Servet Duzha:Cërrik, qyteti, ku banorët jetojnë vetëm me ndihmë ekonomike

619
Sigal

SHIFËR ALARMANTE/ Flet për “Telegraf”, Kryetari i Bashkisë, Servet Duzha: “Nuk ka asnjë mundësi punësimi”

Në qytetin e Cërriku 500 (pesëqind) familje jetojnë vetëm me ndihmë ekonomike. Lajmin e bën të ditur vetë Kryetari i Bashkisë së Cërrikut, Servet Duzha. Në një prononcim për gazetën “Telegraf”, Kryebashkiaku shprehet se në qytet 500 familje jetojnë vetëm me ndihmën ekonomike që u jep bashkia. Duzha tha se, këto familje i përkasin shtresave shumë të varfra, kryesisht më shumë janë romët dhe  egjiptianë, por ka dhe gra të divorcuara me fëmijë të sëmurë, por nuk mungojnë dhe familje, të cilat janë familje të rregullta, por që janë shumë të varfra ekonomikisht. Sipas Kryebashkiakut, arsyeja e vetme e këtij numri kaq të madh që mbahen vetëm me ndihmë ekonomike është se qytetarët e Cërrikut nuk kanë se ku të punojnë pasi siç dihet numri i të papunëve në këtë qytet është tepër i lartë dhe e vetmja mënyrë jetese për këto shtresa është vetëm ndihma ekonomike që bashkia u jep këtyre familjeve. I pyetur nëse është rritur numri i familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike për këtë vit, Duzha përgjigjet se, “numri është ai që ka qenë në vite më përpara mund të ketë ndonjë plus apo minus të vogël”. Kryebashkiaku shprehet gjithashtu se bashkia e Cërrikut do t’ju vij në ndihmë banorëve me të gjitha mundësitë që ajo ka. Por edhe qeveria duhet të kujtohet për këtë qytet të harruar, i cili përballet me probleme të shumta sa ekonomike po as edhe sociale. Qyteti numëron sot numrin më të lartë të të papunëve dhe kushtet e jetesës janë shumë të ulëta. Edhe ata persona që janë të punësuar marrin rrogë minimale dhe shumica e tyre punojnë në të zezë, pra nuk janë të siguruar. Drejtuesit e bashkisë për të ulur numrin e të pa punëve kanë planifikuar të hartojnë një plan që të orientojmë njerëzit kryesisht në drejtime të investimeve në bujqësi duke vënë në punë tokat bujqësore, sepse për momentin kjo duket si zgjidhja më e mirë për të shtuar të ardhurat dhe për të ulur numrin e të papunëve. Në lidhje me projektet që priten të realizohen Duzha u shpreh: “Ajo çka mbetet parësore për mua është vënia në punë e kinemasë së qytetit, e cila ka vite që është djegur, ku së shpejti do të jetë në punë për të gjithë qytetarët e Cërrikut”.

Vështirësitë

Në qytetin e Cërrikut 500 familje jetojnë vetëm me ndihmë ekonomike, pasi kushtet për punësim janë të pakta, madje, edhe ata banorë që figurojnë të punësuar marrin paga mujore shumë të ulëta, paga të cilat nuk shlyejnë dot as detyrime mujore familjare. Situata paraqitet e vështirë edhe pse përpjekjet e bashkisë për të reduktuar numrin e të papunëve janë maksimale. Klima e biznesit nuk është e mirë dhe shumica e biznesit të vogël po mbyllet për shkak se nuk paguajnë dot taksat.