Seri Allushi/ Më në fund, ish- Kryeministri Sali Berisha pranoi: “me ligjin 7501 gabuam”

959
Sigal

Ish- kryeministri Sali Berisha në një intervistë në emisionin “Studio e hapur” të gazetares Eni Vasili deklaroi se me Ligjin 5701 për ndarjen e tokës me normën për frymë, pas shpërbërjes së kooperativave,  GABUAM! Ai  tha shprehimisht:  “Kam përgjegjësi  për situatën me pronat. S’duhej firmosur ligji 7501. Nuk kam frikë nga hetimi. Më tej ai u shpreh:  “Pa diskutim, kush e votoi ligjin 7501, unë isha atëherë  kryetar i PD-së, përgjegjësia bazë fillon me ligjin e tokës. Ligji i tokës u votua në shkelje të hapur me parimet e të drejtës së pronës …….”.

Pra, më në fund ish Kryeministri pranoi përgjegjësinë dhe autorësinë e miratimit dhe firmosjes së ligjit famëkeq  7501. Por, pas 14 vjet qeverisje ne krye të ekzekutivit, zoti  ish kryeministër Sali Berisha, më në fund, shfaq pendesën e tij për këtë ligj të miratuar GABIMISHT. Kjo nuk është për të qeshur, por për të vajtuar, sepse, pikërisht, për këtë arsye, që nga viti 1991, që u miratua ky ligj GABIMISHT, kanë humbur jetën mijëra  shqiptarë. Jeta e tyre është trazuar maksimalisht, duke ua marrë forcërisht tokën pronarëve që e trashëgonin atë brez pas brezi e duke krijuar (fabrikuar), artificialisht, “pronarë të rinj”. Ky Ligj i GABUAR  shkeli e nëpërkëmbi, siç e thotë edhe vete ish Kryeministri, të drejtën  themelore të njeriut mbi pronën private. Pra, marrëdhëniet  brenda fshatit, fisit e familjeve u konfliktuan deri në ekstrem. Qindra mijëra familje humbën pronën e tyre, humbën edhe identitetin e tyre. Sepse ua mohuan origjinën, i detyruan që të harrojnë varret e të parëve e i lanë pa vendlindje e pa atdhe.  Këtë veprim nuk e ka bërë historikisht asnjë pushtues i huaj në Shqipëri, por as Regjimi i Zogut e as ai i Enver Hoxhës, që megjithëse bëri reformë agrare, nuk la pa tokë as kundërshtarët e tij politikë.

Me ndarjen e tokës, sipas ligjit 7501, u krijuan rreth 450  mijë të ashtuquajtura “ferma”, shumë të vogla, mesatarisht me 1.1 ha tokë dhe kjo e ndarë në 4-5 vende të ndryshme e në prona të të tjerëve, duke bërë kështu pothuajse të pamundur dhe të padobishëm përdorimin e saj.

Ligji 7501, realisht nuk u zbatua në më shumë se 70 % të territorit shqiptar. Kjo ka ndodhur kryesisht në shumë fshatra të Shqipërisë së Mesme dhe në gjithë fshatrat e zonës Veriore të vendit, ku fshatarët morën forcërisht tokat e tyre, duke mos e përfillur fare Ligjin 7501. Për konformizëm, Qeveria këtë lloj vetëndarje të tokës e konsideron “ndarje sipas Ligjit 7501″! Ndarja e tokës sipas Ligjit 7501, realisht është pengesa kryesore për investimet e huaja, për shkak të pretendimeve nga ish pronarët e vjetër. Për të njëjtën arsye ngurojnë të bëjnë investime edhe pronarët e rinj, të cilët duke mos e konsideruar veten pronarë të ligjshëm të tokës, kanë braktisur tokën, duke e lënë për 23 vjet të papunuar, e cila është degraduar duke u pyllëzuar, kripëzuar, përmbytur etj.

Aktualisht janë mbi 100 mijë fermerë që kanë braktisur fare tokën dhe rreth 130 mijë të tjerë që lënë toka djerrë, ndërkohë që në asnjë rast nuk është zbatuar neni 15 i ligjit 7501, i cili përcaktonte  “nëse toka lihet 1 vit pa u shfrytëzuar, pronarit të ri i merret toka e dhënë” etj. Pra, Ligji 7501 krijoi toka djerrë, varfëri, konflikte dhe vetëgjyqësi.

Ky ligj i pakuptimtë është antikushtetues. Qysh me referendumin e miratimit të Kushtetutës së Republikës është mbajtur me forcë dhe në mënyrë abuzive nga Qeveritë njëra pas tjetrës, madje edhe, sot, Qeveria e radhës rreh gjoksin se do të pajisë me certifikatën e pronësisë pronarët e fabrikuar që kanë marrë tokën e pronarëve shekullorë, megjithëse nuk është aq përgjegjëse.

Nuk mund të ketë arsye më të fortë se kaq, kur ish kryeministri dhe kryetari i opozitës shqiptare deklarohet publikisht se është bërë një GABIM, ndërkohë që neni 181 i Kushtetutës së Shqipërisë është në fuqi dhe i pazbatuar. Kushtetuta nuk zbatohet, sepse garantët e Kushtetutës, Presidentët e vendit dhe Gjykata Kushtetuese janë produkte të Partive politike dhe të varur prej tyre.

Pronarët legjitimë, trashëgimtarë të pronave, shoqatat e tyre, kanë 23 vjet që kërkojnë pronat, kërkojnë të drejtën e tyre të sanksionuar me Kushtetutë. Luten prej vitesh pranë Kryeministrave e zyrtarëve të Qeverive që ndërrohen. Ata që nuk kanë durim, vriten me njëri-tjetrin, ndërsa qeveritë nuk shqetësohen e nuk i përfillin, madje ndaj këtyre lutjeve nuk reagojnë fare.

Me këtë rast, meqenëse, më në fund, ish kryeministri, mori guximin të marrë përgjegjësi për miratimin e atij ligji shkatërrues, që po mban peng bujqësinë dhe gjithë ekonominë  e vendit, që ditë pas dite merr jetë njerëzish, të marrë iniciativën me Grupin e tij Parlamentar për të amenduar Ligjin 7501, sepse çdo GABIM  korrigjohet. Në këtë rast, me siguri që do të gjejë edhe konsensusin e Aleancës qeverisëse. Shoqatat e pronarëve “Pronësi me Drejtësi, Shoqata Bregdeti dhe Shoqata Dukati, ia kanë dërguar me kohë Qeverisë, Kuvendit e institucioneve Qendrore, Draft-ligjin për amendimin e Ligjit 7501. Vetëm kështu do të mbyllej problemi i papërballueshëm i kompensimit të ish pronarëve në ish kooperativat bujqësore që realisht përbën detyrimin më të madh, që padrejtësisht e ka marrë përsipër shteti: Do të zbuteshin në masë të konsiderueshme padrejtësitë e vërtetuara; Do të shuhej situata konfliktuale dhe do të vendosej paqja sociale në çdo fshat; Secili do të shkonte në identitetin e tij të trashëguar; Do të fillonte shit-blerja e tokave; Do të mundësohej njësimi, zmadhimi dhe bashkimi i fermave; Regjistrimi dhe hipotekimi i pronave do të shpëtonte nga abuzimet e korrupsionit; Do të fillonin menjëherë investimet, ekonomia do të zhvillohej me shpejtësi dhe Shqipëria do të radhitej me dinjitet përkrah vendeve të tjera të Europës.

 Shoqata Dukati Dega Tiranë