Sevo Tarifa: Të shkruajmë për të lënë gjurmë

215

GJIROKASTËR-SARANDË/ Në vend të një kronike për takimet në jug të Shqipërisë të studiuesit 87-vjeçar

Fundjava që lamë pas ka regjistruar takime intensive të studiuesit tanimë mbi 87-vjeçar, Sevo Tarifa me veteranë e pasardhës veteranësh të LANÇ-it në qytetet e jugut Gjirokastër e Sarandë. Shtysë e këtyre takimeve ka qenë promovimi i krijimtarisë së tij, sidomos pesë vëllimet e kolanës “Na piku malli”, por në vetvete bashkëbisedimi ka qenë një leksion për dashurinë ndaj vendlindjes, patriotizmin, atdhedashurinë, kujdesi ndaj rinisë dhe domosdoshmëria e shkruajtjes së kujtimeve nga gjithsecili, pasi sipas Tarifës, kjo përbën edhe gjimnastikën e trurit, përveç vlerave dokumentare dhe historike që bartin dhe e ka ilustruar me filozofinë e vargjeve të thurura prej tij: “Veteranët kanë një arkiv në kokë,/Ti hedhin në letër!/ Të mësojnë nga brezi i vjetër,/ Të mos i marrin me vete,/ Se i duhen kësaj jete”.

Bashkëbisedimi

Sevo Tarifa në bashkëbisedim ka vijuar të vërë në dukje vlerat e kujtimeve, si pjesë e historisë kombëtare, pasi edhe jeta ka ligjet e veta biologjike dhe një ditë do të ikim nga kjo jetë dhe të mos ndodhë që bashkë me trupin fizik të varroset edhe kujtimi, ngjarja duhet t’i hedhim në letër, të shkruajmë, pavarësisht mundësive për botim, sepse “…kur vdes një veteran, nuk vdes thjeshtë një njeri, por vdes një histori, një thesar me flori…”. Duke folur për krijimtarinë e tij, krijimtari e begatë dhe shumë vëllimshme me disa mijëra faqe të botuara e disa të tjera të pabotuara, theksin e përqendronte tek dashuria për vendlindjen pasi…”…kur shkoj në fshat, takohem me të gjallë e bisedova me të vdekur,/ Të gjithë ishin si hekur…”. Pra kjo është ajo që bën efekt edhe tek rinimi i fizikut tonë, vjen ndjesia e viteve të rinisë, rigjenerojnë kujtimet… Duke sjell përvojën e tij në shkrimin dhe botimin e veprave të tij ai ka nënvizuar se nuk mund ta gdhendësh heroin, kur ai nuk gdhend veten dhe heronjtë tanë të LANÇ-it e kanë gdhendur vet veten, unë sa i kam përjetësuar në libra. Dhe kolana “Na piku malli” është shkruar e gjitha natën. Më dilnin shokët e luftës në ëndërr dhe kujtimet më largonin gjumin dhe filloja t’i hidhja në letër dhe ja ju keni në duar portretet e tyre. Kështu u realizuan. Nisur nga kjo përvojë Sevo Tarifa ka teorizuar se portreti si gjini letrare është tepër tërheqës se në qendër ka njeriun. Dhe Gorki thotë: “Tërë jetën thur himne për njeriun”. Njeriu është kryevepra dhe mbreti i natyrës. Portreti është gjinia më e bukur, sidomos për moshën tonë, pasi vjen malli përvëlues, i cili konvertohet në kujtime… Të shkruash për atë që e meriton është mirënjohje dhe e tëra kjo sentencë hygojane u takon portreteve të dëshmorëve tanë, pasi portretet e tyre janë vizatuar me gjak të derdhur për lirinë, portretet e tyre janë shprehje e atdhedashurisë, patriotizmit, boshti i tij është pikërisht mesazhi i përgjegjësisë për fatet e kombit.

Problemet e ndryshme

Z. Tarifa në bashkëbisedim me bashkëluftëtarët e tij ka kërkuar të kuptohet drejt koha dhe problemet që kalojmë, pasi themi të vemi në Evropë, por marrim vetëm gjerat e këqija dhe jo ato të mira. Ndaj mbetet detyra kryesore ta edukojmë brezin e ri, rininë, me patriotizmin, me historinë dhe krenarinë kombëtare. Të mos i shohim me syrin e sektarizmit dhe konservatorizmit se babai apo një njeri i afërt mund të jetë me një parti politike jashtë preferencave tona. Jo! Është gabimi më fatal! Edukimi i rinisë fillon që nga familja pasi filozofia popullore thotë që “Djali i mirë të hap derën, ndërsa djali i lig të vë ferrën…”. Kështu edhe rinia po u bë e mirë, e ardhmja është shumë herë më e mirë dhe më e garantuar, në të kundërt i vunë ferrën pragut të atdheut. Na takon neve, veteranëve, të ngjallim vlerat, entuziazmin, vrullin, optimizmin e tyre. Sepse neve u japim këtyre vlerave të moshës së tyre pjekuri dhe maturi. Japim e marrim nga njëri-tjetri.

Të shkruajmë për të lënë gjurmë!

“Të shkruajmë sa më shumë se kështu historisë sonë i lëmë gjurmë. Kam 23 vjet në pension dhe të gjitha lekët i kam shpenzuar për botimin e librave të mi. Kuptohet se, në punën me rininë duhet të jetë në aleancë zemra me mendjen. Të kuptohemi, se ja zemra të thotë se të pëlqen një bluzë, por mendja thotë se xhepi s’ta mban… Harmonizimi i mendjes me shijet e zemrës është kyçi i suksesit. Duhet ta kuptojmë rininë dhe kohët që jetojmë, sepse janë shumë herë më të ndryshme nga koha që kaluam ne rininë”, tha studiuesi. Tarifa e ka mbyllur bashkëbisedimin me bashkëluftëtarët e tij dhe pasardhësit e tyre përsëri me tabanin folklorik të krijimtarisë së tij: “Le të jemi flokëbardhë,/Atdheun kemi në ballë,/Le të ecim me bastun,/S’ka tërmet që të na tund!”