Shefi i Antiterrorizmit pajis terroristët me dokumenta zyrtare

535
Sigal

Policia e Shtetit është katandisur si han pa zot, në rrezik Siguria Kombëtare

Sipas pohimit zyrtar të Policisë së Shtetit,  dje u arrestua një ish-punonjës i Qendrës kundër terrorizmit, pasi jepte terroristëve , kundrejt pagesës 2.000 euro, dëshmi indentifikimi si punonjës të antiterrorist. Kështu, 58-vjeçari Ferra, nxirrte dokumente të rreme me mbishkrimin Antimafia, apo dhe Antiterrori me mbishkrimin e Qendrës së Studimeve të Luftës Kundër Terrorizimit dhe Krimit të Organizuar.

Policia e shtetit Han, pa zot

Ditë më parë, rastësisht, policia arrestoi një 30 vjeçar  nga Lezha, i cili prezantohej si polic i antiterrorit me dokument të rremë. Natyrisht, ky person, këtë dokument e ka blerë nga drejtues të korruptuar të Antiterrorizmit.  Ylli Toska 43 vjeç, është njëri prej tyre ish-punonjës i Qendrës kundër terrorizmit, I cili edhe pse “ish” e kishte dorën e gjatë, atje brenda në policinë e shtetit dhe shiste dëshmi indentiteti të punonjësve të Antiterrorit vetë njerëzve që janë terroristë. Këto fakte janë publikuar, por besojmë, se shumë të tjerë, kanë ndodhur, por që janë mbyllur në dosje “Tepër sekret”, për publikun.

Siguria Kombëtare në rrezik

Është e pranueshme dhe brenda disa standardeve klishe, që ndodhin rëndom kudo, jo vetëm në Shqipëri, që korrupsioni është faktik edhe brenda radhëve të policisë. Por ka disa kufi, brenda një limiti, ku çdo gjë varet nga ndërgjegjja e punonjësit. Mirëpo, kjo që ndodh me Antiterrorizmin shqiptar, që vetë drejtuesit e tyre të shesin dëshmi identiteti si punonjës të Antimafies dhe Antiterrorizmit,  terroristëve, kjo jo vetëm që është e paimagjinueshme, për një shtet që pretendon se ka standarde sigurie, por, drejtpërdrejtë, vë në rrezik dhe kërcënon edhe Sigurinë Kombëtare të vendit. Ndodhi të tilla, që as në përrallat e 1001 Netëve nuk mund të imagjinohen, tregojnë që Policia e Shtetit nuk ka masa të sigurisë për mbajtjen e sekreteve shtetërore. Ato dëshmi identiteti si punonjës të Antimafias dhe Antiterrorizmit, nuk janë fotokopje dhe as të falsifikuara, por janë ato që Policia e Shtetit pajis punonjësit e saj. Atëherë, si ka mundësi që një punonjës, sado edhe drejtues kryesor, të ketë akses që të japë, qoftë edhe një dëshmi të tillë, pa u marrë vesh nga strukturat e policisë? Kjo ndodhi të bind që te Policia e Shtetit nuk funksionon në bazë të ligjit, asnjë zinxhir i gjithë sistemit të administratës shtetërorë, derisa ka rrjedhje kaq të rëndësishme dhe, që vetëm, rastësia në rrugë, bën të mësosh të vërtetën. Pyetja tjetër është. Sa dëshmi të tilla janë dhënë? Që  kur ka filluar ky biznes i korrupsionit  te Antiterrorizmi? Cilët janë ata që i kanë blerë këto dëshmi dhe për çfarë qëllimi? Por pyetja më e madhe është: A kanë rrjedhur nga Antiterrorizmi edhe sekrete të një rëndësie më të madhe, sesa këto dëshmi? Sepse një drejtues i Antiterrorizmit që shet për 2.000 euro një dëshmi të tillë terroristëve si punonjës të Antiterrorizmit shqiptar, mund të shesë kundrejt një shume 10 herë, 100 herë më shumë, çfarëdo sekreti shtetëror, edhe të Sigurisë Kombëtare.

Cili ligj e lë në gjykim të lirë drejtuesit e korruptuar?

Edhe pse 2 drejtuesit e Antiterrorizmit u kapën duke shitur dëshmi të identitetit të Antiterrorizmit, prapëseprapë, ata u lanë të gjykohen të lirë. Si ka mundësi që një drejtues i korruptuar, që ka cenuar edhe Sigurinë Kombëtare, të gjykohet në gjendje të lirë? Kaq zemërgjerë dhe liberal është Kodi Penal? Apo, janë të “vaisur” edhe prokurorët e gjyqtarët? Po drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, që kanë në vartësi këta drejtues të korruptuar të Antikorrupsionit, a nuk kanë përgjegjësi, qoftë penale, qoftë administrative, që korrupsioni ka ndodhur nën hundën e tyre? Përse Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nuk merr masa të karakterit administrativ ndaj drejtuesve të lartë të Antiterrorizmit, për përgjegjësinë e rrjedhjes të dokumenteve tepër sekret, të cilat rrezikojnë Sigurinë Kombëtare? Apo me heshtjen dhe mosveprimin, në bazë të ligjit, të gjithë drejtuesit e Policisë së Shtetit janë të përfshirë në të tilla skandale?