“SGS” shpërfill kontratën, nuk ka hapur 12 pika të reja kolaudimi, prej 6 vitesh fsheh bilancet

1220
Shqiptarët janë i vetmi popull në Europë dhe në Rajon, që pas monopolit shtetëror 17 vjeçar (1992-2009) të kolaudimit të automjeteve, prej 6 vitesh po vuan edhe monopolin privat të këtij shërbimi lodhës e zhvatës, që në mënyrë të paligjshme nëpërmjet aferave të ish-shtetarëve, ka rënë në “kthetrat” e pista e abuzive të kompanisë zviceriane “Societe Generale de Surveillance” (SGS). Kjo kompani, duke abuzuar deri në arbitraritet e dhunë psikologjike-ekonomike (gjoba) mbi përdoruesit e automjeteve, prej 6 vitesh qysh nga marrja e koncesionit të kolaudimit, po bën reprezalje financiare me çmime të larta, me përsëritje të qëllimshme testi, me pazare me policinë e shtetit për të detyruara shoferët të bëjnë kolaudimet, me vonesa në shërbime me radha të gjata deri 1 javore, me pazare me shtetarët që kanë në dorë kontrollin e këtij koncesioni monopol. E drejta e abuzimit ndaj përdoruesve të automjeteve prej kompanisë “Societe Generale de Surveillance” (SGS), ka arritur deri në atë sjellje, sa ajo duket se është më e fortë se shteti, aq as e komandon atë. Sot, po publikojmë qëndrime e fakte skandaloze të kompanisë “Societe Generale de Surveillance” (SGS) në shërbimin ndaj qytetarëve dhe abuzime nga veprimtaria e saj ekonomike financiare me moszbatim të kontratës koncesionare, me fshehje të ardhurash dhe mos shlyerje detyrimesh në shtetin shqiptar, natyrisht i lejuar nga shteti shqiptar në këto 6 vite aktivitet abuziv. 
Sigal

“SGS” duhej të hapte edhe 12 pika kontrolli, ka hapur vetëm… 2 pika!

Sa pika kontrolli teknik, duhet të kishte hapur firma zviceriane “Societe Generale de Surveillance” (SGS) në Shqipëri, sipas detyrimit të kontratës koncesionare? Detyrimi i saj, ishte që brenda shtatorit të vitit 2011, pra 2 vite pas koncesionit, të hapte edhe 12 pika të tjera, përveç 12 pikave ekzistuese që ishin. Por firma “SGS”, nuk i ka hapur 12 pikat, por vetëm 2 prej tyre, një prej të cilave atje ku ka dhe qendrën e re të kolaudimit qendror, 20 kilometër larg Tiranës. Aktualisht, afro 280 mijë makina të Tiranës, dynden në afërsi të Rinasit, për të bërë kolaudimin, duke qëndruar me orë e ditë të tëra në radhë. Pse? Sepse firma koncesionare, sipas detyrimit sipas kontratës nuk po hap edhe 4 pika të tjera në Tiranë, për të lehtësuar shërbimin. Po kështu, firma “xhebrahil” me emrin “SGS”, duhej të hapte edhe 2 pikë tjetra kolaudimi në Durrës, 1 në Korçë, 1 në Vlorë, 1 në Fier, 1 në Shkodër, 1 në Burrel, 1 në Elbasan. Në kontratë, parashikohet që firma të restauronte me investime kapitale të 12 pikat ekzistuese që ka marrë me koncesion nga shteti në shtator 2009, si dhe të hapte pika shërbimi edhe në 12 qytete të tjera kryesore të vendit, madje edhe skajore, ku ka përqendrim e fluks mjetesh. Por nuk ika hapur. Shteti nuk i kërkon llogari, në vend që për mos zbatim të kësaj pike të kontratës, duhej tí kishte hequr licencën e koncesionit. 

