Shefqet Deliallisi: “Forcat politike të Përrenjasit janë pak zevzeke”

593
Sigal

Prefekti i Qarkut të Elbasanit: “Situata në Këshillin Bashkiak një problem pa asnjë lloj baze”

Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, prefekti i Qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi ka komentuar të gjithë situatën e deritanishme që ka ndodhur në Bashkinë e Përrenjasit. Sipas Deliallisit, kjo situatë është krijuar nga mungesa e seriozitetit dhe abuzimet me votën e qytetarëve të Përrenjasi, ku sipas tij  përfaqësuesit e partive të vogla kalojnë sa në një parti në tjetrën dhe janë pa arsim përkatës.

Ka vetëm një vit e gjysmë nga zgjedhjet vendore dhe në Këshillin e Bashkisë Përrenjas janë bërë tre herë zgjedhjet për kryetar këshilli. Ju zoti Deliallisi si e komentoni këtë situatë?

E konsideroj një mungesë të theksuar serioziteti, abuzim me votën e të zgjedhurve kryesisht nga partitë e vogla, nga njerëzit që kalojnë nga një parti në një parti tjetër nga Legalitetit te Aleanca Kuq e Zi, po dhe me partitë e tjera të vogla kështu që është krijuar një amulli në mbarëvajtjen e punëve të pushtetit, por që unë shpresoj se shumë shpejt do të marrë një zgjidhje.

Para dy ditësh është bërë përsëri një zhurmë, ku kryetari i ish-Këshillit Bashkiak nga Aleanca Kuq e Zi, Myslym Karriqi, ka deklaruar në medie se është kërcënuar me jetë dhe kërkon arrestimin e Kryetarit të Bashkisë së Përrenjasit?

Këtë gjë nuk e di, por para se të jap një përgjigje, do ta verifikoj rast pas rasti. Por janë organet kompetente që merren me këtë rast. Dhe unë besoj se kryetarët nuk arrestohen nga dëshira e një partie por në bazë të ligjit dhe nuk kam fijen e dyshimit që një kryetar bashkie të merret me kërcënime njerëzish se kanë mjafthalletë tjera për tu marrë .

A ka ardhur në zyrën tuaj ndonjë shkresë për shkarkimin e ish-kryetarit  të Këshillit Bashkiak të Përrenjas dhe emërimin e kryetares së re?

Ka ardhur një shkresë nga Këshilli Bashkiak i Përrenjasit, që pret të konfirmohet siç do vendim i Këshillit Bashkiak dhe një ankesë nga një grup tjetër këshilltarësh nga pjesa e pakënaqur. Do të verifikohen të gjitha shkresat dhe afati ligjor është 10 ditë që duhet të kthej përgjigje në të kundërt vendimi hyn në fuqi menjëherë. Theksoj dhe njëherë tjetër se këto janë lojëra fëmijësh, nuk janë aspak serioze, të cilat dëmtojnë qytetarët, nuk vlejnë lojëra të tilla kur ka me qindra probleme që kanë realisht njerëzit dhe në këtë rast njerëzit nuk i shqetëson nëse Myslim Karriqi do të zgjidhet kryetar i Këshillit Bashkiak, i cili hidhet sa nga një parti në një parti tjetër, apo do të zgjidhet  X-i ose Y-i. Qytetarët e Përrenjasit kanë nevojë për shërbime dhe zgjidhjen e problemeve. Në çdo vendim të këshillave bashkiake jo vetëm për rastin e Përrenjasit, por për çdo rast ne verifikojmë kuadrin ligjor, mbështetjen ligjore për të gjitha vendimet e këshillave bashkiake. Nëse ka mbështetje ligjore ne e konfirmojmë në të kundërt e kthejmë mbrapsht.

Mendoni se kjo situatë do të zgjidhet sa më shpejt?

Forcat politike te Përrenjasit janë pak zevzeke, kjo ka ardhur si rezultat i ndarjes se këshilltarëve të partive të vogla, ku këshilltarët kalojnë sa në një parti në tjetrën siç është dhe rasti i Myslym Karriqit që ka ndërruar disa parti. Ndërkohë që ky është dhe një problem i partive të vogla që zgjedhin njerëz jo të arsimuar dhe nuk zgjedhin njerëz intelektualë. Kjo është një flakë kashte që do të zgjidhet shumë shpejt në interes të qytetarëve të Përrenjasit, ne parësore kemi zgjedhjen e halleve të qytetarëve të Përrenjasit. Ky është një problem periferik i stisur pa asnjë lloj baze dhe njerëzit e mi do të shkojnë të verifikojnë problemin.