ata. Për këtë është këmbëngulur edhe nga historianët e qytetit, por në prag të ngjarjes së madhe të 28 Nëntorit, por edhe me rastin e shpalljes Monument Kulture, i duhet thënë një “jo” e madhe klasës politike.

Bashkia e qytetit

Pas njohjes me lajmin se Sheshi i Flamurit do të shpallet Monument Kulture, njëri nga drejtuesit kryesorë të këtij institucioni është shprehur për gazetën: “Sheshi i Flamurit, jo vetëm për vlonjatët, por për të gjithë shqiptarët ka qenë dhe mbetet në tërë kohërat, Monument Kulture, Monument i historisë së madhe. Vlerat e tij nuk rriten nga firmosja e një shkrese, por nga investimet që duhet të japë Qeveria Shqiptare, për të konkretizuar projektet që qëndrojnë në sirtar prej vitesh. Më mirë se vlonjatët, askush  nuk mund të materializojë idetë dhe funksionin që ka Sheshi i Flamurit, sheshi i shqiptarëve, për të cilin Qeveria duhet të akordojë me urgjencë fondet, që më 28 Nëntor, Sheshi të jetë ndryshe.