Sergej Lavrov: Shkaku kryesor i tensioneve aktuale është aroganca e disa vendeve me në krye SHBA-të

225
Fjalimi i Ministrit të Jashtëm të Rusisë Sergej Lavrov në parlamentin rus, ku trajtoi çështjet më aktuale të politikës së jashtme
Më 15 dhjetor, Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë Sergej Lavrov gjatë “Orës qeveritare” në Këshillin e Federatës, në dhomën e lartë të parlamentit rus mbajti një fjalim, ku foli për rezultatet e punës së shërbimit të jashtëm të Rusisë gjatë vitit 2017. Ja disa nga deklaratat kyçe të Ministrit.
Mbi situatën ndërkombëtare:
“Një shqetësim të madh ngjallin disa tendenca të rrezikshme, si erozioni i parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare, përpjekjet e zhvlerësimit të rolit të institucioneve shumëpalëshe dhe përdorimit të tyre për qëllime të ngushta vetjake. Zgjerimi i NATO-s, shtimi i potencialit të saj në “krahun lindor”, si edhe instalimi i sistemeve të mbrojtjes antiraketore amerikane në Evropë, po e gërryejnë ndjeshëm parimin e sigurisë së pandashme, i cili përbën një detyrim politik që të mos forcohet siguria e vet në kurriz të sigurisë së të tjerëve dhe i cili është marrë përsipër nga të gjithë krerët e shteteve të OSBE-së. Nën rrezikun e çmontimit ndodhen edhe disa marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare, ndër të cilat ajo mbi programin bërthamor të Iranit. Shpresoj të mos ndodhë kjo gjë. Dhe, nëse ndodh, do të përbëjë një sinjal shumë të gabuar për ata që presin një zgjidhje të problemeve në Gadishullin Korean”.
“Jemi të bindur se shkaku kryesor i tensioneve aktuale është kursi i vazhdueshëm egoist dhe cinik i disa vendeve me në krye Shtetet e Bashkuara. Duke besuar në supremacinë dhe pamëkatësinë e vet, i mësuar që qëndrimet e tij duhet të cilësohen si “e vërtetë absolute”, i ashtuquajturi “Perëndim historik” po mundohet të pengojë procesin e natyrshëm të formimit të një rendi të ri botëror më të drejtë, demokratik dhe policentrik. Ndaj atyre që nuk bien dakord po përdoret një gamë e gjerë masash represive, duke përfshirë shantazhin, aplikimin e masave të njëanshme dhe detyruese, si edhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në punët e brendshme. Ju e shihni fare mirë vetë që tek shumë njerëz në Perëndim, zhvillimi dinamik i Rusisë dhe forcimi i pozitave të saj në arenën ndërkombëtare ngallin zemërim të madh dhe pakënaqësi. Si rrjedhojë vjen dëshira për të na ndëshkuar për politikën tonë të jashtme të pavarur dhe të mëvetësishme. Kursi drejt frenimit të vendit tonë pëfshin një spektër shumë të gjerë drejtimesh, që nga ekonomia dhe energjia deri tek sporti dhe veprimtaria e mediave ruse”.
Mbi situatën në Ukrainë:
“Mbetet ende i pazgjidhur konflikti i brendshëm në Ukrainë. Drejtuesit në Kiev po e sabotojnë në mënyrë flagrante procesin e paqes. Po refuzojnë me këmbëngulje një dialog të drejtpërdrejtë me Donjeckun dhe Luganskun. Ne u bëjmë thirrje partnerëve perëndimorë, duke marrë parasysh mundësitë e tyrë për të ndikuar në autoritetet ukrainase, të shfrytëzojnë këto mundësi për të inkurajuar Kievin që të nisë sa më shpejt zbatimin në praktikë të “Kompleksit të Masave” të Minskut, që është miratuar unanimisht nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së”.
Mbi marrëdhëniet Rusi-SHBA:
“Siç e ka theksuar shumë herë Presidenti i Federatës Ruse Vladimir Putin…, Rusia është e hapur për një punë të përbashkët konstruktive me Uashingtonin. Për fat të keq, deri më tani nuk kemi parë asnjë lëvizje në këtë drejtim nga pala amerikane. Kjo e fundit ka ndërmarrë një sërë veprimesh të reja flagrante antiruse. Përkatësisht, e kam fjalën për ligjin “Mbi kundërveprimin ndaj kundërshtarëve të Amerikës përmes sanksioneve”, që është drejtuar kundër nesh, mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme të Rusisë në San Francisko dhe zaptimin e pesë objekteve diplomatike [ruse në SHBA]. Ne nuk synojmë thellimin e konfrontimit, por sigurisht që do të vazhdojmë edhe më tej të kundërpërgjigjemi ndaj çdo hapi jomiqësor, në përputhje me parimin e reciprocitetit”.
