Shërbimi ndaj klientit, prezantohet aplikacioni OSHEE MOBILE. Transparencë dhe shmangie abuzimesh

815
Sigal

Faturimet abuzive apo radhët e gjata për të
paguar energjinë elektrike, tashmë mund të shmangen vetëm me një aparat
telefonik. OSHEE do t’iu mundësojë qytetarëve të marrin çdo shërbim nga
telefoni.

“Në të gjithë Shqipërinë, çdonjeri që ka një telefon mund të
bëjë çdo lloj shërbimi. Mund të marrë informacion mbi konsumin mujor, mund të
bëjë pagesën. Mund të bëjë një aplikim dhe të marrë informacion në çfarë niveli
ndodhet aplikimi dhe nga kush po pengohet. Kjo edhe në kuadër të rritjes së
transparencës. Mund të mësojnë se cili punëtor pengon, ose çfarë dokumentacioni
duhet të plotësojnë”, tha Çela.

Ministri i Energjisë tha se, edhe leximi i matësave do të
kryhet shumë shpejt në mënyrë elektronike nga kompjuterat dhe jo nga
faturistët, të cilët mund të abuzojnë.

“Nuk mund të ketë më lexime fiktive, nuk mund të ketë më
shifra që i vendoste njëri me bllok në dorë atje, ndërsa njerëzit endeshin
rrugëve për të gjetur të drejtën e tyre. Operatori ka hyrë në një rrugë pa
kthim drejt progresit”, tha Gjiknuri.

Ndërkohë, që nga janari i vitit të ardhshëm, Shërbimi ndaj
Klientit do të jetë 24 orë.

“Do të kemi një ‘Call Center’ kombëtar, i cili do të
funksionojë 24 orë. Në të, çdo qytetar mund të marrë në çdo orë dhe për çdo
problem. Për ndërprerjen e energjisë, për të denoncuar korrupsionin, për çdo
gjë”, tha Çela.

Në raportin e klimës së biznesit, lidhja dhe furnizimi me
energji ishte një nga fushat me ndikimin më të madh në përmirësimin e “të bërit
biznes” sipas Bankës Botërore.