Servet Duzha:Problemet e Bashkisë së Cërriku janë të shumta, ja si po i zgjidhim ato

626
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Kryebashkiaku, Servet Duzha: “Projektet që po ndryshojnë qytetin”

Erdhi në krye të bashkisë me synimin për të ndryshuar qytetin dhe deri diku ia ka arritur. “Bashkinë e Cërrikut e kam gjetur me një mori problemesh, por deri diku i kam asgjësuar ato”, kështu e nis intervistën e tij dhënë për “Telegraf”, Kryebashkiaku, Servet Duzha, i cili për të mësuar më shumë rreth problemeve të shumta që ka qyteti i Cërrikut, për programet e punësimit apo edhe për projektet që pritet të zbatohen në vitet në vazhdim na jep detajet e mëposhtme.

Z. Duzha në çfarë kushtesh e keni gjetur Bashkinë e Cërrikut?

Bashkinë e Cërrikut e kam gjetur me një mori problemesh. Ajo ka pasur problem me shlyerjen e detyrimeve të trashëguara nga paraardhësi. Ka pasur shqetësime në lidhje me infrastrukturën e qytetit, si rrallë në bashkitë e tjera, ku lagjet e qytetit kanë qenë të mbuluara me zhavorr, duke përfshirë dhe hapësirat e gjelbërua, të cilat kanë përbërë një problem të madh për qytetarët. Ka pasur problem me pastrimin e qytetit, pastrimi ka qenë përqendruar vetëm në hapësirat e lagjeve brenda qytetit duke  mos përfshirë lagjet periferike. Nuk ka pasur investime në shkolla 9-vjeçare, kopshte, çerdhe të qytetit. Ekipi i futbollit “Turbine” nuk ka pasur funksionuar për shkak të konfliktit që kishte presidenti i klubit me ish-kreun e bashkisë. Problem e ka pasur dhe me ndriçimin e lagjeve periferike të qytetit, ka pasur probleme gjithashtu me furnizimin me ujë të pijshëm dhe me rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza.

Ju keni dy vjet në krye të Bashkisë së Cërrikut, cilat janë ato projekte që keni realizuar deri tani?

Nga momenti që unë jam vendosur në pozicionin e kryetarit të bashkisë kam parë me prioritet furnizimin me ujë të pijshëm të lagjeve problematike siç ka qenë lagja e “Kantierit” dhe lagja e “SMT”-së. Janë investuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit ndërtimi i palestrës dhe rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Aleks Buda” me një vlera 37 252 920 lekë. Ndërtimi i linjës K.U.Z. lagja Nr 2 Cërrik me vlerë 12,266, 666, 4 lekë. Ndërtimi i trotuarit në veri të qytetit të rrugës nacionale Cërrik-Elbasan, me një vlerë prej 23,110,747,2 lekë. Punimet për këto investime kanë filluar në dhjetorë dhe përfundojnë në fund të prillit. Një tjetër investim i rëndësishëm ka qenë në bashkëpunimi me “uventi pin”, ku Bashkia e Cërrikut ka marrë 20% të investimeve me një vlerë 6.5 milionë lekë të reja, ku është ndërtuar qendra e qytetit një kopsht i ri, një ambulancë dhe një zyrë për njerëzit që kanë problem për të ardhur më afër njerëzve të lagjes për t’i dëgjuar problemet e tyre. Nga Drejtoria e Mbështetjeve Civile në Ministrinë e Mbrojtjes është bërë e mundur ndërtimi i një tregu të ri industrial me fruta perime duke zgjidhur  një herë e mirë problemin e tregtimit në qendër të qytetit.

Cilat janë projektet tuaja në të ardhmen?

Projektet në të ardhmen do të jenë në ndërtimin e infrastrukturës në lagjet periferike të qytetit, te blloku i qytetit, investime në përmirësimin e sistemeve të vaditjes, në tokën bujqësore. Investimet në digat e argjinaturës për gërryerjen e tokave nga lumi Shkumbin, si dhe do të bëjmë përpjekje maksimale për thithjen e investimeve vendase dhe të huaj. Si dhe do të përpiqemi në maksimum për zhvillimin e biznesit në territorin e bashkisë, ku të gjitha këto do të bëjnë ndryshimin e qytetit pasi siç dihet Cërriku gjithmonë është lënë pas dore.

Qyteti i Cërrikut njihet si qyteti me numrin më të madh të të papunëve. Cilat janë masat që do të merrni ju për të ulur nivelin e papunësisë?

Për të ulur numrin e të papunëve kemi në plan të orientojmë njerëzit kryesisht në drejtime të investimeve në bujqësi duke vënë në punë tokat bujqësore. Kemi krijuar kushte optimale për bizneset e reja dhe jemi në pritje të dy negociata të reja që kanë të bëjnë me vënien në punë të hidrocentralin e Banjës me koncesione si dhe Uzinën e Naftës në Cërrik. Gjithashtu, jemi në negociata dhe me një firmë turke për krijimin e një fidanishteje në zonën e Shelganit, ku të gjitha këto kanë të bëjnë me uljen e numrit të papunësisë në qytet.

Projektet kulturore

Gjatë këtyre dy viteve në këtë qytet janë zhvilluar projekte të ndryshme kulturore dhe madje, mund të them si asnjëherë më parë. Ndër to mund të përmend siç ka qenë vënia e emrit të shkollës “Drita Çomo”, aktivitete të shumta nga shkollat e qytetit me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Organizimi i 60-vjetorit të qytetit të Cërrikut, ku u nderuan dhe shumë qytetarë si nderi i qytetit. Ajo çka mbetet parësore për mua është vënia në punë e kinemasë së qytetit, e cila ka vite që është djegur, ku së shpejti do të jetë në punë për të gjithë qytetarët e Cërrikut. Ekipi i futbollit “Turbine”  ka zhvilluar një sezon sportiv duke arritur vendin e 5-të, duke qenë brenda objektivave që ka patur për këtë sezon me shpresa që vitin tjetër të ngjitemi më lart. Ekipi sponsorizohet vetëm nga bashkia, ku në përbërjen e tij, lojtarë janë po nga qyteti, ku janë djem të rinj dhe premtojnë për të ardhmen.