SHBA, arrestohet bashkëshortja e autorit të masakrës me 49 viktima në Orlando

552
Sigal

Bashkëshortja e personit të armatosur, i cili vrau 49 vetë në një klub homoseksual të natës në Orlando të Floridës, vitin e kaluar, është arrestuar, ka thënë sot prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara.

Noor Salman, gruaja e sulmuesit, Omar Mateen, i cili ishte vrarë nga policia gjatë të shtënave në klubin e natës në Floridë, në muajin qershor të vitit 2016, është arrestuar në shtëpinë e saj afër San Franciskos, ka raportuar e përditshmja, New York Times.

Bashkëshortja, Noor Salman, ballafaqohet me akuza federale për pengim të drejtësisë, për ndihmë dhe për bashkëfajësi në përpjekjet për aranxhim të mbështetjes materiale për organizatë të jashtme terroriste, ka raportuar rrjeti ABC News, duke e cituar agjencinë FBI dhe avokatin e të arrestuares.

Bashkëshorti i saj i kishte shprehur besnikëri grupit esktremist, Shteti Islamik (IS), gjatë përleshjes me policinë.

Noor Salman pritet që gjatë ditës së nesërme të paraqitet në gjykatë. Ajo ishte marrë në pyetje disa herë pas sulmit.