Sekuestrohen 17 mijë m² tokë në Vuno e Jalë, arrestohet pronari: Pastroi para dhe falsifikoi dokumentat

1694
Prokuroria dhe Policia e Vlorës kanë sekuestruar 17 mijë m² tokë bregdetare në fshatrat Vuno dhe Jalë dhe ka arrestuar pronarin e saj, Murat Hysenajn, 56 vjeç, që ishte shpallur në kërkim për falsifikim dokumentash dhe pastrim parash nga veprimtari kriminale. 

Sipas policisë, Hysenaj, me mënyra të paligjshme, ka përfituar një tokë që vlen 1.7 milionë euro.

NJOFTIMI I POLICISE SE VLORES
“Policia ka finalizuar me sukses Operacionin e koduar “JALI” ! Sekuestrohet një sipërfaqe toke në fshatin Vuno dhe Jalë. Arrestohet shtetasi i shpallur në kërkim: Murat Hysenaj, 56 vjeç, banues në Vlorë.

Në kuadër të procedimit penal Nr.1802/2016, ditën e sotme u bë e mundur kapja dhe arrestimi i këtij shtetasi, i cili është shpallur në kërkim për veprat penale “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”. (Neni 186/2 dhe 287/a,c të Kodit Penal).

Mbi bazën e këtij operacioni, Policia e Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, kanë bërë sekuestrimin e një sipërfaqe toke prej 17.000 m2 toke në fshatin Vuno dhe Jalë, Bashkia Himarë, e cila është përvetësuar nga shtetasi i mësipërm nëpërmjet falsifikimit të dokumentave.

Vlera e kësaj sipërfaqe toke shkon rreth 1.7 milion euro.

Gjithashtu, për veprat penale të mësipërme, shtetasit Murat Hysenaj i është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”.
Sigal