Shërbimi Informativ i Shtetit shpreh shqetësimin e thellë për rastet e përsëritura të pasqyrimit në media…

1395
Sigal

Shërbimi Informativ i Shtetit shpreh shqetësimin e thellë për rastet e përsëritura të

pasqyrimit në media të informacioneve apo të dhënave që pretendohet se u referohen

dokumenteve të hartuara nga SHISH-i ndër vite.

SHISH-i i bën me dije opinionit publik se nuk ka asnjë koment specifik për

autenticitetin e dokumenteve të pretenduar të inteligjencës.

Megjithatë SHISH-i nënvizon me forcë se përdorimi i emrit të Shërbimit dhe referimi

për format e metodat e punës së tij, me synimin për të siguruar besueshmëri të shtuar të

deklaratave apo akuzave në media dhe opinionin publik, sjellin një cënim të ndjeshëm të

aktivitetit të komunitetit të inteligjencës. Ato rrezikojnë të ndikojnë aftësinë e Shërbimit

Informativ për garantimin e sigurisë kombëtare.

Shërbimi Informativ i Shtetit vlerëson se çdo shkelje në administrimin e informacionit

të klasifikuar, kudo ku ajo ndodh, mund të dëmtojë rëndë punën dhe të ekspozojë

punonjësit e Shërbimit përballë rreziqeve të paparashikuara.

Shërbimi Informativ i Shtetit thekson se ligjshmëria, objektiviteti dhe sekreti janë

parimet bazë të punës së tij. Në këtë kuadër, SHISH-i mbetet i angazhuar të zbatojë me

rreptësi procedurat dhe rregullat ligjore gjatë prodhimit, qarkullimit, administrimit,

shfrytëzimit, transportimit, transferimit, arkivimit, shumëfishimit, riprodhimit e

asgjësimit të informacionit “sekret shtetëror” të çdo lloji.

SHISH-i sjell në vëmendje se, në bazë të ligjit, është organ informativ dhe nuk kryen

veprimtari të karakterit ushtarak ose policor, por në funksion të sigurimit kombëtar

informon institucionet e larta shtetërore e bashkëpunon me agjenci informative e

institucione shtetërore brenda dhe jashtë vendit.

Në këtë kuadër, SHISH-i do të vazhdojë bashkëpunimin me organet ligjzbatuese, me

qëllim mbrojtjen e sigurisë së veprimtarisë së vet, metodave dhe burimeve të

informacionit nga ndërhyrjet e paautorizuara.

KABINETI