Selitë, 50 familje largohen drejt Gjermanisë

599
Pas shembjes së shtëpive në zonën e Selitës, për shkak të ndërtimit të Unazës së Madhe, ajo çka të zë syri janë gërmadhat që kanë pushtuar këtë zonë. Në një anë punëtorët, të cilët në pikun e vapës vazhdojnë të palodhur punën e tyre, diku tjetër fëmijë që përpiqen të “përfitojnë” nga kjo për gjetur diçka për ta shitur. Më tutje familjarë që përpiqen të shpëtojnë çfarë të munden, para se IKMT të shembë banesat. Një pjesë jetojnë mes pluhurit dhe presin me ankth radhën, pasi janë të bindur tashmë që në mos sot nesër duhet të largohen. Jashtë dëshirës së tyre sigurisht, por duhet ta bëjnë, pasi sipas banorëve “shteti ka fuqinë për të vendosur për gjithçka”, edhe pse qindra persona do të mbeten pa një strehë. Mirëpo, përveç rrëmujës së krijuar nga aksioni që ka nisur prej ditësh, janë edhe qytetarët që ankohen për padrejtësitë që u janë bërë. Një shqetësim që ata ngrenë është edhe largimi në masë i familjeve që u prekën nga ndërtimi i Unazës së Madhe. Sipas banorëve bëhet fjalë për rreth 50 familje që janë nisur në Gjermani për të kërkuar azil. 

Ata sqarojnë se pasi morën lekët e qirasë për dy vite dhe pa asnjë shpresë për të ndërtuar një tjetër banesë, morën rrugën e emigrimit, si e vetmja zgjidhje për problemin e tyre. Banorët e mbetur, theksojnë se ishte e pamundur që ata të ndërtonin një tjetër shtëpi, pasi të ardhurat nuk mjaftonin. “U lodhën, në pritje të një zgjidhjeje që nuk erdhi kurrë. Vendosën të ikin, si e vetmja mundësi për të jetuar një jetë si gjithë të tjerët, jo të diskriminuar siç jemi ne”, tregojnë banorët e mbetur për të afërmit e tyre që janë larguar. Disa banorë të tjerë pretendojnë se papritur u është thënë që duhet të nxjerrin rrobat jashtë, pasi do t’u shembet shtëpia, sepse sipas banorëve, nuk ishte në plan shembja e banesave të tyre. “Vuajmë si qen. Nesër (sot) na thanë që do ju prishim shtëpinë. Unë i kam me tapi me dokumente të rregullta të gjitha. Deri dje nuk më thanë gjë, nuk ishte shtëpia ime pjesë e planit për t’u prishur. As lekë dhe asgjë, si do iki unë nga shtëpia nesër (sot), pa nxjerrë rrobat dhe asgjë. Nuk bie plani na patën thënë, ndërsa sot (dje) kujtohen të na thonë që largoni gjërat se nesër (sot) vijmë dhe shembim. Nxirr rrobat, pa na dhënë lekë dhe asgjë, ku do marr lekë, ku do vendosem unë. Unë nuk lëviz, jam vetë i nëntë në shtëpi”, pohon Kujtim Nuredini, banor i zonës. 

Pak më tutje është një tjetër banore, e cila veç hallit të saj, qan edhe për të vëllain, shtëpia e të cilit kapte vlerën e 200 milionë lekëve të vjetra. I mbetur në rrugë ai u largua drejt Gjermanisë për të kërkuar azil së bashku me familjen e tij. Fatmira Jashari banon aty që prej vitit 1986 dhe pretendon se i ka të gjitha dokumentet dhe pret të marrë paratë. Nëse kjo nuk ndodh, Fatmira kërcënon se do sakrifikojë veten. “Më kanë thënë që do më kompensojnë, por e vërteta nuk e di si është. Unë kam që në 1986 që jam vendosur këtu, kam qenë e para që jam vendosur këtu dhe e fundit kam ngel, nuk lëviz që këtej. Nuk pranoj dy vjet qira se i kam të gjitha dokumentet e rregullta. Më ka dalë emri dy herë për të marrë kompensim, por asgjë nuk kam marrë. Më kanë thënë që gjatë kësaj jave do më japin një zgjidhje. Nëse nuk më japin paratë, ta dini që kur të më dëgjoni emrin që i ka dhënë fund jetës”, thekson Fatmira Jashari, banore. Po aq e tensionuar është situata edhe në ato pak familje që kanë mbetur pa iu prishur shtëpitë, të cilët vazhdojnë të jetojnë mes pluhurit dhe katrahurës së krijuar nga shembja e banesave të tjera. “Unë isha në spital, vuaj nga mushkëritë kam edhe shqetësime të tjera shëndetësore. Kur kthehem nga spitali shoh shtëpinë që nuk ishte më, u çudita, nuk po besoja. Nuk kam marrë as qira dhe asgjë. Kam ngel me vajzën e vogël rrugëve”, tregon një tjetër banore. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit vijon punën për prishjen e objekteve të ndërtuara në gjurmën ku do të kalojë Unaza e Madhe në kryeqytet. Sipas kreut të këtij inspektorati, Dallëndyshe Bici, janë 160 objekte gjithsej që do të prishen. Aksioni në gjurmën e Unazës së Madhe ka nisur që prej 3 javësh dhe sipas IKMT-së, do të punohet pa ndërprerje gjatë gjithë muajit gusht, derisa të prishen të gjitha objektet e planifikuara.
Sigal