Shantazhi me anë të seksit/ Prokuroria jep detajet e skemës së shantazhit

61
Gjykata për Krimet e Rënda nisi dje shqyrtimin e dosjes me tre të pandehur të akuzuar për futjen në kurth përmes joshjes me seks të një 30-vjeçari, me qëllim “gjobitjen” e tij me 280 euro.

“Strumbullari” i gjobës ndaj të dëmtuarit, që u “peshkua” nga një vajzë që i ofroi marrëdhënie intime, ishte një borxh i pashlyer prej tij, në një vlerë prej 50 mijë lekësh të vjetër. Të pandehurit e kësaj dosjeje janë Marim Leka, Edmond Sina dhe Oligerta B., të cilët gjykohen në masën e sigurisë “arrest në burg”.

Sipas Prokurorisë, organizatori i kësaj ngjarjeje është i pandehuri tjetër, Marim Leka, i cili kishte njohje paraprake me shtetasin A.Xh. dhe dispononte numrin e tij celular. Ai i ka kërkuar të pandehurës Oligerta B., e cila në kohën e kryerjes së veprës penale ishte e dashura e Edmond Sinës, që të komunikonte me A.Xh. dhe t’i ngrinin një kurth atij.

Sipas planit, ajo ta ftonte në shtëpinë ku banonte, të ofrohej për të kryer marrëdhënie seksuale me të dhe në atë moment ta gjente Edmond Sina dhe Marim Leka, ku njëri prej tyre do hiqej si bashkëshorti i saj.

Në këtë mënyrë ata i kanë kërkuar atij nën kërcënim një shumë prej 280 eurosh. Plani ka funksionuar, por i dëmtuari A.Xh. ka kërkuar të shkonin te shtëpia e tij për të marrë paratë. Teksa të pandehurit e prisnin në makinë, i dëmtuari ka hasur një patrullë policie, të cilëve u ka treguar çfarë i kishte ndodhur.