Shëndetësia në Elbasan e zhytur në korrupsion

547
Sigal

Qytetarët ankohen për mjekët, infermieret dhe laborantet

Tashmë dihet, nga i madh dhe i vogël (dhe nuk e zmadhoj aspak ) se, në ambulancat, spitalet dhe laboratorët e Elbasanit (dhe jo vetëm) korrupsioni është pothuajse i ligjëruar. Kështu vizitat,  analizat, shërbimet dhe gjithçka tjetër, do të kryhen vetëm po qe se ti paguan jo tarifën, por edhe para nën dorë. Në korrupsion është zhytur ambulanca qendrore, e cila megjithëse ka një staf mjekësh të paaftë, ka tmerruar dhe po tmerron çdo ditë qytetarët që shkojnë dhe vizitohen atje. Është fatkeqësi e madhe tek shikon ata mjekë, ato infermiere dhe laborante, madje edhe sanitaret tashmë, tek gjuajnë si dhelprat për pula, çdo qytetar apo më keq fshatar, tek futet dhe kërkon vizitë mjekësore. E kapin me dhunë, e detyrojnë të shkojë te dhoma X, apo dhoma Y, “shko tek mjeku X, shko tek mjekja Y” duke i zhvatur pas asaj që quhet “vizitë” para. Zoti  Ministër i Shëndetësisë, e dini çfarë ndodh çdo ditë në spitalet dhe ambulancat e Elbasanit? Natyrisht që disa i dini dhe disa jo. Qytetarët çdo ditë ankohen kur mjeku dhe infermierja pa edukatën e duhur për njerëzit i zhvatin lekët. E dini Zoti Ministër i Shëndetësisë, se dhe mjeket e lagjeve në  Elbasan po bëjnë kërdinë duke u marrë lekë pacientëve, duke i përbuzur ata dhe duke i mbushur  receta me ilaçe tjetër për tjetër. Natyrisht zoti  Ministër, që i dini se edhe ju nga jeta e përditshme  vini. Një qytetare me foshnjën e saj 1.5 vjeçe, u ankua një ditë duke deklaruar se edhe tek Laboratori Epidemiologjik (Pranë ish-Klinikes se Dhëmbëve) nuk tenton të shkosh për analizë, sepse e kanë zakon të thonë se, “Jep sa të dush, sipas dëshirës”. Ky është turp zoti Ministër, ndaj duhet të ndërhyni me autoritetin dhe të gjitha mjetet tuaja ligjore, duke u mbledhur rripat drejtuesve të bluzave të bardha ne Elbasan, për të luftuar fenomenin e korrupsionit  që çdo ditë bën të pakënaqur qytetarin. Nga deklarimet e qytetareve mëson se “çuditërisht më të  korruptuarit rezultojnë mjekët e paaftë, mjekët mediokër, kurse ata më të aftë, lekun e duan por e marrin me forma më të moderuara”. Ky realitet duhet të përmbyset me urgjencë, Elbasani dhe qytetarët e tij të papunë, dhe jo në nivelet e duhura ekonomike, duhet të gjejnë tek bluzat e bardha pritjen e ngrohtë dhe jo arrogance, seriozitetin e profesionistit dhe jo apatinë dhe injorancën e mediokrit, korrektësinë dhe kujdesin dhe jo përballjen me sjelljet çoroditëse të një mjeku që pasi e ka marrë diplomën me para, tenton t’i nxjerrë ato sapo nis punën në ambulanca lagjesh apo spitale. Në shkallë vendi, pas Korçës, Elbasani vjen i dyti si qytet, ku mjekësia është sektori që ka strehuar mediokritetin dhe ka shtuar korrupsionin, duke mos pasur asnjë rast nga organet e Drejtësisë si shembull për të gjithë ata që tallen dhe luajnë me jetën e qytetarit.