Seri Allushi/ Qeveria shqiptare në darën e gjobave nga Strasburgu

71
Kush gabon, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë që lë në fuqi ligjin antikushtetues 7501 apo GJEDNJ në Strasburg, që i jep të drejtën e pronës, pronarëve. “Për shkak të ligjit 7501, i cili është në kundërshtim me Kushtetutën, por edhe me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut për Pronën, mijëra pronarëve u është mohuar e drejta e pronës dhe për këtë shkak deri më sot janë vrarë me njëri-tjetrin mbi 8000 Shqiptarë. Ndërkohë Gjykata Kushtetuese, e ngarkuar ligjërisht për mbrojtjen e Kushtetutës, nuk ndërhyn për zgjidhjen e këtij ngërçi. Në këto kushte pronarët trashëgimtarë të pronave në shekuj i drejtohen për drejtësi, Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Por, pse duhet që pronarët shqiptarë ta gjejnë të drejtën e tyre në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg, pse Gjykata Kushtetuese nuk u jep pronarëve të drejtën, sipas Kushtetutës dhe Konventës Europiane për Pronën e ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, kush gabon në këtë rast me dhënien e së drejtës së pronës Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë që lë në fuqi ligjin antikushtetues 7501 apo GJEDNJ në Strasburg, e cila vetëm me një vendim të ditëve të fundit e dënon shtetin shqiptar të paguaj 10,7 milionë euro për çështjen e pronave.
Është kjo gjobitje e radhës, arsyeja që qeveria shqiptare, u mblodh sot me urgjencë dhe publikoi se do të shpërndajë si kompensim një sasi toke fizike e një shumë të hollash, ndërkohë që ligji përkatës është kundërshtuar nga grupet e interesit dhe nga Presidenti i Republikës dhe është dërguar në Gjykatën Kushtetuese për t’u anuluar’. Për shtetin me të varfër në Europë, 10.7 milionë Euro janë një shumë e madhe, sepse janë para të marra borxh nëpër botë ose të grumbulluara nga taksapaguesit shqiptarë. Kjo shumë do të paguhet si gjobë, në vend që të përdoren për përmirësimin e jetës së Shqiptarëve te varfër që po ikin përditë nëpër botë! Kjo është një gjobë që Shteti shqiptar me një ligj absurd ka gjobitur vetveten, sepse pasi ratifikoi në Kuvend Konventën Europiane të të drejtave të njeriut për pronën, si dhe pasi miratoi me Referendum Kushtetutën e Republikës, sipas të cilave prona duhej t’u kthehej pronarëve që e trashëgonin, për çudi dhe korrupsion nxori ligjin 7501 dhe tokën e ndau komunistësh sipas frymëve të popullatës. Kjo nuk ishte një reformë sociale, siç kërkojnë të justifikohen ata që drejtojnë politikën Shqiptare, sepse sipërfaqja e tokës bujqësore në vitin 1990 ishte dyfishuar (700 mijë Ha kundrejt 390 mijë qe ishte ne vitin 1945), por ishte një mendësi komuniste, që me pas do ushqente korrupsionin. Megjithëse ka vite që Europa dhe DASH i rekomandojnë qeverisë dhe ligjvënësve shqiptare që ta zgjidhin këtë paradoks me pronën. Qeveria, sajon lloj-lloj zgjidhjesh absurde dhe për kokëfortësi, për vota dhe për korrupsion, nuk e zgjidh. Prandaj GJEDNJ Strasburg përveç disa milionave euro gjobë të mëparshme, së fundi, i vendos edhe 10.7 mln Euro të tjera dhe kjo vetëm për 6 dosje. 
Por në Strasburg janë edhe mbi 400 dosje të tjera që janë pranuar dhe presin te gjykohen e do të shkojnë edhe mijëra dosje të tjera për gjykim dhe detyrimet e gjobat do shkojnë në dhjetëra milionëshe.“Për tetë çështje të fituara nga pronarët e Shqipërisë në Gjykatën e Strasburgut, qeveria duhet t’i kompensojë ata me 37 milionë euro. Në një raport të posaçëm për Shqipërinë, FMN deklaron se “pretendimet për kompensimin e ish-pronarëve janë sa 70% e prodhimit kombëtar të Shqipërisë, që në vlerë i korrespondon një shifër prej 8 miliardë euro”. Rrjedhimisht shtetit shqiptar do t’i duhet të shesë përveç fushave dhe maleve edhe detin për të shlyer moszbatimin e Kushtetutës për kthimin e pronave pronarëve që i trashëgojnë. Gjykata Kushtetuese ka sot në tavolinë kundërshtimin e Ligjit të prodhuar e miratuar nga Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë, “Për trajtimin dhe kompensimin e pronës”, i cili jo vetëm nuk zgjidh asgjë, por e fut problemin e kthimit të pronës në një rrugë pa krye, popullin e fut në vëllavrasje, shtetin e zhyt në gjoba e borxhe. Pra është një ligj turpi i atyre, që e ideuan dhe e miratuan. Prandaj i bëjmë thirrje që për hir të së drejtës legjitime të pronarëve të vërtetë e të brezave paraardhës të tyre, për hir të së ardhmes së shtetit e të popullit shqiptar, Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë çështjen me përgjegjësi juridike, duke injoruar ndërhyrjet e drejtuesve aventurierë të politikës shqiptare dhe duke iu referuar të drejtës ndërkombëtare për pronën dhe neneve përkatëse të Kushtetutës t’i japin fund kësaj maskarade 25-vjeçare.
Pronar autokton, Dukat, Vlorë