Shaban Mema, luftëtari trim i krahinës së Shpiragut

850
Sigal

BERAT/ Djali i tij, ish-ushtaraku Vladimir Mema tregon të gjitha kujtimet e kohës së luftës

 Sinja është kryeqendra e krahinës së Shpiragut, një ndër trevat me histori të pasur të traditave atdhetare, kulturore, me njerëz të besës, nderit dhe të mikpritjes, të cilët duke dashur lirin e barazinë shoqërore kanë luftuar kundër pushtuesve të huajë. Kjo zonë ka nxjerrë dhe trima, të cilët kanë luftuar me pushkë në dorë për çlirimin e vendit. Një nga këta është dhe komandanti Shaban Mema, i cili me pushkë në dorë luftojë deri në çlirimin e vendit. Shaban Mema lindi në 14 qershor 1922 në fshatin Veleshnje të krahinës së Shpiragut, në një familje atdhetare dhe pjesëmarrëse aktive në luftën Nacionale – Çlirimtare. Aktiviteti patriotik i familjes së tij zë fill në vitin 1942, ku në Veleshnje, shkon çeta e Ramis Aranistasit. Kështu Shabani dhe xhaxhai i tij, Bajram Mema bëhen korrier që lidhin çetën partizane të Osmënzezës me familjen e Ramis Aranitasit dhe të Tafil Dyrmishit në fshatin Tërpan, Berat. Shabani ishte ndër të parët që u radhit në çetën partizane të Shpiragut. Ai mori pjesë në të gjitha luftimet që kreu kjo çetë kundër forcave italiane që ishin dislokuar në qytetin e Beratit dhe herë pas here angazhimin e luftime për të mposhtur rezistencën, e popullit të krahinës. Gjatë kësaj periudhe të luftimeve të çetës partizane, spikati trimëria dhe guximi i Shabanit për të luftuar kundër pushtuesve dhe tradhtarëve të vendit. Veleshnja u bë vatër, ku punonin dhe militonin Ramis Aranitasi, Zylyftar Veleshnja, Tajar Grepcka, etj.. Duke qenë e përfshirë totalisht në lëvizje, shtëpia e Shabanit u bë strehë e sigurt për kuadrot që drejtonin çetat partizane dhe ngritën popullin në luftë për liri. Shabani, si luftëtarë trim mori pjesë me armë në dorë në luftimet e Palikështit. Në këto luftime u radhitë edhe babai i Shabanit, Nexhip Mema dhe xhaxhai tij Bajram Mema madje në këto luftime morën pjesë edhe të zonës dhe fshatrave përreth nga Sinja, Molishti, Tërpani, Gjoroven etj.. Në luftimet e Palikështit forcat italiane pësuan dëmtime të mëdha dhe si pasoja këto forca nuk arritën të futen në zonën e Shpiragut dhe me turp u kthyen në kazerma.

Kujtimet e të birit

Djali i Shabanit, Vladimir Mema, ish-ushtarak i lartë tregon se, në luftimet që u kryen në Palikësht, babai i tij është takuar për herë të parë me Ajet Xhindolen dhe Kol Myzeqarin. Dy heronjtë e popullit pas luftimeve të Palikështit së bashku me batalionin Shpiragu shkuan për të luftuar në “Ujin e Ftohtë” në Poshnje. Kur italianët e pikasën se do të sulmoheshin menjëherë filluan të largoheshin pasi pësuan kapitullimin. Shabanit si njëri trim dhe i besës iu besua së bashku me Mithat Luçiniu që në lagjen “Çelepias” të ruanin fëmijët që partizanët i kishin strehuar përkohësisht. Nga luftimet Shabani mbeti i plagosur nga një bombë, në këmbën e djathtë. Pas luftimeve shokët e dërguan menjëherë në Spitalin Partizanë për t’u mjekuar. Megjithatë Shabani nuk u tërhoq nga lufta. Mbas këtyre luftimeve me krijimin e brigadës së VII Sulmuese në Vlushë të Skraparit, partizanët e batalionit të Shpiragut u inkuadruan në këtë njësi luftarake. Aty me trimëri të lartë luftoi edhe Shaban Mema me gjithë shokët e tij deri në çlirimin e vendit.

Luftimet krah Sulo Gradecit

Ai ndoqi gjithë rrugën luftarake të kësaj brigade duke luftuar me trimëri në Dumre, Labinot, Mat, e Mirditë. Batalioni, ku bënte pjesë Shabani së bashku me Sulo Gradecin, siguruan dhe u bënë qëndresë të parët tek Ura e Fanit. Gjermanët tentuan tre herë për të kaluar urën, por grupi i mitraljerit të skuadrës Sulo Gradeci dhe Shaban Mema nuk lëvizën nga pozicioni. Shaban Mema për trimërinë e tij në 1 tetor vitin 1944 u pranua në radhët e Partisë Komuniste. Pas disa ditësh brigada e VII Sulmuese dhe batalioni, morën urdhër për të marshuar drejtë Shkodrës në luftimet e Koplikut dhe më pas për çlirimin e Shkodrës në 29 nëntor 1944. Pas çlirimit të Shkodrës partizanët e brigadës morën urdhrin për të shkuar për të kaluar kufirin. Kjo brigadë luftoi në Mal të Zi dhe deri në Fishegrad në Luftimet e Potgoricës, ku u vra dhe komisari i batalionit, Skënder Libohova. Në këto luftime edhe Shabani luftoi me trimëri krah Sulo Gradecit. Me mbarimin e këtyre luftimeve Shabani u emërua zv/komandant. Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm brigada e VII Sulmuese në Fishegrad marshoi në drejtim të Kosovës, qëndroi në Gostivar dhe Dibër të Madhe e zbriti në Elbasan, ku një pjesë e partizanëve dhe kuadrove shkuan në Gjirokastër. Aty Shabani, caktohet në regjimentin e artilerisë pikërisht në artiljerin e topave 82 mm. Më pas Shabani me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm transferohet në Tiranë dhe aty me kërkesë të tij komandant Mema lirohet nga ushtria dhe në vitin 1948 caktohet drejtori i Grumbullimit në Berat.

Përballja me 5 diversantët dhe dhurata që i bëri Mehmet Shehu

Një natë Shabani ka qëndruar në fshatin Mbjeshovë së bashku me Shaban Zeren dhe me një policë i zonës. Në mes të natës në këtë zonë u dëgjua një zhurmë avioni. Ai bëri një rrotullim në zonën e Shpiragut dhe më pas hodhi me parashutë 5 diversant. Menjëherë të tre, shkuan në drejtim, ku ishin  hedhur diversantët. Shabani si gjithmonë i vendosur i’u bëri thirrje të dorëzoheshin se ishin të rrethuar, por ata iu përgjigjën me zjarr. Shabani më pas është përleshur me një diversant duke e lënë të vdekur. Ndërsa i dyti në ikje është vrarë nga polici i zonës dhe të tjerë u larguan pa lënë gjurmë. Për këtë akt heroik Shaban Mema u dekorua për të dytën herë me medaljen e “Trimërisë”. Kurse Mehmet Shehu, i fali një pistoletë “Barabel”, gjermane, për kontributet e tij të luftës. Shabani mbante 12 dekorata të ndryshme. Shabani u nda nga jeta duke lënë kujtime e një burri trim i pa përkulur. Jeta dhe vepra e tij do të mbetet e pa harruar në krahinën e Shpiragut, Berat.