Sëmundja, 1500 fëmijë diabetikë vetëm në Tiranë

104
Aleksandra është 7 vjeçe dhe është një nga fëmijët diabetikë. Por, vështirësia më e madhe qëndron te prindërit e saj. Për ta, është gati e pamundur ta pranojnë. “Kur na tha doktoresha që është diabet i tipit 1, që pa insulinë nuk mund të jetojë unë edhe gruaja u çmendem, bërtisnim, ulërinim, një mjek na tha që vajza pa insulinë s’mund të jetojë dhe pasi bëmë dozat e para, aty kuptuam që duhet të bëjmë insulinë”, thotë Arben Çarka, babai i Aleksandrës. Por për këta fëmijë diabetikë, çdo familje ka edhe një kosto. “Ka harxhime të mëdha. Për një familje me një njeri në rrogë, siç jemi ne, është e vështirë të përballohet. Mirë insulinat që rimbursohen, po është problemi i fishave, lancetave dhe ageve. Përveç këtyre është problemi, se kjo sëmundje do dietë të veçantë, nuk mund të hajë si ne, përpiqemi t’i marrim ushqime bio, integrale që janë të shtrenjta”, thotë Çarka për TCH. Patricia, është një tjetër vogëlushe, që diabetin e ka të fituar, jo të trashëguar. “Më shpjeguan që pankreasi im kishte një problem, s’duhet të haja sheqer. duhet të ushqehem 7 herë në ditë, kam vendosur ta mbaj dietën time, se dua të kem jetë të shëndetshme”, rrëfen Patricia. Madje, Patricia ka edhe një mision në jetë, shërbimin ndaj të sëmurëve me diabet. “Kur të rritem do bëhem endokrinologë, që t’i shpëtoj jetën të tjerëve dhe vetes”, thotë ajo. Sipas shoqatës, numri i fëmijëve dhe të rinjve me diabet është 1500 vetëm në Tiranë, pa përfshirë ato të rretheve, që janë të paidentifikuar. Në kuadër të nëntorit, muajit të ndërgjegjësimin për Diabetin, Shoqata e Fëmijëve dhe të Rinjve me Diabet ka disa kërkesa për qeverinë. “Kërkojmë rimbursimin e fishave. 3 milionë e 800 mijë lekë të vjetra është kostoja për një familje, shteti ndihmon me 1/3, 2/3 duhet t’i vetësigurojmë”, thotë Asim Toro nga shoqata e fëmijëve dhe të rinjve me diabet.