Shërbimi monpol që po zhvat e “vret” në aksidente, “SGS” ka bllokuar 810 kërkesa për licenca

525
Pak ditë më parë, në emisionin televiziv “Fiks Fare” u denoncua me zë e me figurë, skandali në shërbimin monopol të kolaudimit të automjeteve në pikën e kontrollit teknik të kompanisë zvicerane “Societe Generale de Surveillance” (SGS) në Laç, lidhur me ryshfetin taksativ piratesk për të blerë shpejtësinë dhe falsitetin në kolaudimin e automjeteve, me “gjoba” 40-50 mijë lekë, që drejtuesit e mjeteve detyrohen të paguajnë brenda kabinave të makinave e deri nëpër kafene në qendër të Tiranës dhe rretheve ku gjendet ky shërbim “përbindësh”.
Drejtësia të nis hetimin, ndëshkimin dhe shfuqizimin e këtij monopoli, me pasojë zhvatjen e qytetarëve dhe aksidentet rrugore
Duket qartazi, që ministria e Transporteve që ka nën monitorim shërbimin e kontrollit teknik të automjeteve, nuk po vepron as për të hequr monopolin e kompanisë zvicerane “Societe Generale de Surveillance” (SGS), as për ta detyruara atë të zbatoj kontratën monopol e as për të kryer shërbim të saktë në kontrollin e automjeteve. Mendojmë, se heshtjes së kupolës së Ministrisë të Transportit, tashmë të “gjunjëzuar” prej firmës monopol “Societe Generale de Surveillance” (SGS), duhet t;i kundërvihet urgjent drejtësia, për të marrë nën hetim këtë shërbim dhe drejtuesit e saj, madje edhe për të hetuar procedurën blerjes së këtij shërbim përpara 6 vitesh. drejtësia i ka provat konkrete për të nisur hetimin, për të ngritur akuzën, për të ndëshkuar abuzimet e kësaj kompanie e për tí hequr të drejtën monopol, të cilën e ka kthyer në krim financiar e jetësor, me pasojë skandalet dhe aksidentet rrugore. Ky shërbim monopol, po vazhdon të abuzoj në çmime të përsëritura qëllimisht pa asnjë shkak, me kthime e stërkthime kolaudimi edhe të makinave që “sapo kanë dalë nga fabrika”. Numri i qendrave të pakta të kolaudimit për shkak të mos kryerjes së investimeve sipas kontratës, po lodh, po vonon, po pengon në punë dhe po streson qytetarët. Falsiteti në kolaudim, sipas policisë së shtetit dhe ekspertëve rrugorë, rezulton se është shkak i 45% të aksidenteve totale që ndodhin në rrugët e Shqipërisë dhe shkak i 60% të aksidenteve me pasojë vdekje e 70% me pasojë plagosjet dhe invaliditetin! Pse? Sepse në qendrat kolauduese monopol të firmës “SGS” prej 6 vitesh monopol, vazhdon të bëhet kolaudim me letra false, të firmosura në zyra, kafene, restorante e në këmbë në “kupë gjuri”, pa kontrolluar teknikisht e fizikisht automjetin, në shkëmbim të “gjobave” që paguhen për shefat dhe inspektorët, bërë mbi pagesën e parë, të dytë e të tretë në formë “ndëshkimi” (vjedhje e qëllimtë), me tarifa të paracaktuara jo sipas kontratës, por sipas dëshirës dhe interesave fitimprurëse të firmës zvicerane “SGS”. 
