Shatërvanët në Vlorë “thahen” për një pikë ujë

84

Qyteti bregdetar i Vlorës pa asnjë shatërvan në këtë verë të nxehtë, tre prej tyre janë betonizuar

E pabesueshme, por kjo ka ndodhur. Shatërvanët e ndërtuar për t’i dhënë bukuri e freski qytetit, janë “tharë” për ujë në këtë stinë të nxehtë. Ata nuk kanë funksionuar edhe një ditë të vetme, çka ka sjellë habi tek qytetarët. Kështu shatërvani përballë pallatit të sportit, i madh për nga sipërfaqja që zë, nuk mbahet mënd, që edhe në një ditë të vetme të ketë hedhur ujë e freskuar mjedisin. Pronarët e lokaleve rrotull, por edhe pushuesit që kalojnë kohën në to, bëjnë pyetjen dhe nuk marrin përgjigje. Përse nuk funksionon ky shatërvan, por është shndërruar gati në një kosh mbeturinash. Në këtë gjendje është edhe shatërvani përpara bashkisë, që banorët i kanë vënë emrin Shatërvani Dredha, pasi ishte ai që bëri këtë investim, kur u zgjodh kryetari i Bashkisë së Vlorës. Nuk bëhet fjalë as për shatërvanin në Sheshin e Flamurit, ose sikurse thuhet rëndom, tek topat, që është një relikë e viteve ‘30-të, kur ishte kryetari i bashkisë poeti i shquar, Ali Asllani. Ky shatërvan është pjesë e Sheshit të Flamurit, që u shpall edhe Monument Kulture. Në këtë gjendje është edhe shatërvani përballë muzeut “Pavarësia” dhe të tjerët që janë ndërtuar me fondet publike, por që nuk funksionojnë, aq më tepër në këtë stinë të nxehtë të këtij sezoni. Ajo që konstaton lehtë çdo qytetar është se shatërvanëve, si në Sheshin e Flamurit, ai pranë stadiumit “Flamurtari”, u është zënë fryma nga mjetet që parkohen rreth tyre, madje në këtë të fundit, parkimi është me pagesë dhe funksionon për 24 orë.

Betonizohen tre shatërvanët në zonën e Skelës

Por nuk është kjo e keqja më e madhe që i ka zënë shatërvanët e Vlorës. Në zonën e Skelës, tre shatërvanë janë betonuar, për shkak të projektit për ndërtimin e shëtitores.