Sekuestrohen 1.4 milionë Euro pasuri të një grupi kriminal në Lezhë

854
Sigal

Operacioni “Forca e Ligjit” e policisë në bashkëpunim me Prokurorinë e Lezhës kanë goditur një grup kriminal dhe kanë sekuestruar pasuritë kriminale të tij me vlerë 1.4 milionë Euro. Grupi kriminal i përbërë nga tre persona, dyshohet si i përfshirë në trafik ndërkombëtar droge dhe shfrytëzim prostitucioni.

Prokuroria vendosi sekuestro preventive për 15 pasuri të paluajtshme; 7 ambiente biznesi me sipërfaqe rreth 1100 m2 si Hotel, Bar, Restorant; 4 ambiente banimi apartamente dhe vila me sipërfaqe rreth 1000 m2, 4 parcela tokë arë me sipërfaqe rreth 22900 m2 dhe 9 automjete luksoze. Vlera e gjithë pasurive shkon në total 1.450.000 euro.

Policia thotë se pasuritë figurojnë të regjistruara në emër të 40-vjeçarit me iniciale P.S. nga Shëngjini, V. S. 49 vjeç, banues në Rrilë, Lezhë, i arrestuar nga policia e Firences në Itali, si drejtues i një grupi kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika në Itali dhe shfrytëzimin për prostitucioni dhe A.S. 35 vjeç, nga Shëngjini, i arrestuar në vitin 2008 nga policia e Trentos në Itali si pjesëtar i një grupi kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike nga Holanda drejt Italisë, në kuadër të operacionit “Apuleio” dhe në vitin 2010 u dënua me 4.6 vite burg.

Hetimi për këtë grup kriminal, nisi bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë. Në janar 2018, pas një hetimi disa mujor me metoda speciale të hetimit, në bashkëpunim me Prokurorinë u dokumentua veprimtaria kriminale dhe pasuritë e dyshuara se rrjedhin nga aktiviteti kriminal.