Shefqet Abazi:Ju tregoj si na vranë e burgosën për të vetmin faj, se ishim nacionalistë

115

INTERVISTA/ Rrëfen për “Telegraf”, Shefqet Abazi ish-i përndjekur politik nga Dhëmblani i Tepelenës

Quhet Shefqet Abazi. Është nga Dhëmblani i Tepelenës dhe banon në qytezën e re të Berdeneshit në Sarandë, qytezë e ngritur nga lëvizjet demografike në kohën e demokracisë në rrugën Sarandë-Ksamil, afër Kanalit të Çukës. Të gjitha ndërtesa të reja, si një shëmbëlltyrë e viteve të demokracisë dhe lëvizjes e iniciativës së lirë. Një nga këto familje që i gëzohet frytit të punës së tij është edhe Shefqet Abazi, ish i përndjekur politik, i cili vjen me rrëfimin e tij të dhimbshëm në faqet e gazetës “Telegraf”. Ai sjell vrasjen e dy xhaxhallarëve, vetëm se qenë nacionalistë edhe pse kishin krijuar këshillat NAÇL të zonës. Sjell, persekutimin dhe burgosjen e babait, privimin e të drejtës së arsimimit dhe nderimin për nënën e tij. Një jetë plot dhimbje e vuajtje, si shumë familje të tjera, ardhur si shkak i ambicieve anakronike dhe patriarkale të drejtuesve që erdhën në krye, pas LANÇ. Le ta lexojmë jetën e kësaj familjeje me peripecitë e saj, ka diçka për të reflektuar për të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen…

Z.Shefqet çfarë e lidh familjen tuaj me Ballin Kombëtar?

Në radhë të parë lidhja ime me Ballin Kombëtar vjen nga dy xhaxhallarët e mi, Shefqet dhe Memo, si dhe nga babai, Zylyftar Abazi. Njëri xhaxha, Shefqeti, u vra në luftën e Gërhotit më 14 shtator 1943, një luftë kjo ende e mbetur në labirintet e mistereve, ende të pazbardhura detajet dhe qëllimi. Ndërsa xhaxhai tjetër, Memua, u pushkatua në Qafën e Ploçës në Fier, menjëherë pas luftës së Gërhotit, ku siç thashë u vra një xhaxha, Shefqeti, emrin e të cilit e mbaj unë. Dua të them, meqenëse m’u dha rasti, se lufta e Gërhotit, ku u vranë pabesisht 35 burra luftëtarë të BK të udhëhequra nga trimi Hysni Lepenica, nuk u bë për plaçka e makarona, siç flitet rëndom. Familja jonë dhe shumica e të vrarëve në Gërhot nuk vuanin për bukë, e nuk kishin nevojë për makarona e galeta italiane. Dhe pikërisht kjo pasuri, pas çlirimit, bëri që pushteti komunist të na shpallte kulakë. Po le të kthehemi përsëri tek vrasja e xhaxhait tjetër, Memos. Menjëherë, pas betejës së Gërhotit, forcat partizane erdhën dhe morën në shtëpi xhaxha Memon. Me ‘të, partizanët kishin edhe një inat tjetër, ai krijoi Këshillin NAÇL të fshatit Dhëmblan në Tepelenë. Shpejt u zhgënjye nga politika komuniste dhe kaloi me forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar. Këtë nuk mund t’ia falte kollaj komunizmi. Siç thashë, erdhën e morën dhe e pushkatuan në Qafë të Ploçës në Fier. Kështu mbeti vetëm babai im, Zyliftari, i cili pati një fat shumë të keq, pavarësisht se, i shpëtoi plumbit të pushkatimit. I vetmi që mbeti gjallë.

Çfarë ndodhi me babain tuaj?