Mbi raportet Rusi-BE:
“Perspektivat e marrëdhënieve [të Rusisë] me Bashkimin Evropian mbeten peng i qasjes rusofobe të një grupi të ngushtë vendesh brenda BE-së, i cili në fakt vepron në interes të SHBA-ve dhe jo të Evropës. Në të njëjtën kohë spiralja e sanksioneve e nxitur nga burokracia e Brukselit, me udhëzim të drejtpërdrejtë nga matanë oqeanit, i ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm biznesit evropian (para së gjithash atij gjerman), i cili ka humbur një pjesë të pozitave të tij në tregun rus. Ndërsa vetë amerikanët nuk kanë pësuar asnjë dëm. Përveç kësaj, me pretekstin e kundërveprimit ndaj Rusisë, ata duan të detyrojnë evropianët që të blejnë gazin e shtrenjtë të lëngshëm amerikan dhe të rrisin shpenzimet e mbrojtjes. Se sa e nevojshme është kjo për evropianët, le të vendosin vetë ata. Ne, nga ana jonë, do të zhvillojmë bashkëpunimin me ato ritme, për të cilat janë gati kolegët tanë në BE. Por, politika jonë e jashtme shumëdimensionale nuk do të jetë peng i “kapriçove” brenda BE-së”.
Mbi luftën ndaj terrorizmit:
“Një vëmendje të veçantë po i kushtojmë bashkimit të komunitetit ndërkombëtar në luftën kundër rrezikut terrorist, konform nismës së Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin për të krijuar një koalicion të mirëfilltë global antiterrorist me qëllim përballimin kolektiv të kësaj të keqeje, pa standarde të dyfishta”.
“Në masë të madhe, falë veprimeve të efektshme të Forcave Kozmiko-Ajrore të Rusisë për mbështetjen e përpjekjeve antiterroriste të qeverisë siriane, është arritur shkatërrimi i luftëtarëve të ISIS-it dhe strukturave të tjera ekstremiste në territorin e Sirisë. Mundja e terroristëve dhe funksionimi i zonave të shtensionimit të krijuara në kuadër të procesit të Astanasë, ofrojnë kushte të nevojshme për kalimin tek faza tjetër, që është zgjidhja politike në Siri në bazë të rezolutës 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Përmbushjes së këtij objektivi duhet t’i shërbejë përgatitja e mbledhjes së Kongresit të Dialogut Kombëtar Sirian që do të mbahet në Soçi me iniciativën e liderëve të Rusisë, Iranit dhe Turqisë. Në axhendën e tij janë hartimi i kushtetutës së re, organizimi i zgjedhjeve të përgjithshme nën mbikëqyrjen e OKB-së, rregullimi i problemeve humanitare dhe përgatitja e një programi gjithëpërfshirës afatgjatë të rimëkëmbjes së vendit”.
Mbi ndërhyrjen në proceset zgjedhore në Rusi:
“Përballemi vazhdimisht me ndërhyrjen në zgjedhjet tona. Presidenti i Rusisë z. Putin ka sjellë në mënyrë të përsëritur shembuj konkretë se si Ambasada e SHBA-ve [në Moskë] merret me këtë, për shembull përmes angazhimit të diplomatëve amerikanë në mitingjet e partive opozitare, përfshirë këtu edhe ato që nuk janë përfaqësuar në parlament. Patjetër që diplomatët duhet ta ndjekin situatën në vendin e qëndrimit dhe të raportojnë vlerësimet e tyre në Qendër, në kryeqytet. Por pjesëmarrja në jetën politike përmes mbledhjes dhe instruktimit të opozitarëve bie ndesh me të gjitha konventat e Vjenës mbi marrëdhëniet diplomatike. Të mos flasim pastaj për atë çfarë bënte Ambasada e SHBA-ve në kohën kur po bëhej gati grushti i shtetit në Ukrainë”.