Sezoni, Tatim-Taksat zbulojnë 160 biznese të paligjshme në zonën e Plazhit

173

Ndëshkimi nga 25 mijë lekë gjobë, mbyllje deri në derdhjen e detyrimit e bllokim licence

 Policia Tatimore në Durrës, gjatë një aksioni në zonën e plazhit ka zbuluar biznese të cilat prej vitesh punonin pa u pajisur me licencë. Konstatimi ka ardhur pas një kontrolli të ushtruar në subjektet private të tregtimit në qytet dhe plazhin e Durrësit, ku rezultuan rreth 160 subjekte tregtare të palicencuara, ndërkohë që është vendosur mbyllja e shumicës prej tyre dhe gjobitja që varion nga 200 deri 500 mijë lekë. Burimet zyrtare nga dega e Tatim-Taksave deklaruan për “Telegraf”, se, “gjithmonë përgjatë çdo sezoni veror, kanë nisur aksionet dhe kontrollet  nga Njësia e Mbikëqyrjes pranë Drejtorisë së Tatim-Taksave të Durrësit, për bllokimin e të gjitha subjekteve të cilat nuk janë të licencuara, shumë subjekte janë kapur në ushtrim aktiviteti në një kohë që pas kontrollit të bërë nga ekspertët e Tatim-Taksave ka rezultuar se këto biznese ishin të paregjistruara”. Deri tani janë zbuluar 160 subjekte, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre ndërsa nuk janë licencuar. Për shumicën e tyre, është vendosur bllokimi i menjëhershëm”. Aksioni është fokusuar në subjektet sezonale që operojnë në qytet dhe zonat turistike të Durrësit, dhe si rezultat i këtij aksioni vetëm gjatë ditëve të fundit, janë mbyllur dhjetëra subjekte tregtare. Paralelisht me kontrollin e subjekteve të palicencuara, nga ana e tatimorëve po punohet edhe për disiplinimin e çmimeve me të vetmin qëllim vënien e rendit dhe rregullit të plotë në këtë kategori, të subjekteve ekonomike. I njëjti burim tha se, “shumica e këtyre subjekteve kanë aktivitet sezonal dhe kanë përfituar duke vazhduar prej kohësh punën pa u pajisur me licencë, prandaj kontrolli ka filluar kryesisht në vijën turistike dhe do të vazhdojë më tej me subjektet e tjera që kanë veprimtari dy vjeçare”. Duket se tashmë është në synimin e kontrollit tatimor, biznesi “pirat” sezonal që përpiqet të sigurojë fitime maksimale pa paguar detyrimet shtetërore dhe pas kalimit të sezonit të plazhit këto lloje biznesesh asfiksohen. Po krahas tyre janë edhe bizneset vjetore, që e kanë më të vështirë që t’ u shmangen regjistrimeve për shkak të periudhës gjithëvjetore të veprimtarisë së biznesit. Edhe në këto raste ka vështirësi, pasi shume objekte jepen me qira sidomos personave me banim në vendet fqinje, të cilët janë thuajse anonimë dhe në këtë mënyrë edhe ata përpiqen që të kapërcejnë sezonin veror deri në mbyllje të aktivitetit. Aksioni i ndërmarrë në mënyrë të veçantë në mbylljen e subjekteve dhe njësive të palicencuara, që merren me aktivitete të ndryshme do të vijojë përgjatë gjithë  vitit 2014. Aksioni është ndërmarrë si rezultat i një bashkëpunimi dhe përkrahjeje të mirëfilltë nga strukturat tatimore, me të vetmin qëllim zbatimin e plotë të ligjit për subjektet e palicencuara. Pas zbulimit penaliteti për një subjekt të paregjistruar, arrin në 25 mijë lekë dhe nëse për 15 ditë nuk plotëson dokumentacionin përkatës, aktiviteti mbyllet.