Babai im, megjithëse tani me dy vëllezër të vrarë si të rreshtuar në krahun nacionalist, kundërshtarë të partizanëve, mundi që pas çlirimit të shkonte delegat edhe në kongresin e parë të Rinisë Komuniste. Po, po,vajti, mos u çudit fare! Bile pas kësaj e çuan edhe në shkollën e kadetëve (pararendësja e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” Shën im A M. )Por… filloi xhelozia, filluan “gjeneralët e ushtrisë së vdekur” të rrëmonin në varrezat e biografive. Dhe në këtë “varrezë” masive, ADN-ja e kockave identifikoi edhe xhaxhallarët e mi. Kështu që babai la mësimet në mes dhe me pikëllimin shpirtëror u kthye në fshat. Por e keqja kish marrë rrugën e nuk përmbahej. Kanibalët biografik e analfabet nuk ndaleshin. Babain dhe familjen tonë i përjashtojnë nga anëtarësia e Frontit Demokratik (i hoqën triskën e frontit siç thuhej në atë kohë) dhe pas kësaj i shpallën edhe kulakë. Na morën pronën neve dhe pronën e dy xhaxhallarëve tanë të pushkatuar. Edhe për ata pati sekuestro të pronës  megjithëse të pushkatuar e të vrarë. E megjithatë me krijimin e kooperativës familja ime futi me anëtarësimin e zorshëm në të: 150 kokë dele, 6 lopë, 2 Qe, 4 pela, 2 mushka, pak tokë se ishim terren malor e merreshim me blegtori dhe mall e ushqime shumë, megjithëse më parë na kishin sekuestruar shumë mall kur na shpallën kulakë. Pra siç e shihni ishim një familje që nuk kishim nevojë të grabisnim makaronat e italianëve në Gërhot, por xhaxhallarët e mi luftuan për lirinë, donin Shqipërinë, por nuk donin komunizmin dhe kolektivizimin. Por e keqja e babait dhe familjes sonë, se qe i vetmi mashkull në krah pune në shtëpi, nuk përfundoi këtu. Qe qershor 1972. Babai arrestohet dhe dënohet me 8 vjet heqje lirie, duke lënë pas 8 fëmijë gruan e tij (nënën tonë dhe të lutem shkruaja emrin) Alijdinë, nënën e tij, gjyshe Zykën, në atë kohë 90 vjeçe dhe me plagë e helm në zemër nga të gjitha ato që përmenda. Kuptohet që na pllakosi varfëria. Të 8 ne fëmijët ishim njëri pas tjetrit në moshë dhe të 8 në shkollë e me nota 10-a. Katër nga ne mundën të mbaronin shkollën e mesme, për të lartën nuk bëhej fjalë, se edhe për të mesmen me peripeci të mëdha. Dhe do t’u tregoj edhe një fakt: Nëna ime, të lutem përmendja emrin, e mira Alijdi, shkoi tek një nipi i saj që qe drejtor shkolle dhe i lutet për pranimin e motrës sime, vajzës së sajë, Dallëndyshes, në shkollë. Dhe nipi-drejtor i tha: Alijdi, nuk ka karrige, ku të ulet vajza, të kishe ardhur më parë ndoshta e kishim ndihmuar. Nuk ja thoshte dot ndryshe arsyen nënës sime të mirë, e cila mori rrugën për në shtëpi gjithë helm në zemër se nuk kish si t’i thoshte të bijës. Gjyshja ime, Zyka, thoshte nën psherëtima shpirti se çfarë faji pat bërë zotit që e dënoi kështu në pleqërinë e sajë duke e lënë kërcure në oxhak pa një mashkull shtëpie. Por me vetëvrasjen e ish-kryeministrit Mehmet Shehu, qeveria dhe Kuvendi Popullor i asaj kohe bëri amnisti dhe babai im përfitoi, pasi bëri 2.5 vjet burg. PPSH donte t’i ngarkonte M. Shehut edhe këtë faj të burgosjes pa faj të njerëzve, po ky është tjetër problem. Babai doli… doli pasi rendi në burgjet famëkeqe të Spaçit e Ballshit.

Z. Shefqet, para se të vijojmë bisedën tonë, dua t’u pyes se më bëri përshtypje që shpesh thoni “të lutem përmendja emrin nënës sime, Alijdisë”, pse?

Z.Agron! Ke të drejtë. Po më duket si nderim që i bëj nënës sime që nuk u përkul, nuk e dha veten, por na ushqeu jo vetëm me bukë, por edhe me edukatë. Nuk ka si nëna, jo, nuk ka. Ajo gjithçka e mbledh brenda zemrës së sajë, edhe pikëllimin, edhe durimin, edhe dashurinë, deri edhe vetëflijimin për lumturinë e krijesës së sajë. Nuk e pamë njëherë nënën me lot në sy, por krenare, pavarësisht vuajtjeve dhe kjo na bënte deri diku zëvendësimin e dashurisë atërore. Mori nëna tipare burrërore dhe na i përcolli neve, fëmijëve të saj. E gjithë jeta është mbështjellë në gjoksin e nënës. Ja për këtë dua ta përmend si shenjë nderimi dhe respekti…

E qartë z.Shefqet, si e pritët lirimin nga burgu të babait tuaj?