Mashtrimi/ 35% e numrit të automjeteve që kolaudohen, nuk deklarohen

Kompania koncesionare zviceriane “Societe Generale de Surveillance” (SGS), gjersa zhvillon aktivitet ka edhe një bilanc financiar. Aktualisht, në “portën” e kësaj firme kalojnë për kolaudim teknik mbi 600 mijë automjete në vit. Në vitin 2009, kolaudoheshin 299 mijë e 324 automjete. Në vitin 2010, kolaudoheshin 317 mijë e 765 automjete. Në vitin 2011, kolaudoheshin 349 mijë e 660 automjete, në vitin 2011 kolaudoheshin 388 mijë e 431 automjete, në vitin 2012 kolaudoheshin 392 mijë e 102 automjete, në vitin 2013 kolaudoheshin 440 mijë automjete, në vitin 2014, janë kolauduar 553 mijë e 311 automjete, për vitin 2015, nuk ka tregues të publikuar. Sa milionë dollarë fitohen nga ky numër automjetesh që janë kolauduar në 5 vitet që kanë kaluar? Sipas bilanceve vjetore, të deklaruar prej kompanisë “Societe Generale de Surveillance” (SGS), në vitin 2009 ka dalë me 42% humbje, në vitin 2010, ka dalë me 31% humbje, në vitin 2011 ka dalë me 29% humbje, në vitin 2012, ka dalë me 37% humbje, në vitin 2013 ka dalë me 30% humbje, në vitin 2013 ka dalë me 27% humbje, ndërsa në vitin 2014 ka dalë me 25% humbje! Asnjë vit nuk rezulton me fitim kompania “Societe Generale de Surveillance” (SGS) edhe pse “rrjep” shqiptarët me çmime 3-4 herë më të larta se tarifat në vendet e BE, edhe spe ka rritur çmimet në masën 10-15% në kundërshtim me kontratën koncesionare, sipas të cilës i ndalohej rritja deri në vitin 2019, edhe pse afro 40% e automjeteve janë riktheyr nga 1 e 5 herë për kolaudim me pagesa të shtesë për çdo testim. Pyetjet janë të thjeshta e të qarta: Kur rezulton me humbje, përse vazhdon aktivitetin koncesionar? A janë reale këto bilance që deklaron kompania “Societe Generale de Surveillance” (SGS)? A i ka kontrolluar këto bilance të saj, Ministria e Transporteve, Ministria e Financave, Drejtoria e Tatim-Taksave, madje edhe Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese, si organe ligjvënëse që kanë fuqi kontrolli mbi koncesionet? Në këto 6 vite aktivitet të kompanisë “Societe Generale de Surveillance” (SGS), a kanë raportuar Ministria e Financave dhe Ministria e Transporteve ndonjë vit (sipas detyrimit), lidhur me bilancin dhe aktivitetin e kësaj kompanie? A e ka kontrolluar shteti zbatimin e kontratës koncesionare prej kompanisë “Societe Generale de Surveillance” (SGS) në drejtim të investimeve të përcaktuara në kontratë, në drejtim të shlyerjes së detyrimeve fiskale ndaj shtetit, ndaj CEZ, ndaj ujësjellësit, ndaj mjedisit, ndaj pushtetit lokal në zonat ku vepron? Ka një fakt, që nuk mund të mohohet: Sipas kontratës, kompania “Societe Generale de Surveillance” (SGS) e ka 5% (qesharake) të fitimit vjetor dhe 2% të ardhurave detyrimin e pjesës koncesionare që ka shteti shqiptar në këtë koncesion, por nuk e ka shlyer asnjë vit, duke bërë lojëra “humbjesh e investimesh kapitale”, të cilat shteti shqiptar ia ka miratuar! Përse nuk kontrollohet dhe kush e “mjel” kompaninë “Societe Generale de Surveillance” (SGS), që ajo nuk përfill as ligj, as shtet, as kontratë, as qytetarët? 
——————————————————-

Shteti nuk i heq “SGS” monopolin e kolaudimit, kërkuar nga “Autoriteti konkurrencës”! 
VENDIM Nr. 312, datë 18.04.2014, nga “Autoriteti i Konkurrencës” 

1. Sipas ligjit dhe kontratës koncesionare, monopoli i është dhënë në mënyrë të kundërligjshme vetëm një operatori në mënyrë ekskluzive, e cila përbën një kufizim sasior për hyrjen në këtë treg.
3. Ka mungesë të pikave të shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm vjetor sidomos për rrethet e mëdha, kryesisht Tiranë, që ka sjellë si pasojë radhë të gjata.
3. Tarifat e kolaudimit në Shqipëri, rezultojnë se janë më të larta se ato të aplikuara para nënshkrimit të kësaj marrëveshje (janë rritur) dhe se tarifat në shumë nga vendet e BE.
4. Kontrolli teknik i automjeteve në vende të ndryshme të BE dhe të botës, ofrohet i decentralizuar, ku kontrolli teknik kryhet nga disa operatorë, të cilët kryejnë dhe shërbimin e servisit.
5. Shteti Shqiptar, nuk zbaton Legjislacioni e ri të BE, datë 11 Shkurt 2014 (32014L0023) Direktiva 2014/23/EU e Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Evropës, datë 26 Shkurt 2014, mbi dhënien e kontratave koncesionare tip OJ L 94, 28/03/2014, p. 1–64), duke mos e liberalizuar këtë shërbim, të hiqet monopoli për firmën “Societe Generale de Surveillance” (SGS).
————————————————————————- 

Projekt-ligji i liberalizmit të shërbimit të kolaudimit i bllokuar prej 6 vitesh, 761 kërkesa të ngurosura në ministri

Pasi ka kaluar me koncesion në qeveri në vitin e në parlament në muajin prill 2009, prej 6 vitesh kolaudimi i automjeteve në Shqipëri është shërbim monopol, që kontrollohet dhe diktohet vetëm nga kompania “Societe Generale de Surveillance” (SGS). Ky koncesion është dhënë monopol, me abuzim të plotë ligjor, me shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve shqiptare ende në fuqi, mbasi koncesioni i bërë (gjoja) në mbështetje të Nenit 100 të Kushtetutës është në kundërshtim me nenin 4 shkronja “h”, të nenit 5 pika 3 e 9, të ligjit nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”. Ky monopol duhej të ishte shfuqizuar, ose më hqeqej license sipas e kërkon ligji, ose me liberalizim të shërbimit të kolaudimit të automjeteve siç e kërkon “Autoriteti i Konkurencës” me Vendimin nr. 312, datë 18.04.2014. Nor, nuk po veprohet, paçka se në këto 6 vite janë paraqitur 761 kërkesa nga 10 qarqet Tiranë, Berat, Shkodër, Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Lezhë, Vlorë e Kukës, për pajisje me licenca shërbimi kolaudimi automjetesh. Po kështu janë paraqitur edhe 231 kërkesa për shërbimin e pajisjes së automjeteve me taksë regjistrimi. Këto kërkesa nuk janë përfillur nga shteti, duke u ngurosur në Ministrinë e Transportit dhe në Ministrinë e Financave, të cilat nuk paraqesin projekt-ligjin për liberalizmin e shërbimit të kolaudimit të automjeteve. 
——————————————————

Ja përqindja e mjeteve sipas qarqeve, që janë rikthyer në kolaudim

1. Tirana: 51%
2. Durrësi: 33%
3. Shkodër: 29%
4. Korça: 39%
5. Fieri: 31%
6. Vlora: 26%
7. Lezha: 22%
8. Dibra: 33%
9. Berati: 27%
10. Kukësi: 31%
11. Elbasani: 30%
12. Gjirokastra: 23%