Shahini: “Ndarja e gjimnazit në dysh, vendim i paligjshëm që ka sjellë shumë pakënaqësi tek nxënësit dhe mësuesit”

747
Sigal

Ministrja Shahini në Dibër, Vizitë në Gjimnazin “Said Najdeni”

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) Znj. Besa Shahini ka zhvilluar një vizitë në Dibër pranë gjimnazit “Said Najdeni” ku është takuar me përfaqësues të drejtorisë arsimore Dibër, drejtues të shkollës dhe mësues të ndryshëm për të diskutuar në lidhje me problematikat aktuale dhe adresimin e tyre.

Një prej shqetësimeve që vijnë nga ky gjimnaz është edhe ndarja e tij në dysh pak kohë më parë për të cilën ministrja Shahini është shprehur:

“Ndarja e gjimnazit në dysh, ku një pjesë e nxënësve janë dërguar të mësojnë në objektin e vjetër, ishte një vendim i paligjshëm dhe i gabuar i drejtoreshës së mëparshme, që ka shkaktuar konfuzion dhe pakënaqësi tek nxënësit dhe mësuesit”, duke theksuar se kjo problematikë do të gjejë adresimin e duhur në të ardhmen.

Shahini është ndalur shkurtimisht edhe tek procesi i riorganizimit të zyrave e drejtorive rajonale arsimore, i cili sipas saj është në funksion të plotë të modernizimit të shërbimeve publike brenda institucioneve të sistemit parauniveristar duke iu gjendur më pranë shkollave, mësuesve, nxënësve dhe prindërve në nivel lokal.

Ndërsa është ndalur te ‘fati’ i punonjësve të drejtorive dhe zyrave arsimore ekzistuese, Shahini ka sqaruar se nuk do të ketë largime nga puna, por një riorganizim të stafit.

Ndërkaq, ka shtuar më tej se riorganizimi do të prekë njëkohësisht edhe disa nga drejtuesit e punonjësit e disa institucioneve të cilët nuk kanë zbatuar rregullat:

“Ky proces do të vazhdojë sepse ne nuk mund të lejojmë moszbatimin e rregullave nga askush. Peshkopia është 4 orë larg nga Tirana, por kjo nuk do të thotë se punonjësit e ministrisë mund të shkelin rregullat dhe të mos ndëshkohen!”, u shpreh ministrja Shahini duke nënvizuar se do ta bëjë rrugën sa herë të jetë nevoja deri sa të sigurohemi se nxënësit e Dibrës të marrin shërbimin arsimor më të mirë të mundshëm.

Gjatë vizitës në Dibër, ndër të tjera Ministrja Shahini ka vizituar shkollën 9-vjeçare “Nazmi Rushiti” (Dovolan) në kuadër të adresimit të klasave kolektive, si dhe shkollën 9-vjeçare “Haki Stërmilli” (Melan) ku zhvillohet programi “Bëjmë Detyrat e Shtëpisë”.

***