Serbia mbush tregun shqiptar me misër kanceroz

1270
Sigal

ALARMI/ Prodhim i misrit këtë vit në Serbi është i infektuar me Aflatoksinë, një lloj kërpudhe, që është bashkëdyzim i rrezikshëm, kancerogjen

Nuk ka më luftë frontale! Në kushtet e krijimit de fakto të shtetit të Kosovës dhe të një Shqipërie anëtare të NATO-s, Serbia duket se ka nisur zbatimin e një plani “B” të “Naçertanies” famëkeqe për shfarosjen e shqiptarëve. Në thelb të kësaj strategjie të re që ka nisur të zbatohet është po ajo platformë antishqiptare e Ilija Grashanininit dhe Vasa Çubriloviçit: shfarosja e shqiptarëve! Është e tmerrshme edhe ta mendosh një strategji të tillë në shekullin e 21-të që është menduar si shekulli i paqëtimit në Ballkan dhe i integrimit të rajonit në Europën e Bashkuar, në një kohë që kemi disa takime të kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë. Edhe serbët më në fund duket se janë bindur se e kanë humbur Kosovën, por jo mërinë ndaj shqiptarëve. Mirëpo faktet janë fakte. Lajmi i djeshëm që na mbërriti nga Kosova duket rrëqethës. “Bereqeti i sivjetmë i misrit në Serbi është i kontaminuar, i helmuar, i infektuar me AFLATOKSINË, një lloj kërpudhe “Aspergillus flavus”, që është bashkëdyzim i rrezikshëm, kancerogjen dhe sulmon mëlçinë duke shkaktuar kancer, por që prekë dhe organet tjera”. Kështu fillon lajmi I shpërndarë nga kreu i shoqatës “Konsumatori” të Kosovës. Mirëpo, Kosova është një nga importuesit më të mëdhenj të misrit nga Serbia. Dhe të mendosh se midis Shqipërisë dhe Kosovës janë hequr barrierat doganore dhe me lehtësinë më të madhe ky misër i rrezikshëm serb shpërndahet në të gjitha hapësirat mbarëshqiptare, merren me mend pasojat. Alarmi që vjen nga Kosova duhet marrë seriozisht në konsideratë. Kjo të bën të mendosh se kemi të bëjmë me një strategji të re dhe të rrezikshme serbe kundër shqiptarëve. Ky lajm duhet të verë seriozisht në lëvizje strukturat shtetërore si në Shqipëri dhe në Kosovë.

Lajmi: Misri i rrezikshëm nga Serbia – import kancerogjen?!

Bereqeti i sivjetmë i misrit në Serbi është i kontaminuar, i helmuar, i infektuar me AFLATOKSINË, një lloj kërpudhe “Aspergillus flavus”që është bashkëdyzim i rrezikshëm, kancerogjen dhe sulmon mëlçinë duke shkaktuar kancer, por që prekë dhe organet tjera. Ndërmarrja për kontrollin e cilësisë “SGS Serbia” ka njoftuar për dështimin e të lashtave të sivjetme të misrit në Serbi, që është një nga eksportueset më të mëdha në Rajon. Në laboratorët e SGS është konstatuar AFLATOKSINA, bashkëdyzim tejet kancerogjen i cili mund të gjendet në ushqimin për njerëz por edhe në ushqimin e kafshëve. Sipas SGS-së arsyeja e shfaqjes së AFLATOKSIN-ës, është thatësia e madhe që përcolli verën e sivjetme dhe agrobiznesin. SGS njofton po ashtu se vetëm 32 % e bereqetit të sivjetmë të misrit në Serbi është i shëndetshëm dhe i sigurt për ushqimin e njerëzve dhe për procesim. Një pjesë e të lashtave të sivjetme të misrit në Serbi që i përmbush standardet mund të përdoret për ushqim kafshësh e pjesa tjetër për prodhimin e bioetanolit dhe të nishestesë. Koncentrimet më të larta të AFLATOKSIN-s nga të lejuarat imponojnë reagimin e duhur dhe të menjëhershëm edhe në Kosovë, e cila është një nga importuesit më të mëdhenj të misrit nga Serbia. Importuesit, distributorët, depot, shitësit me shumicë e me pakicë, përpunuesit…duhet të jenë tejet të kujdesshëm në raport me këtë artikull jetik për ushqimin e njerëzve dhe kafshëve si dhe për industrinë dhe agrobiznesin. Masat për mbrojtjen e konsumatorit duhet të jenë të organizuara mirë dhe me një përfshirje të gjerë horizontale e vertikale të të gjithë faktorëve relevantë. Këto masa është dashur të ndërmerren me kohë dhe menjëherë. Çuditërisht Institucionet, Asociacionet e as Mekanizmat e mbrojtjes së tregut akoma nuk kanë reaguar as me informim as me fushata vetëdijesimi të publikut, pikë së pari të konsumatorit. Problemi me AFLATOKSIN-ë, ka marrë përmasa pandemike sepse është shfaqur, në përmasa më të vogla, edhe në Hungari, Rumani e Bullgari – kryesisht shtete ku furnizohet Kosova. Duke pasur parasysh afërsinë gjeografike dhe kushtet e ngjashme atmosferike që mbretëruan sivjet edhe në Kosovë është e pritur dhe e mundshme që ky problem të ketë prekur, ndoshta në përmasa më të vogla, edhe Kosovën. Është e udhës që kompetentët t’i bëjnë studimet dhe analizat e duhura laboratorike dhe të dalin me një Raport kompetent para opinionit. Duke pasur parasysh kufirin poroz, rrjetin e kontrabandës Serbi-Kosovë, performancat e pamjaftueshme të Mekanizmave të mbikëqyrjes së tregut dhe të Sistemit të drejtësisë, e mbi të gjitha nivelit të ulët të ndërgjegjes dhe të kulturës / edukatës së disa afaristëve, në nivel Shtetëror duhet të ndërmarrë masat e sigurisë dhe të parandalimit të importit të këtij misri në Kosovë.

Selatin Kaçaniku,

Udhëheqës në shoqatën ‘Konsumatori’

Prishtinë, Kosovë,   10.12.2012