SHBA dhuron mjete të blinduara për FA, çfarë thotë ambasadori Lu për ministren Xhaçka

589
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë dhuratë Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë një paketë automjetesh të blinduara transporti. Nga Komanda e Forcës Tokësore në Zall Herr ku u zhvillua ceremonia, ambasadori Lu ka shprehur vlërësimin e tij për ministren Olta Xhaçka.
“Ndihemi krenarë kur shohim ministren Xhaçka të investojë për të ardhmen”, u shpreh Lu.
Ambasadori amerikan Donald Lu i ka quajtur anëtarët e guximshëm të Forcave të Armatosura heronj të vërtetë. Sipas tij, ka një rritje të madhe në buxhetin për FA, për herë të parë që nga anëtarësimi në NATO në 2009. Sipas tij, mjetet e blinduara, një pjesë e vogël e ndihmës për FA.
“Ushtarët dhe marinarët shqiptarë janë heronj të vërtetë. Parashikohet rritje e madhe në buxhet, për herë të parë që nga anëtarësimi në NATO në 2009. Rritja e propozuar është 8 mld lekë më shumë se vitin e fundit”, u shpreh Lu.
Sakaq, ambasadori amerikan e ka quajtur kohë të shkëlqyer për të qenë ushtar ose marinar në Shqipëri.
“Vitin e ardhshem rrisim buxhetin për trajnimin e ushtarakëve shqiptarë. Rritja e buxhetit për trajnimin e ushtarakëve shqiptarë është vlerësim për angazhimin e Shqipërisë ndaj NATO-s. Vizita e ministres Xhaçka në Pentagon në janar, do zgjerojë marrëdhëniet ushtarake dhe do rrisë mbështetjen tonë për FA. Ministrja Xhaçka po investon në të ardhmen dhe mbështesim këto investime”, tha ai.
Ministrja Xhaçka në fjalën e saj shprehu falënderime për dhuratën e bërë nga SHBA, teksa u ndal tek rëndësia e bashkëpunimit mes dy vendeve tona.
“Falënderojmë aleatin dhe mikun tonë strategjik SHBA për mbështetjen e përhershme. Kemi marrëdhënie të shkëlqyera midis dy vendeve tona. Marrëdhëniet tona në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes janë të shkëlqyera. Investojmë në të ardhmen e FA me ndihmën e vyer të SHBA-ve”, u shpreh ministrja Xhaçka.
Sigal