Skandali/ SGS, zhvatje “të planifikuar”, mbi 1.2 milionë raste përsëritjeje të qëllimta të kolaudimit në 2 vjet
Qysh prej 3 shtatorit të vitit 2009, kur kompania zvicerane “Societe Generale de Surveillance” (SGS), nisi aktivitetin koncesionar të kolaudimit të automjeteve, shqiptarët janë përballur me një shërbim skandaloz si kohë shërbimi me radhë të gjata deri 10 ditore në pritje të kolaudimit dhe me çmime 70-140% më të larta se në vendet e BE. Por në qendrat e kolaudimit dhe zyrat e firmës “Societe Generale de Surveillance” (SGS), shqiptarët që i çon ligji dhe detyrimi për kontroll teknik të automjeteve, janë përballur edhe me skandalin e përsëritjes së qëllimshme të kolaudimit të automjeteve, me qëllim që të paguajnë nga 2, 3 e 5 herë për një kolaudim, ku vetëm për vitin 2014, janë mbi 982 mijë raste pagesash shtesë prej kthimit për “mangësi” të shpikura nga punonjësit e firmës zviceriane “Societe Generale de Surveillance” (SGS), ndërkohë që brenda 10 mujorit të vitit 2015, kjo shifër përsëritjesh të kolaudimit ka shkuar mbi 1.2 milionë raste! Këto skandale, gazeta “Telegraf” i ka denoncuar në 7 investigimet që ka kryer e publikuar vetëm në vitin 2015. Ky skandal vazhdon. Rasti i Laçit nuk është i vetëm, mbasi si në Laç vazhdon të ndodh në gjithë qendrat e kolaudimit të monopolit “SGS” në Shqipëri. Në Tiranë psh., vazhdon të bëhet “batërdia”” me këtë praktikë abuzive që “prodhon” krime me aksidente në rrugë. e po kështu në Durrës, Fier, Gjirokastër, Korçë, Elbasan, Berat, Vlorë, Kukës etj. Pronarët e automjeteve në Shqipëri, kur mendojnë se po u ofron data e kolaudimit të automjetit, përjetojnë tmerr mbasi e dinë mirë, se me çfarë masakre psikologjike, fizike, radhësh të gjata dhe nga 1, 2 e 3 ditë, pagesash financiare kthimi e ryshfetesh do të paguajnë në mjediset e firmës monopol “Societe Generale de Surveillance” (SGS). Pikërisht, mbi këto fakte duhet të hetoj e procedoj ligjërisht drejtësia, për të bërë atë që po e tolerojnë shefat e ministrisë dhe shtetarë të vjetër e të rinj lidhur së bashku në interesa me këtë monopol që po e mbajnë në fuqi në mënyrë abuzive e anti-kushtetuese. Kujtojmë edhe një fakt: Shërbimi monopol i firmës së kolaudimit është një “model” rekord botëror në shpërfilljeje ndaj ankesave në shërbim, në shpërfillje të reagimeve të qytetarëve për tarifat e larta, në hedhje në koshin e plehrave të denoncimeve që bëhen për vonesat në shërbim dhe ryshfetet që u kërkohen e u zhvaten me presion dhe me “marifete” vonesash, apo përsëritje kolaudimi. 
Në 6 vite janë bërë 810 kërkesa për licenca kolaudimi, por janë bllokuar nga monopoli ”SGS”
Shërbimi koncesionar i kolaudimit “Societe Generale de Surveillance” (SGS) është i vetmi shërbim monopol i këtij lloji në Shqipëri, kaluar me koncesion në muajin prill 2009. Prej 6 vitesh, kontrollohet 100% dhe diktohet nga një “dorë”. Ky koncesion është dhënë monopol, me abuzim të plotë ligjor, me shkeljen e Kushtetutës dhe e ligjeve në fuqi, mbasi koncesioni i bërë gjoja në mbështetje të Nenit 100 të Kushtetutës është në kundërshtim me nenin 4 shkronja “h”, të nenit 5 pika 3 e 9, të ligjit nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”. Por shqetësimi që vazhdon në lidhje me këtë shërbim është fakti, që shteti shqiptar, prej 6 vitesh monopol të kolaudimit, nuk po miraton ligjin për liberalizmin e këtij shërbimi. Sipas informacionit që ka dalë këto ditë nga kasaforta e Ministrisë Transportit dhe nga sirtarët e qeverisjes “Rilindja”, janë paraqitur 810 kërkesa nga 10 qarqet Tiranë, Berat, Shkodër, Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Lezhë, Vlorë e Kukës, për pajisje me licenca shërbimi kolaudimi automjetesh. Po kështu janë paraqitur edhe 231 kërkesa për shërbimin e pajisjes së automjeteve me taksë regjistrimi. Këto kërkesa nuk janë, mbasi pengon mos miratimi i ligjit për liberalizmin e shërbimit të kolaudim-regjistrimit të automjeteve, duke ia lënë këtë monopol vetëm firmës klienteliste zvicerane “Societe Generale de Surveillance” (SGS) e cila po shkatërron këtë shërbim dhe po e përdor për pasurim të paligjshëm e me pasoja për jetën e shumë qytetarëve që aksidentohen nëpër rrugët e Shqipërisë.
(vijon) 
Sigal