Lajmin e lirimit e pritëm me gëzim. Atë ditë dolëm tek Ura e Luftinjës. Pasi pritëm disa, kaluan makinat me të burgosur. E pamë babanë, na i bëri me dorë. Hajde gëzim, mall e lot, nuk e tregoj dot.. U nisëm me këmbë nga Ura e Luftinjës për në Tepelenë, pasi do liroheshin pas paraqitjes në Degën e Punëve të Brendshme të Tepelenës. Vajtëm dhe pritëm! Doli! Nuk i merrni me mend emocionet… U nisëm përsëri me këmbë për t’u kthyer në fshat në një rrugëtim 3.5 orësh. Pas këtij itinerari mbërritëm. Kur ju afruam shtëpisë rreth 30 metra largësi na nisi para dhe na porositi t’i thoshim gjyshes se nuk u lirua. E bëri që gjyshja të mos pësonte gjë nga ngarkesa emocionale. Ashtu bëmë. Pas pak hyri brenda dhe e rrëmbeu nënën e tij në krah. Na përqafoi të gjithëve. Na dukej sikur zoti kish dërguar një hije në shtëpi dhe jo babain, burrin dhe shtyllën e shtëpisë të munguar prej kohësh. Gjatë viteve të burgosjes së babait të gjithë mbijetuam duke mbledhur e shitur bimë medicinale, pasi dita e punës shkonte vetëm 6 lekë, e këto nuk kishin ç’na bënin 10 frymëve me një rrogë të nënës. Tek babai në burg, shkonim çdo 15 ditë. Nuk e linte nëna pa e parë, na merrte edhe neve ta shihnim babain tonë. Vuajti nëna ime, Alijdia, vuajti shumë, shumë… Ç’të tregoj tjetër, o mik! Edhe kur na vdiq një nip, nuk e lanë fshatin në varrim. Disa erdhën fshehurazi për ngushëllim… Ç’të them, qe për të hequr edhe kjo nëmë për këtë popull…

Po pas burgut a ju ngacmuan më dhe si e shikoni demokracinë sot?

Nuk na nganë më! Vijuam jetën si gjithë të tjerët…deri sa erdhi demokracia. Sot jemi të gjithë në Berdenesh të Sarandës me shtëpitë tona e ekonominë tonë me djersën e ballit. Jemi të integruar plotësisht në jetën e sotme. Fëmijët janë në shkollë të lartë. Jemi të lumtur në ditët e demokracisë. Them se liria më e madhe në demokraci nuk është liria e fjalës. Nuk vjen asnjë e mirë nga fjalët. Liria më e madhe është liria e punës. T’i gëzohesh djersës tënde. Po u more me fjalë, fjalë do të korrësh. Puna është ajo që të lumturon. Jetojmë mirë. Iku ajo kohë! Demokracia ka problemet e sajë, por ka kush i rregullon. Ne na duhet puna për të mirën tonë dhe garancinë e së ardhmes së fëmijëve…

Tre akuzat qesharake që burgosën babin tim

Nga hetuesia, sipas tregimeve të vet babait, ai nuk i pranoi akuzat edhe kur i prenë racionin e bukës. Pasi ata që nuk pranonin kishin 300 gr bukë, kundrejt të tjerëve që trajtoheshin me 500 gr bukë në ditë. Përveç kësaj e mbanin lidhur edhe 24 orë, sidomos kur qe me shërbim gardiani Ali Mamaqi. Po edhe në burg kish njerëz të mirë. Ndryshe nga Aliu, kur qe me shërbim gardiani tjetër, Pëllumb Mati, e trajtonte njerëzisht, natyrisht fshehur. Pas gjashtë muajsh hetimi, hetuesi i çështjes Afrim Kaçi, e dorëzoi në gjykatë pa vërtetim akuze. Babai nuk i pranonte akuzat qesharake. Ja pse e akuzonin babanë: 1-Sikur tha që tani që u prishëm me Kinën si do të bëjmë, neve një grusht mizash jemi. 2-S’e ka të gjatë ky sistem, deri në vitet ‘80 do jetë. 3-Gjasme i kishte thënë kryetarit të kooperativës që hajde o kryetar hip në mushkë se na lodhej e ku të gjejmë tjetër. Por i përmendën si punë armiqësore edhe një rast qesharak se paska thënë që kam ca qershi të egra dhe do t’i pres dhe ky përbënte sabotim në ekonomi. Ja këto qenë akuzat që u burgos babai.